Çelësi Evropë

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Nga Flaka Surroi:Problemi i veriut mund të zgjidhet pa komplikuar shumë, vetëm po të kishte vullnet dhe dëshirë në mesin e të fortëve të Evropës. Nuk duhet shumë filozofi për të kuptuar se edhe krenaria nacionaliste shkrihet porsa të hyjnë paratë në qarkullim.

Përfundoi edicioni XI i “DokuFestit” – faqebardhë, ani që pjesëmarrësit e ceremonisë përmbyllëse sa nuk u alivanosën nga të nxehtët, në sallën e paajrosur të Shtëpisë së Kulturës. Në një ceremoni (e cila ndodhi derisa temperatura e jashtme kishte tejkaluar 40 shkallës të Celsiusit) që nuk ishte për t’u lavdëruar për shkak të dukjes së shëmtuar të sallës dhe të zërimit katastrofal, u zgjodhën më të mirët, u ndanë kubëzat e Shadërvanit për kujtim dhe të gjithë u bënë dëshmitarë të injorimit të autoriteteve që krekosen aq shumë me suksesin e tjetërkujt: Prizreni mbeti pa rrymë shumë orë para se të niste ceremonia, kurse zërimi në sallë u sigurua falë agregatëve që organizatorëve ua huazuan fqinjët kafexhinj…

Është fat i mirë që si organizatorët ashtu edhe pjesëmarrësit kishin arsye të gëzoheshin me gjithë rrjedhën e Festivalit, e që mund ta merrnin punën me humor, ani që puna nuk meritoi asgjë tjetër pos hidhërimit. Ky është manifestimi më i rëndësishëm kulturor, më me nam ndërkombëtarisht që ka Kosova, dhe ka kësi trajtimi. Nuk kam dyshim se po të ishte ndarë ndonjë tender në ceremoninë përmbyllëse, me siguri se gjërat do të ishin krejt ndryshe.

Një ditë para mbylljes së Festivalit, gazeta dhe televizioni paraqitën rrëfimin për ryshfetin a reketin në vlerë prej 200 mijë eurosh që i kishte marrë një grup njerëzish në emër të Jasharëve për blerjen e 91 hektarëve tokë. E pabesueshme, lehtësia me të cilën numëroheshin paratë, thuajse po shikonim pjesën e parë të Kumbarës – thuajse ishim të vendosur në një qytezë të vockël siciliane, apo në Chicago te Al Capone, ku vetëm pritej kur do të nxirreshin armët e të qëroheshin hesapet ndërmjet numëruesve, sepse dikush dikujt do t’ia shkelte besën aty.

E pabesueshme që të identifikohemi me një strukturë të tillë kriminale, ku marrja e ryshfetit, a reketit, a tallit a quaje si të duash, është punë krejt normale – madje, madje edhe legjitime, për shkak se është forma e vetme të bëhesh me një pronë, së cilës ia ke mësyrë, i plotësove, s’i plotësove kushtet. Nëse ky është ryshfeti, reketi a talli për një copë prone – kush e di edhe sa parja paska shkuar për të gjitha pronat që janë shitur që kur kishte filluar së operuari Agjencia e Mirëbesimit. Po çfarë mirëbesimi është ky – nëse i gjithë privatizimi ka shkuar kështu (e duhet shikuar se kush krejt është bërë pronar i vërtetë i aseteve të shitura), atëherë kjo vetëm do të thotë se i gjithë procesi ka qenë i kriminalizuar që nga starti dhe se i ka të gjitha gjasat që si i tillë të përfundojë.

E pabesueshme, por njerëzit që nuk kanë pasur asgjë pas lufte, tash janë bërë milionerë; komandantë me shumë shtëpi e banesa që shihen, e kush e di sa tokë e prona të tjera që nuk i di kush; njerëz të afërt me të gjitha qeveritë që jetojnë një jetë të pasur dhe me lukse që i kanë ëndërruar duke shikuar filma atëherë kur kanë qenë askushi… ky është rezultati i të jetuarit në Kosovë pas luftës… një shtresë ekstremisht e pasur dhe shumica e popullsisë në varfëri ekstreme.

Dhe pikërisht krimi i organizuar dhe korrupsioni ishin temat parësore që iu çelën Jahjagës me rastin e vizitës së saj të fundit në Bruksel. Se nëse Kosova do që të bëhet me liberalizim vizash dhe nëse do që të përafrohet me Evropën, kjo është një nga detyrat urgjente me të cilën duhet të merret. E kjo është tashmë çështje urgjente qe 13 vjet, që është trajtuar nga turli task force, turli komiteti, turli komisioni, me turli strategjie, me turli ekipe prokurorësh dhe ndjekësish – dhe rezultati vazhdon të jetë i njëjti. Krimi dhe korrupsioni gufojnë, sepse janë degët më fitimprurëse të “ekonomisë” në Kosovë dhe se nuk ka kush t’i ndalë, sepse funksionojnë si rrjet shumë mirë i organizuar që ka nën kontroll ekzekutuesit, hetuesit, ndjekësit, dënuesit, mbikëqyrësit. Dhe përderisa e gjithë kjo strukturë e ka edhe përkrahjen politike, për të mos thënë se bërthamën e ka aty, fundin do ta ketë përtej dritës së tunelit të gjatë, i cili është e pamundur të kalohet, sepse madje mund të kushtojë me jetë.

Jahjaga do të mund të kthehet e të mbajë sa të dojë mbledhje të Këshillit kombëtar kundër korrupsionit – për kot, sepse nuk do të mbërrijë asgjë me to, pos që do t’i shërbejnë për të raportuar në Kuvend për të dëshmuar se sa ka qenë aktive gjatë vitit. Rezultatet janë një gjë e parëndësishme dhe, siç po shihet, irrelevante. Dhe tash, pas përkufizimit të dëshirës së popullit të cilën e ka bërë Gjykata Kushtetuese: “I gjithë populli i Kosovës pret që ajo të jetë presidentja e tyre gjatë pesë vjetëve të ardhme. Kështu që, shkurtimi i mandatit të saj, siç propozohet me amendamentin 10, e privon popullin e Kosovës nga përfaqësuesi i tyre legjitim dhe garantuesi në një kohë më të hershme seç besonin dhe shpresonin” — Jahjaga do të mund të vazhdojë të mbajë mbledhje edhe për katër vjet të tjerë.

Me të lexuar kësi argumentimi të Kushtetueses nuk gjej shumë bazë juridike pos interpretimit të vullnetit të shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të popullit në Kuvend. Pra, shikuar nga ky kënd, faji se përse do ta kemi për kryetare të vendit gruan që as emrin nuk dinë t’ia shqiptojnë në Bruksel (një gafë e Van Rompuyit jo bash e lehtë për t’u përpirë) është e Kuvendit që ia votoi mandatin pesëvjeçar, në bazë të marrëveshjes politike PDK-LDK-AKR, të zarfit famëkeq, dhe kalkulimeve të gabueshme të të gjithëve, e më së shumti të LDK-së. E bajshim me shnet – pos nëse politikanët e gjejnë një formulë për ta zbritur nga froni, me mocion shkarkimi apo me ia pru punën aq pisk sa ta detyrojnë të japë dorëheqje.

RCCOLA

E tash, qëndrimi i saj në këtë post do të varet shumë nga kalkulimet e tjera që lidhen për trysninë që po e ushtron momentalisht Evropa, nëpërmjet veprimit të kryetarit të Këshillit të BE-së, Van Rompuy, dhe kryetarit të Komisionit Evropian, Durao Barroso. Ata i thanë Jahjagës se Kosova duhet t’ia nisë bisedimeve me Beogradin për veriun dhe se kjo është punë që nuk pret – për hir të stabilitetit të rajonit. Jahjaga, as mish as peshk, nuk iu tha as po as jo – por la të kuptohet se do të kishte diçka, ngase “veriu nuk do të mund të bëhej as me status special e as me autonomi”.

E tash, nëse interesi i këtyre zyrtarëve evropianë, të ndikuar shumë nga vlerësimet që i bëjnë shërbyesit civilë si Robert Cooper, që na ka kënaqur fare, është të ndihmohet Serbia drejt anëtarësimit më të shpejtë – atëherë do t’i interesonte ta kishte Jahjagën në krye të Kosovës, për shkak të kapacitetit të saj shumë të kufizuar politik. Po qe se trysnia mbi Thaçin, nga ana tjetër, do të jetë e madhe në drejtim të nisjes së bisedimeve edhe për veriun, atij gjithsesi i konvenon ta mbajë Jahjagën aty, që ta ndajë përgjegjësinë me të, si dhe me partnerin e ardhshëm qeverisës.

Natyrisht se zgjidhja më e mirë për Thaçin do të ishte që ta rrëzonte Jahjagën e që vetë t’ia zinte vendin me mandat pesëvjeçar, ende pa kaluar amendamentet kushtetuese. Barrën do t’ia hidhte ekzekutivit të ri, kurse ai do të shërbente si “faktor unifikues i vendit”. Duke shëtitur, mundësisht. Por, realisht, e ka vështirë t’i sigurojë madje 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar në rundin e tretë, pos nëse votimin e imponon Ambasada amerikane, ashtu siç bëri me Ligjin për ndërmarrjet publike, kur të gjithë ata që kundërshtuan u bindën se duhej votuar (pos, natyrisht, Vetëvendosjes).

Pra, po qe se shantazhi ndaj AAK-së me Ramushin dhe trysnia ndaj të tjerëve do të ishte e fuqishme nga, në rend të parë, amerikanët, mbase do të vinim në situatë kur do të kishim qeveri të krahut të luftës (tashmë të paralajmëruar prej javësh) me Haradinajn kryeministër dhe Thaçin kryetar dhe me një qeveri të përbërë prej militantëve më të afërt partiakë të njërit dhe të tjetrit. Që të dy kompozicionet partiake me hije të rënda korrupsioni që nga Qeveria e parë e vitit 2001-2004 (kur e kishin edhe LDK-në në ekip); e dyta 2004-2007 (ku AAK-ja dominonte, e as LDK-ja nuk mbeste prapa me skandale), e treta 2007-2010 (me PDK-në bajraktare dhe LDK-në hiç më pak të përlyer në allishverishe financiare), dhe kjo e tashmja (PDK me një mori partish të vogla me sherre të mëdha). E gjithë kjo, me supozimin se Haradinajn do ta lirojë Haga si të pafajshëm me dëshmi apo me mungesë provash.

E mira e së mirës në këtë muhabet është se po të punohej me mend dhe pa nguti për t’u futur në kombinime negociatore, për të dëshmuar kooperativitet dhe gatishmëri për t’i përmbushur premtimet parazgjedhore, Kosova do të duhej të ngulte këmbë dhe të luste që Evropa ta ndihmonte në arritjen e stabilizimit të situatës në territorin e vet, duke ushtruar trysni të fuqishme mbi Qeverinë e Serbisë. Pra, siç e kemi thënë aq herë deri tash, çelësi i zgjidhjes së situatës në veri të Kosovës është te Evropa dhe quhet trysni politike dhe ekonomike.

Kosova nuk është në pozitë – nuk ka as mend, as kapacitet e as guxim të bëjë diçka më radikale në veri. U pa çfarë ndodhi para një viti — barrikadat na mbetën jadec. EULEX-i nuk e ka këtë mandat dhe nuk do ta lëvizë as gishtin më të vogël, posaçërisht nëse nuk bëhet pjesë e Kushtetutës (e nuk do të duhej), kurse KFOR-i nuk do të donte të shkaktonte konflikt – pse do të duhej, mjaft ka bërë me çlirimin tonë dhe me sigurinë qe 13 vjet.

Por fakti është se përfaqësuesi i Evropës, që njëkohësisht ka qenë edhe shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, nuk ia ka dalë as ta afrojë, e lëre më të zbatojë Planin e Ahtisaarin në veri, dhe tash e përmbyll misionin e vet të mbikëqyrjes, duke na i lënë këmbët e arushës. Situata është edhe më zi se ç’kishte qenë para katër vjetësh dhe, sinqerisht, mundësia e vetme për ta zgjidhur këtë punë paqësisht është nëse Evropa ndalet dhe i thotë Serbisë: E do anëtarësimin në BE? Do mjete për zhvillimin ekonomik? Do që të avancosh me hapa më të shpejtë se të tjerët? Atëherë, urdhëro hiqi trupat e tu policore nga veriu; ndale financimin ilegal të strukturave paralele; urdhëro heqjen e barrikadave; ndaloje furnizimin e njerëzve të fortë atje me derivate dhe armë; udhëzoji njerëzit që të qetësohen dhe të bëhen pjesë e institucioneve – ashtu që të uleni të bisedoni me Kosovën për modalitetet e zbatimit të Planit të Ahtisaarit në veri dhe në territoret e banuara me serbë.

Negociatat eventuale për modalitetet e zbatimit të Ahtisaarit në veri atëherë vërtet do të ishin teknike, për shkak se tashmë ekzistojnë një varg ligjesh që janë përpiluar për këtë qëllim. Përfundimisht, këtu roli i Evropës do të ishte kyç, por assesi me ndërmjetësimin dhe “lehtësimin” nga dikush si Cooperi, që duket se të vetmen gjë që ka parë si në Serbi ashtu edhe në Kosovë janë ndërtesat qeveritare – pra kjo është njohuria e tij praktike e realitetit. Është besoj lehtë të gjenden diplomatë që kanë shërbyer në rajon para dhe pas luftës, e që janë neutralë, e që, çka është më me rëndësi, janë të dijshëm për realitetin që jetohet dhe e dinë se ky problem ka zgjidhje të lehtë vetëm po të ishte qasja evropiane e vendosur.

Mbase do të duhej ta mendonin pak zyrtarët evropianë – Kosova e zgjidhur në këtë formë do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për Evropën, që nuk është shquar shumë për nga sukseset diplomatike atëherë ku nuk ka pasur përfshirje amerikane. Këtu, me pak përkrahje amerikane do të arrihej shumë, vetëm po të kishte vullnet dhe dëshirë në mesin e të fortëve të Evropës. Nuk duhet shumë filozofi për të kuptuar se edhe krenaria nacionaliste shkrihet porsa të hyjnë paratë në qarkullim.