Uji Dea

Çka pas 28 Nëntorit

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nexhat Hajrullahu- Duke e parë yshtjen e madhe për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, me një entuziazëm ekstrem në të gjitha trojet shqiptare shihet si një pikë kthese dhe reflektimi se për njëqind vjet kemi arritur mjaft shumë dhe sikur vetëkënaqemi se kjo edhe është kulminante, dhe mundohemi t`i nderojmë të gjithë heronjtë tanë meritorë për këtë ditë të madhe kombëtare.

Pa dashur që t’ia mohoj askujt këtë zell dhe entuziazëm për më tepër patriotizëm në gjakun tonë, unë dua të ngris një temë pak a shumë kritike, që ndoshta nuk i rrinë mirë këtij moment gjithëfestiv, ndonëse jo pa arsye më zgjojnë kureshtjen shumë gjëra që nuk kanë shkuar mirë dhe si duhet gjatë historisë sonë, dhe sidomos gjatë historisë sonë më të re.

Inatet personale të lidershipit tonë sikur na kanë përcjellur gjatë tërë historisë dhe kjo vërehet qartas edhe në interpretimin e historisë sonë si nga historianët ashtu edhe nga politikanët tanë, ku mohet shkojnë deri në ekstreme dhe na shfaqen heronjtë dhe anti-heronjtë, të merituarit dhe të pamerituarit e këtij përvjetori, ku me ngjyra të ndryshme mundohemi ta shfaqim koloritin tonë patriotik, sa majtas e sa djathtas, duke e koklavitur historinë tonë aq shumë, sa që opinionit i servohet një tabllo mjaft e zymtë se kush në të vërtetë qenkan heronjtë tanë dhe kush na qenkan tradhtarët tanë të vërtetë.

Çfarë nga historia jonë qenka objektive dhe çfarë na qenka subjektive në interpretimet e ndryshme që i jepen ngjarjeve të ndryshme, heroizmave dhe heronjve tanë në betejat tona të armatosura dhe ato politike. Na duhet punë dhe angazhim për ta hequr këtë lloj hipnoze të krijuar në opinionin tonë mbarëshqiptar rreth ndërtimit të historisë sonë në mënyrë sa më objektive, pa ngritur elozhe kur nuk ka nevojë, për të mos krijuar mite që krijojnë pseudoheronjë sot, të cilët do të mund të mohohen nesër.

Në tubimet e ndryshme për këtë përvjetor, shihen edhe shumë figura që dëshirojnë të fshihen pas Skenderbeut dhe Ismajl Qemajlit, pas Idriz Seferit e Hasan Prishtinës, pas Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit dhe figurave të tjera meritore për këtë ditë të madhe.

Për të mos e tepruar shumë me këtë lloj skepse që ngjanë ndoshta edhe në një pesimizëm të tepruar, unë desha ta ngris një çështje që më ka brengosur për një kohë të gjatë, dhe sidomos më është ngjallur këtyre ditëve, kur e shoh një lloj zgjimi kombëtar dhe patriotik më tepër në sensin deklarativ dhe të paraqitjes, se sa në rrafshin e veprave të mëdha që kemi për t`i shfaqur në përshkrimin e bëmave dhe të pabërave tona, ku kjo festë do të duhej të na gjente më të konsoliduar edhe politikisht, edhe ekonomikisht si në dy shtetet tona Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe gjendjen më të përmirësuar në trojet tjera etnike, që mund të them se janë edhe të ndërlidhura.

A po festojmë të gjithë bashkë dhe a po festojmë të gjithë me entuziazmin e njëjtë. A po i shijojmë frytet e Pavarësisë njëjtë, dhe si mund ta vlerësojmë sot gjithë këtë yrysh për të festuar, sikur ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona që na janë dhënë dhe presim që të hyjmë në analet e historisë sonë më të re si heronj, se të gjithë kemi kontribuar për këtë ditë në forma të ndryshme.

Mobi Casa

Por ndonëse atributin e heroit nuk do ta kenë fatin ta kenë të gjithë, së paku neve na mbetet ti dallojmë qartë meritat për të gjitha figurat tona dhe të mos lëmë aq shumë mjegull për brezat që vijnë, se çfarë u dashka për të lexuar ndërmjet rreshtave për të kuptuar historinë tonë të vërtetë. Kush po mundohet të ngritet politikisht, duke u fshehur prapa heronjve tanë, dhe cilët janë profiterët që kanë ditur ta shfrytëzojnë historinë për vete, për tu ngritur politikisht dhe për t’i shfrytëzuar të gjitha të mirat e pamerituara të sjellura nga kontributi i dëshmorëve dhe i popullit tonë për liri dhe pavarësi.

Edhe pse nuk do t’ia mohojmë të drejtën për të festuar çdo shqiptari në mënyrën e vet, dhe për ta shijuar lirinë dhe frytet e këtij përvjetori në mënyrën e vet, unë vetëm desha të ngris një problem që ekziston, dhe dita pas 28 Nëntorit nuk do të dëshiroja që të na gjejë kështu të paorganizuar dhe të pakonsoliduar, ku shteti amë Shqipëria po pengohet të integrohet në Bashkimin Evropian nga vet shqiptarët, ku Kosova si shtet nuk po përparon në ritmin e dëshiruar ekonomik dhe integrues për shkak të mosarritjes së një konsensusi gjithëkombëtar apo gjithëkosovar për ta drejtuar shtetin tonë drejt strukturave Euro-Atlantike, duke i arritur objektivat e kërkuara.

Derisa sa në aspektin deklarativ ne dalim se jemi duke ecur pozitivisht, e vërteta praktike del se varfëria ekstreme në Kosovë po rritet, dhe shkalla e papunësisë gjithashtu, dhe këtu del se Festa jonë e përbashkët dhe Liria jonë nuk e ka kuptimin e njëjtë për të gjithë, dhe nga kjo mënyrë festimi nuk duhet të dehemi aq sa mos t`i shohim të metat tona, dhe ti pranojmë heshturazi, kurse ato të arritura t`i ngrisim aq lartë, pa i përmendur dështimet.

Liria nuk mund ta ketë kuptimin e njëjtë për ata që thonë ‘edhe Ne jemi Kosovë’ dhe ata që janë bërë milionerë brenda natës, apo kanë përfituar privilegje të tjera të pamerituara duke e përjashtuar pjesën tjetër që mos të ketë të drejtë të festojë njëjtë, sepse sofra e tyre është e thatë, dhe festa për ta nuk ka ndonjë kuptim.

Fatkeqësisht kjo nuk është një kategori për tu neglizhuar, por është një masë e madhe në përqindje, dhe derisa kjo të na rëndojë si komb, ne nuk do të mund t’i arrijmë as objektivat e tjerë ekonomikë dhe politikë. Ndonëse në këtë rrafsh shteti amë Shqipëria duket se ka ecur pak më mirë në konsolidimin e shtetit, Kosova ka ngecur shumë dhe ka dështuar në shumë aspekte, si në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar ashtu edhe në ndërtimin e një strategjie funksionale ekonomike me qëllim që numri i të papunëve të ishte sa më i vogël, pakënaqësitë sociale sa më të vogla dhe perspektivat zhvillimore sa më të dukshme. Andaj besoj se kam të drejtë të jem skeptik i matur se nuk i kemi kryer detyrat tona si duhet dhe dita pas 28 Nëntorit të mos na gjej edhe më të zhgënjyer.

Unë, pra vetëm dua që të mos keqkuptohem, dëshiroj t’ua uroj Festën të gjithë shqiptarëve, që ta duan Shqipërinë ashtu si duhet, me vepra të mira, me të arritura si në aspektin individual, akademik e shkencor, ashtu edhe uroj që shtetet tona të forcohen dhe t`i gëzojmë frytet të gjithë pa dallim.

Që kjo të bëhet realitet besoj se duhet edhe shumë punë për tu bërë, përkushtim dhe angazhim sa më i sinqertë, vullnet dhe dije profesionale për ti quar objektivat tonë madhorë drejt konsolidimit tonë drejt mirëqenies dhe integrimeve gjithëkombëtare dhe Euro-Atlantike.