Çfarë projektesh përfitojë Gjilani nga buxheti i vitit 2020 sipas deputetes Valentina Bunjaku Rexhepi

Gjilan – Të gjitha amendamentet u bënë me iniciativën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Hazirin, duke i njohur më për së afërmi problemet lokale, u përpiluan e u dorëzuan nga ne, si dhe u nënshkruan e u mbështetën edhe nga kolegët deputetë, Fatmir Rexhepi dhe Lirije Kajtazi, si dhe morën përkrahjen edhe të deputetëve të tjerë të LDK-së ka thënë deputetja Valentina Bunjaku Rexhepi.
Postimi i plotë i deputetes Valentina Bunjaku Rexhepi
Të nderuar qytetarë të Gjilanit, u votua buxheti për vitin 2020 nën pandeminë e koronavirusit dhe me nxitim të arsyeshëm. Ndonëse pak kohë, ne paraqitëm 5 amendamente vetëm për projektet e Gjilanit si:
1. Rregullimi i shtratit të Lumit Stanishorka, në vlerë prej 500 mijë eurosh, dhe ky amendament u përkrah vetëm me 300 mijë euro, por ishte arritje e rëndësishme pas angazhimit tonë;
2. Rregullimi i shtratit të Lumit Zhegër, 300 mijë euro;
3. Rrugët e qytetit të Gjilanit prej 800 mijë eurosh;
4. Infrastruktura në Pogragjë prej 395 mijë eurosh;
5. Shtrati i Lumit Përlepnicë, prej 345 mijë eurosh.
Poashtu, në fjalën time në Kuvend, kërkuam rritjen e buxhetit për ndërtimin e Kampusit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, për pensionin e parakohshëm të mësimdhënësve me probleme shëndetësore, për zbatimin e Ligjit të pezulluar për Paga, për rritjen e buxhetit mbi projektin e rregullimit të Lumit Mirusha, për shkollën në Livoç të Poshtëm të futet në këtë vit buxhetor, për sistemin e ujit të pijshëm etj.
Të gjitha amendamentet u bënë me iniciativën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Hazirin, duke i njohur më për së afërmi problemet lokale, u përpiluan e u dorëzuan nga ne, si dhe u nënshkruan e u mbështetën edhe nga kolegët deputetë, Fatmir Rexhepi dhe Lirije Kajtazi, si dhe morën përkrahjen edhe të deputetëve të tjerë të LDK-së.
Prandaj, gjithmonë do të jem zë i qytetarëve të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit! Edhe projektet që nuk u futën si pjesë e buxhetit 2020, do të përpiqemi sa herë të na jepet mundësia, t’i shtyjmë përpara.
Pavarësisht se Kosova është një zonë zgjedhore, praktikisht deputetët janë edhe përfaqësues të qytetarëve nga komunat prej nga vijnë, duke e njohur më mirë me gamën e gjerë të problemeve të atyre zonave, pa harruar asnjëherë interesin shtetëror dhe zhvillimin balancues të krejt komunave dhe rajoneve të Kosovës. Mbi të gjitha, është nga Kosova ka shkruar Bunjaku./rajonipress/