UBT

Çerdhja e turrecit dhe çadrat e opozitës

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ismail Syla – Ata që ngritin çadra në kryeqytet, përballë institucioneve qendrore, më e preferuar është që t’i ngritin në komunat ku i kanë humbur zgjedhjet në mënyrë drastike.

Në ditëlindjen e tetë të shtetit të Kosovës secili njeri e kishte druajtjen se mos po ndodhte ndonjë veprim që do t’i hidhte hije kësaj date shumë të rëndësishme të historisë sonë të re. Mos do të kishte rrëshqitje përtej kufijve të festës dhe protestës.

Megjithatë fryma e qytetarisë edhe në një turmë protestuese nuk lejoi që dita më e madhe e Kosovës të përgjakej dhe të fitonte dykuptimësi, lavdi dhe turp. Dhe sa herë të vinte 17 shkurti të përzihej kremtja dhe e përzishmja.

Ngadhënjim i racionales mbi marrëzinë pothuajse shumë të afërt, bëri që të mos përmbushej profecia e zezë.

Polici dhe protestuesi, prifti dhe gazetarja

Dy gjëra, jashtë kontekstit të rëndë politik, më lanë përshtypje gjatë dy ditëve me radhë. Më 17 shkurt, gazetarja e Radio Dugagjinit, Dona Lluka – Gashi postoi në FB një foto nga sheshi Nënë Tereza, ku dy personazhe ishin afër njëri tjetrit.

Vëllai dhe burri. Burri protestues potencial në orën 14 dhe vëllai polic, i cili do të kujdesej tërë ditën për ruajtjen e rendit. Ajo raportuese midis dyve, motra dhe bashkëshortja.

Ndoshta ky postim tregon më së miri dukurinë e paradokseve të shoqërisë sonë, dilemën dhe unitetin e të kundërtave nëpër të cilat po kalon aktualisht Kosova.

Një ditë më vonë , më 18 shkurt krerët e bashkësive fetare të Kosovës kishin pasur drekë tradicionale për të dëshmuar se harmonia fetare e qytetarisë shqiptare të Kosovës është vlerë e qëndrueshme.

Në prononcimin për medie më la shije të mirë ipeshkvi Dodë Gjergji, i cili dha deklaratë të shëndetshme për pushtetin dhe opozitën. Të dominojë fryma e paqes, dialogut dhe arsyes: të mos tregohet as fuqia e pushtetit as forca e popullit.

Dhe aq më mirë, në suazat e modestisë dhe moralit fetar, ai tha se nuk paraqitet si faktor që mund të ndërhyjë midis opozitës dhe pushtetit, por tha se përfaqësuesit e njërës dhe palës tjetër mund t’i ftojë në një drekë të përbashkët.

Morali i gjithë kësaj: Kosova ka nevojë për fjalën e mirë. Por…

Shija e hidhur në fund të ditës dhe Ditët e Arbërit

Nëse pajtohemi se bota shqiptare kurrë nuk ka qenë me më pak shtrëngesa, atëherë nuk ka si të mos ndjehemi të indinjuar nga disa veprime të përditshme, të cilat na lënë shijen e hidhur në fund të ditës.

Jashtë shtrëngesave ideologjike, diktatoriale, moniste etj. është Shqipëria aktuale, Shqipëria e këtij çerek shekulli, por ka shumë gjëra që nuk i shkojnë mirë. Të mjaftueshme për ta mbyllur fundin e ditës me shije jo të mirë.

Jashtë shtrëngesave të së kaluarës është Kosova, jashtë një shtypjeje të rëndë, jashtëzakonisht të rëndë, por ka shumë e shumë gjëra që të bëjnë të kesh shijen e hidhur në fund të ditës.

Të gjitha këto shije prodhohen në një kohë kur nuk mund të thuhet se nuk kanë ardhur Ditët e Arbrit. Jo të një Arbërie imagjinare ilire – dardane, por të Arbërie normale, aq sa i ka shpëtuar dhëmbit të historisë si Shqipëri dhe Kosovë.

Por në këtë botë shqiptare ka një defekt të brendshëm, vështirë të korrigjueshëm si një shtysë e verbët që nxjerr krye si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Gërryerja e brendshme, kontestimi i njëri tjetrit, psikologjia e inatit.

Mobi Casa

A mos tërë kjo është pasojë e një jete nën robëri sa dy jetë korbi, nën sundimin e Perandorisë turke dhe një shekull të tërë nën sundimin e Serbisë. Shumë çka është topitur për një kohë të gjatë si ndjenjë si mendim, si ide.

Përse shqiptarët e talentuar qenë të mirë në administrim në shtete e perandori të huaja, e ndërkaq, në shtetin e tyre, në Shqipëri me pavarësi mbi njëqind vjeçe nuk arrijnë të krijojnë një shtet të qëndrueshëm me institucione të forta?

Si në Shqipëri ashtu në Kosovë ky stabilitet dhe fuqia e institucioneve janë në gjendje të tillë, të mjaftueshme për të lënë shijen e hidhur në fund të ditës. A mos edhe kjo mund të shpjegohet më së miri me çerdhen e një shpendi?

Institucionet që i krijuan shqiptarët në Ditët e tyre të Arbrit (ushtri, siguri, inteligjencë) ngjajnë me çerdhen e turrecit, atij shpendi i cili thuhet se e bën çerdhen me tri fije krande.

Dhe këto institucione se vërtet janë të brishta tregon më së miri përditshmëria jonë ku hija e rëndë e shtetit (jo funksionimi me logjikën e diktaturës), serioziteti i tij ende nuk reflekton prej institucioneve, dhe në relacion kolateral me këtë mosseriozitet është edhe qëndrimi i qytetarëve ndaj tyre, institucioneve.

Kampi i çadrave përballë institucioneve

A nuk ta le shijen e hidhur në fund të ditës lideri i një lëvizje politike ose deputetja e një aleance kur tallen me gjyqtaren shqiptare, krekosen, mbufaten, shesin poza dhe mend para saj me krenarinë boshe e prepotente?

A nuk është tallje me institucionin e policisë kur deputeti e identifikon policin në fytyrë, me emër e mbiemër, për t’ia dhënë mesazhin ndal ta shoh fytyrën dhe kush je ti që mundohesh të më ndalosh mua, ish komandantin ish luftëtarin?

A nuk është tallje me institucionet përballë të cilave ngrihen çadrat për ta penguar zgjedhjen e kryetarit të Republikës, një njeriu me prejardhje të qartë politike dhe kombëtare në krye të këtij institucioni?

A do të ngriheshin me çadra të tilla po qe se do të zgjidhej një president me prejardhje politike dhe mendësi jugosllave, të tregonin kaq vendosmëri të egër, kaq gatishmëri e vullnet sa tregojnë për ta penguar kryeministrin e Pavarësisë, z. Hashim Thaçi?

Apo thënë ndryshe sa shpejt dhe sa herët në kohën historike shqiptarët do të çliroheshin nga sundimi serb, po ta kishin këtë shkallë inati dhe këtë ndjenjë intensive kundër sundimit serb të Kosovës, si e kanë kundër Thaçit?

A nuk ta lë shijen e hidhur në fund të ditës ngritja e çadrave përballë institucioneve qendrore të Kosovës, duke të kujtuar lloj çadrash, që nga ato të fiseve nomade, deri tek ato të ndonjë sheiku që dhe në metropole evropiane ngrinte e çadrat për kuaj dhe deve?

Këto çadra më kujtuan paralelisht rrethimin e Krujës (1450) jo atë sipas Barletit, por sipas Kadaresë, ku ai e ngriti në metaforë gjuajtjet e gjyleve të topit në muret e kështjellës me kafshimin e shkabës në mëlçinë e Prometeut të lidhur në shkëmbinjtë e Kaukazit.

Pastaj m’u kujtuan të gjitha gjuajtjet e opozitës: vezët, shishet gazi…

Përfytyrimi tjetër më erdhi nga çadrat para parlamentit të Malit të Zi. Ngjyrat e çadrave. Llafet që bëhen prej sonte, ndjenja e solidarizimit të protestuesve dhe krijimi i mikroklimës sociale. Ardhja e ditëve, melankolia kur do t’i kujtojnë ditët dhe orët e çadrave…

Morali përfundimtar: Ata që ngritin çadra në kryeqytet, përballë institucioneve qendrore, më e preferuar është që t’i ngritin në komunat ku i kanë humbur zgjedhjet në mënyrë drastike.

Kryeqyteti, megjithatë është vend i disa vlerave më elitare, për të cilat duhet më shumë respekt, për dallim nga lokalitetet prej nga vijnë disa nga liderët minorë.