Uji Dea

Daku: Edhe për një kohë do të mbetem apolitik

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Omer Daku, ish zëvendës kryetar i komunës së Gjilanit dhe ish kryetar i degës së AKR-së në Gjilan në një bisedë për rajonipress thotë se aktualisht nuk e ka ndërmend të kyçet në asnjë parti politike edhe pse ka shumë oferta nga të gjitha subjektet politike. Daku flet edhe për qeverisjen aktuale dhe jep sugjerime e këshilla profesionale se si ajo duhet të implementoj projektet që janë në dobi të qytetit të Gjilanit.

RajoniPress: Zoti Daku, mandatin e parafundit ju ishit drejtor i Urbanizmit dhe paralelisht edhe i Kadastrit, kurse në mandatin e fundit edhe zëvendës kryetar i komunës, a mund të na thoni se sa jeni i kënaqur me zhvillimet në qeverisjen e re lokale?

Daku: Është bërë si shprehi që 100 ditshin e parë të lihen të ”qetë” partitë politike që marrin besimin e qytetarëve për të qeverisur, prandaj edhe unë nuk do të kisha dhenë ndonjë koment për fillimin, por mund të them se realisht edhe unë si të gjithë qytetarët tjerë po përcjellim të gjitha zhvillimet që po ndodhin në komunën tonë.

RajoniPress: Çka prisni nga kjo qeverisje lokale?

Daku: E thash edhe më lartë që duhet të presim edhe një kohë, por dua të shpresoj se shumë punë të mira që janë bërë gjatë kohës kur isha unë si nënkryetar të vazhdohen, dhe natyrisht edhe ato premtime që janë bërë gjatë fushatës të realizohen. Po ashtu pres që të implementohen dhe avancohen edhe disa nga strategjitë (të aprovuara edhe në Kuvendin Komunal dhe të votuara atë kohë edhe nga opozita), ku në këtë rast do të përmendja disa nga këto në të cilat unë kam qenë edhe koordinator si psh: strategjia për mobilitet, strategjia për ndriçim publik, strategjia kundër dhunës në familje, strategjia për këshillin komunal për siguri në bashkësi etj. Po ashtu kjo qeverisje do të duhej që t`i kushtonte shumë rëndësi edhe matjes së 28 indikatorëve të cilat u realizuan në bashkëpunim me USAID-in dhe të korrigjohen gjegjësisht të ngritët performanca aty ku notat gjatë vlerësimit ishin më të ulëta, kurse aty ku ishin maksimale të ruhen ( edhe në këtë rast isha koordinator i grupit dhe me përgjegjësi e them se është punuar shumë gjatë dhe mjaft profesional e korrekt në këtë drejtim) etj.

RajoniPress: Zoti, Daku, kohëve të fundit keni shumë takime me përfaqësues të partive të ndryshme politike, a mund të na thoni më shumë në këtë drejtim ?

Uji Dea

Daku: Unë asnjë takimi nuk i kam ikur nga askush, por dua të bëjë të ditur se edhe për një kohë do të mbetem apolitik. Është e natyrshme tani kur jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, të gjitha partitë politike dëshirojnë të forcojnë sa më shumë radhët e tyre.

RajoniPress: Keni edhe oferta për të kandiduar për deputet?

Daku: Po është e vërtetë, ka oferta për kandidaturën time për deputet, por jo vetëm kaq. Kjo për mua është nder dhe respekt, megjithatë, për opinion një gjë është e ditur se unë nuk jam i etur për pozita, por edhe aty ku mund të jap kontribut nuk kursehem dhe mundohem të jap maksimumin. Por, dua të potencoj se pas rrethanave të krijuara para zgjedhjeve të fundit lokale unë tani nuk jam vetëm, por jam me një strukturë jashtëzakonisht të mirë dhe shumë profesionale, të dëshmuar dhe me perspektivë. E gjithë kjo strukturë jemi në kontakt të përhershëm dhe për të gjithë hapat në vijim do të marrim qëndrim së bashku. Në këtë strukturë ka disa individë që mund të japin kontribut të çmueshëm edhe në nivelin qendror.

RajoniPress: Keni ndonjë koment për AKR-në pasi aty keni kontribuar prej themelimit të kësaj partie ?

Daku: Koha po i thotë dhe do t’i thotë në vijim. Me rëndësi është se ndihem ballëhapur për punën dhe angazhimin që kam bërë në mënyrën më korrekte deri ditën e fundit. Për mua ka rëndësi që para vetes e kam të qartë 100% realitetin e zhvillimeve që kanë ndodhur të cilat hap pas hapi si duket po dalin në shesh. Por e vërteta dhe” kontributdhenesit” do të dalin në shesh ndoshta tek pas zgjedhjeve parlamentare. Kam bindje se ky rast ka qenë i realizuar sipas një projekti të projektuar shumë mirë me një qëllim të vetëm – për të shkatërruar një nga degët më të fuqishme të AKR-së. Por, qendra si duket gjërat i ka shikuar shumë sipërfaqësisht dhe çka është më e keqja kishte edhe goditje shumë të ulëta./rajonipress/