RCCOLA

“Daja” kishte fuqi vendimmarrëse ndaj grupit kriminal

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

I quajtur si “daja”, “bossi” dhe “shefi” nga bashkëpunëtorët e tij, Fatmir Limaj ka pasur fuqi vendimmarrëse mbi grupin e organizuar kriminal, thuhet në aktakuzën e re të ngritur ndaj ish-ministrit të Transportit, Limaj, ish-shefit të Prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, truprojës së Limajt, Shpëtim Telakut, Ali Aliut dhe Beqir Dedajt.

Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi dhe Shpëtim Telaku, akuzohen për krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratës së dëmshme, keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, si dhe marrje të ryshfetit, raporton KTV, transmeton Koha.

Ndërsa, për Ali Aliun dhe Beqir Dedën, pronarë të kompanive për shtrimin e rrugëve, rëndon akuza për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Në aktakuzë përmendet biseda telefonike mes Shpëtim Telakut dhe Ali Aliut. Ky i fundit i kishte thënë truprojës së Limajt që Fatmir Limaj ka obligim moral që t’ia japë tenderin atij, sepse ai kishte mbledhur 12 mijë euro për “avokatët nga Haga” të Fatmir Limajt, kur ai ishte i akuzuar.

Hidromorava

Sipas aktakuzë së re, që e ka siguruar Kohavisioni, Limaj dhe katër të akuzuarit tjerë dyshohen se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej së paku 890.000 eurosh. Sipas prokurorit gjerman të EULEX-it, Johannes Pickert, veprat penale për të cilat dyshohen të akuzuarit, janë kryer në vitin 2008.

Në aktakuzë thuhet se cak i grupit të organizuar kriminal ishte dhënia e një tenderi fitimprurës për mirëmbajtjen e rrugëve dhe një për ndërtimin e rrugëve, kompanive në bazë të pikëpamjeve politike dhe atyre që paguanin para të gatshme.

Veprat dyshohet se janë kryer me nënshkrimin e kontratave me dy firma, “Ekskavatori” dhe “Burimi”.

Limaj dhe bashkëpunëtorët e tij, u morën në pyetje në mars të vitit të kaluar. Provat që përbëjnë boshtin e kësaj aktakuze, burojnë nga thirrjet telefonike të përgjuara, të cilat janë marrë në mënyrë të ligjshme. /KTV/Koha/