Çitaku: Raportet me SHBA-në varen edhe nga kush udhëheq institucionet e Kosovës
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk varen vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës. Për këtë, ajo ka bërë thirrje që bartësit e institucioneve të Kosovës dhe eksponentët e lartë politik të kenë gjuhën shumë më të kalibruar, pas zgjedhjeve të fundit në ShBA ku Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Amerikës.
Çitaku ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet që të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit diplomatik në Washington, i cili sipas saj është lënë me dy-tre diplomat.
Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump, por një gjë të tillë e quan të mundur “vetëm nëse Kosova është pro aktive dhe në Washington imponohet si zgjidhje, jo si problem”.
“Zgjedhjet në SHBA përcillen me shumë kuriozitet në mbarë globin, kjo për shkak të relevancës politike ushtarake, ekonomike të SHBA-së dhe është e natyrshme që njerëzit të kenë preferenca për kandidatët në garë. Megjithatë, bartësit e institucioneve të Kosovës, eksponentë e lartë politik duhet ta kenë gjuhën shumë më të kalibruar. Ne duhet që të jemi shumë më të kujdesshëm, një administratë e re e presidentit Trump, sigurisht që do të rishikoj listën e prioriteteve. Është e rëndësishme që Kosova, institucionet e Kosovës, të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit tonë diplomatik në Washington, i cili është lënë me dy tre diplomat. Duhet të trokasim në çdo derë, duhet të fuqizojmë raportet dhe të krijojmë miqësi të reja. Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump dhe një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse ne jemi pro aktiv dhe në Washington imponohemi si zgjidhje, jo si problem. Unë nuk i frikësohem asnjëherë Shtëpisë së Bardhë, nga Shtëpia e Bardhë, Kosovës gjithmonë i kanë ardhur vetëm lajme të mira”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se si administrata Republikane edhe ato Demokrate në SHBA, historikisht kanë qenë në mbështetje të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sipas saj, njohja e fundit ndaj Kosovës si dhe vendimi për ndryshimin e mandatit të FSK-së në ushtri, ka ardhur pikërisht në kohën e administratës së Presidentit Trump.
“Tradicionalisht në tri dekadat e fundit politka e jashtme amerikane në raport me Ballkanin perëndimor dhe me Kosovën në veçanti është karakterizuar nga konsistenca. Edhe administrata Republikane edhe ato Demokrate kanë qenë në mbështetje të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe orientimi i tyre strategjikë ka qenë identik, integrimi i kësaj pjese të Evropës në familjen euro-atlantike. Ajo çfarë ka dalluar ndonjëherë është nuanca, gjuha, tempoja dhe shpejtësia e implementimit të planeve apo projekteve. Në dekadën e fundit në fakt administrata kur është udhëhequr nga presidentet demokrat, po ashtu është karakterizuar me një koordinim më të ngushtë me partneret evropian. Tani kemi një presidencë të dytë të Trump. Ne duhet të kujtojmë që njohja e fundit Kosovës i ka ardhur pikërisht në kohën e administratës së Presidentit Trump, nga Izraeli. Si dhe vendimi për ndryshimin e mandatit të FSK-së në ushtri është bërë gjatë asaj periudhe. Raportet mes Kosovës dhe ShBA-së nuk diktohen vetëm nga kush është në Shtëpi të Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.
Çitaku është shprehur se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve patën arritur një nivel që nuk është parë më herët, sipas saj si shkak i “sjellëve të papërgjegjshme të kryeministrit Kurti”.
Ajo ka shtuar se në Kosovë duhet të përqendrohemi në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo si shprehet Çitaku “natyra e raporteve të Kosovës me SHBA-të e BE-në varet në masë të madhe edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës”.
“Në katër vitet e fundit në ShBA ka qenë Joe Biden, i cili deri në detaje është i familjarizuar me çështjen e Kosovës. Përkundër kësaj për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kryeministrit Kurti, të institucioneve të Kosovës, raportet mese Kosovës dhe SHBA-ve patën mbërri një nivel të cilin nuk e kemi parë më herët. Pra, ne në Kosovë duhet të përqendrohemi në zgjedhjet tona që i kemi me 9 shkurt sepse natyra e raporteve të Kosovës jo vetëm me SHBA-të, por edhe me BE-në varet në masë të madhe edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ajo.
“Raportin mesë Kosovës dhe SHBA-së nuk duhet që të reduktohet vetëm në çështjen e dialogut mesë Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet që të jetë shumë me aktive, shumë me insistuese që të sjell investitor amerikanë. Ju kujtoj që kjo qeveri, patë hequr dorë nga një projekt shumë i rëndësishëm ai i Gaz përçuesit i cili do të ndikonte besoj unë pozitivisht edhe në fuqizimin e raporteve mesë Kosovës dhe SHBA-ve”, ka thënë ajo. Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë.
Republikani Trump 78-vjeçar, ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë president.
Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald Trump ka qenë president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.EO