UBT

Çfarë duhet të hani për të shkrirë kilogramët në mënyrë të suksesshme

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nuk është e vërtetë që yndyrat janë të këqija, të paktën jo të gjitha. Madje-madje, me përzgjedhjen e zgjuar të ushqimeve që përmbajnë yndyra do të shpejtoni rrugën drejt linjës së hollë. Yndyrat në ushqim janë të rrethuara me një varg paragjykimesh.

“Zakonisht konsiderojmë që yndyrat në ushqim janë njëjtë si edhe shtresat e yndyrshme në ije. Ndërsa kjo me të vërtetë nuk është e njëjtë. Trupi ynë ka nevojë për disa materie yndyrore”, komenton nutricionistja dhe autorja e librit për ushqim, Bonnie Taub-Dix. Me konsumimin e sasive të duhura të yndyrave të zgjedhura mirë nuk do të arrini vetëm që ushqimi juaj të mos ketë shijen e stiroporit, por kështu do të humbni edhe dekagramët e tepërt (po, mirë e keni lexuar).

Yndyrat mund të jenë të shëndetshme

Arsyeja kryesore pse yndyrat kanë reputacion të keq është sepse i marrim nga burimet e këqija siç janë versionet e ndryshme të ushqimit të shpejtë. Po ashtu, edhe fakti që shumica e pëlqen shijen e yndyrave, prandaj është edhe më vështirë të rezistohet. Në kohën e ushqimit tradicional, “të shtëpisë”, ka qenë e vështirë të teprohet me kaloritë, por me stilin e ri të jetës duhet të blejmë ushqime të cilat na e mbushin stomakun në shpejtësi: yndyrat, me nëntë kalori për gram (nëse e krahasojmë me katër kalori për gram, sa kanë karbohidratet dhe proteinat), janë mënyra më e shpejtë që të mbushemi me karburant për aktivitetet jetësore.

Përveç kësaj, yndyrat fusin përbërës të rëndësishëm ushqyes në trupin tonë. “Vitaminat siç janë A, D, E dhe K shpesh i quajmë shkrirës të yndyrave, sepse ato duhet të lidhen me yndyra për t’i absorbuar”, shpjegon Taub-Dix. Prandaj është mirë ta bëjmë sallatën me dressing me pak kalori -kështu do t’i fitojmë vlerat më të larta të vitaminave nga bimët, ndërsa njëkohësisht do të krijojmë bazën e cila më vonë do të na lirojë nga sulmet për të ngrënë ndonjë messhujtë.

“Sekreti i dietës së suksesshme është të gjendet kënaqësia për stomakun tuaj, që të mos mendoni për ushqimin gjatë tërë ditës”, tha Bonnie Taub-Dix. “Hulumtimet thonë që ushqimi me yndyra të shëndetshme, siç janë avokado dhe frutat arrore, treten më gjatë duke e zgjatur kështu ndjenjën e ngopjes”.

Gënjeshtra low fat

Fundamenti

Në fund të shekullit të kaluar ka zënë fill teoria nutricioniste që eliminimi i plotë i yndyrave nga ushqimi i zgjidh të gjitha problemet. Kjo më së shumti ka qenë e pranishme në Amerikë, ndërsa prej aty arrin edhe mohimi bindës i efikasitetit të saj: derisa në vitin 2000 amerikanët kanë konsumuar më pak yndyra se sa në fillim të viteve 70, numri i kalorive të cilat femrat i kanë konsumuar në ditë megjithatë është rritur për 300! Arsyeja është shumë e thjeshtë – në mungesë të yndyrave, në kërkim të energjisë u kthehemi sheqernave. “Mesazhi i doktrinës “low fat” ka qenë që mjafton të shmangen yndyrat dhe kështu të mos mendohet më për kaloritë”, komenton Taub-Dix.

Duke i përjashtuar të gjithë yndyrat, hiqni dorë edhe nga ato që mund t’ju ndihmojnë në arritjen e linjës vitale. Sigurisht, të gjitha studimet tregojnë që yndyrat mono-të ngopura (si ato që gjenden në frutat arrore) janë të dobishme për organizmin tonë dhe vendimtare në parandalimin e depozitimit të shtresave të yndyrshme në trupin tonë. Sepse poenta e qëndrimit ndaj yndyrave është që vazhdimisht duhet ta kemi parasysh se nga vijnë. Kombinimi adekuat i yndyrave dhe karbohidrateve në shujtën e njëjtë do të rregullojë sheqerin tuaj në gjak dhe do t’ju shpëtojë që gjatë sulmeve të urisë të fusni në gojë çips.

Megjithatë, me yndyra gjithmonë duhet ta mbani dorën nën fre. Të jeni të disiplinuar me kaloritë, shpërndajini përgjatë gjithë ditës. Në mëngjes lyeni tostin me gjalpë kikiriku, për drekë sallatë me vaj ulliri, ndërsa për krizat e sulmeve të urisë mbani afër lajthi ose bademe.

Ushqimet që duhet shmangur

Përkundër të gjitha yndyrave të pranueshme, ka edhe prej atyre që duhet të kryqëzohen tërësisht: armiku kryesor janë yndyrat të cilat i kanë prodhuar njerëzit, të cilat rrisin nivelin e kolesterinës së keqe dhe zvogëlojnë nivelin e asaj të mirë. Për dallim nga yndyrat e tjera të pangopura, të cilat janë të mira për organizmin tonë, këto janë prodhuar me procesin e njohur me emrin hidrogjenim. Thënë thjesht, kontribuojnë që ushqimet të zgjasin më shumë. Për shembull, ndonjë lloj biskote mund të ketë yndyra të hidrogjenuara, ose pjesërisht të hidrogjenuara, për t’u zgjatur afati i tyre.

Si të dimë se cili produkt i përmban – kjo kërkon shkathtësi edhe kujdes. Ndonjëherë nuk janë në etiketat kur janë të pranishme në sasi të vogla (më pak se 0,5 gram), por ato megjithatë janë aty. Prandaj rekomandohet të shmangen produktet të cilat përmbajnë çfarëdo varianti të vajit të hidrogjenuar. Dhe në fund ia vlen t’i kushtoni kujdes madhësisë së porcionit. Madje edhe kur në ushqim keni vetëm yndyra të dobishme, kjo nuk do të thotë që mund t’i konsumoni në sasi të pakufizuara. Sepse yndyrat në çfarëdo forme kanë dyfish më shumë kalori se karbohidratet.

“Shpesh ndodh që njerëzit të zgjedhin ushqime të mira, por për së tepërmi”, përfundon Taub-Dix. Vaji i ullirit është i pari në listën e zezë të klientëve të saj: një filxhan përmban rreth dy mijë kalori, dhe derisa e derdhim në sallatë ose perime, rrallë mendojmë që jemi duke bërë diçka që na dëmton.