Cenohet zyra e Vetëvendosjes në lagjen “Arbëria”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Të premten në lagjen “Arbëria” të Gjilanit, zyra e Qendrës së Lëvizjes VV nga aktivistët dhe anëtarët e kësaj pike është gjetur në gjendje jo të zakonshme, është shëmtuar me gjuajtje vezësh. Persona të panjohur deri më tani kishin tentuar ta përdhosnin zyren dhe emrin e kandidatit të këtij subjekti politik.

Kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit nga Lëvizja VV, Ismajl Kurteshi, me këtë rast ka deklaruar se përpjekja për ta cenuar integritetin fizik të zyres së Lëvizjes VV nuk mund ta dobëson vullnetin e qytetarëve të Gjilanit për të sjellë ndryshime pozitive në Gjilan.

Kurteshi këto veprime i konsideron si të papërgjegjshme, pasi që vezët do të duhej drejtuar ndaj të keqes që vjen prej lartë-poshtë, përkatësisht Qeverisë, por jo zyres e cila përfaqëson opozitën më aktive në Gjilan, që përgjatë gjithë këtyre viteve, ka denoncuar korrupsionin, nepotizmin dhe keqqeverisjen lokale në komunë.

“Në qytet e fshatra, duhet garantuar e drejta që qytetarët të bëhen bashkë, me bashkimin e idealeve, vizioneve dhe ideve të tyre mbi shoqërinë, kombin dhe shtetin. Për shumë qytetarë si vend i kthimit të shpresës është Lëvizja VV me zyrat e saj që tani gjendet në shumë pjesë të qytetit dhe në fshatra. Vëmendja dhe zgjedhjet nuk mund të fitohen duke penguar të tjerët. Të gjitha subjektet duhet të dalin me ide dhe programe konkrete për Gjilanin dhe kjo është çfarë kemi bërë dhe po bëjmë aktualisht ne. Presim edhe hetimet e policisë së rajonit të Gjilanit dhe të kuptojmë vërtetë kujt i ka penguar objekti jonë i shfrytëzimit për ndryshimin e komunës në interes të publikut’ – ka dhënë qëndrimin e tij rreth këtij rasti, Kurteshi.

Mobi Casa

Avni Rudaku, nënkryetar i Qendrës, ka thënë se sikur zyrja të ishte vetëm me vezë, do të mund të kuptohej edhe si një mahi adoleshentësh, pasi që ka individë që veprimet simbolike protestuese nuk i lexon metaforikisht si pakënaqësi, por i lexon vetëm si shikues i veprimit konkret. Do të mund të thoja se këto veprime edhe do të mund të shiheshin si veprim për të vënë të qeshura publike ngase ka momente kur shokët e shoqet bëjnë mahi duke na thënë: a ka ma frikë naj vezë a jo?!”

Mirëpo, ka shtuar Rudaku, pasi që ka pasur tendencë që të ‘ofendohet’ direkt emri i kandidatit të Qendrës në Gjilan, Ismajl Kurteshit, njeriut të identifikuar madje edhe nga rivalët, si “njeri i drejtë”, këtu mund të ketë edhe tentim-provokim të organizuar politik për të errësuar frymën demokratike garuese për të parin e qytetit, dhe jo vetëm thjesht mahi nxënësish apo kryeneçësh të rinj.

Ardian Azemi, kryetar i pikës në lagjen “Arbëria” tha se, “këto veprime ende nuk dihet kur dhe nga kush janë kryer pasi që ne kur hapëm sot zyren, e pamë në gjendje jo siç e kishim lënë. Me këtë rast do të merret policia dhe shpresojmë që ai që pengon një të drejtë të ushtrimit të aktivitetit politik në kushte të demokracisë pluraliste, do të marrë dënimin meritor thuhet në komunikatën e VV dega në Gjilan./rajonipress/