RCCOLA

Çeku: Forcat e Armatosura, në koordinim me NATO-n

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka thënë se i gjithë procesi i rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë ka qenë i mbikëqyrur nga ekipi këshillues i NATO-s, duke shtuar se organizata më e fuqishme ushtarake në botë është e njoftuar me të gjithë hapat e institucioneve të Kosovës.

Ai ka deklaruar për “Epokën e re”, se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është në raporte shumë të ngushta ditore me NATO-n.

Sipas tij, as NATO-ja dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk janë të befasuara për paralajmërimin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. “Jemi në marrëdhënie shumë të ngushta ditore me NATO-n, përkatësisht KFOR-in. Në ministri e kemi ekipin këshillues të NATO-s, po ashtu edhe në FSK e kemi ekipin ndërlidhës këshillues të NATO-s. Pra, kemi takime të rregullta me KFOR-in dhe me autoritetet e NATO-s dhe në çdo takim është biseduar kjo çështje. Kështu që, kjo çështje nuk i bie NATO-s si befasi”, është shprehur ai.

Madje Çeku ka vlerësuar se edhe përgjigjja zyrtare e NATO-s që u është dhënë disa medieve tregon se vendimi për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura është autonom dhe i takon Kosovës. “Një nga mediet ka shkruar se ka një përgjigje zyrtare të NATO-s, që thotë se NATO është në dijeni për këtë qëllim të Qeverisë së Kosovës dhe se ky vendim është autonom dhe çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës”, ka theksuar Çeku.

UBT

Ministri është shprehur i bindur se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është vetëm në interes të Republikës së Kosovës, por edhe të NATO-s, sepse forcat paqeruajtëse të KFOR-it nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë. Sipas tij, edhe në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ngadalë institucionet vendore duhet t’i marrin kompetencat.

Duke folur për ngritjen e forcës së re, ai është shprehur se ky do të jetë një proces i ngadalshëm, pasi do të duhen doktrina, trajnime dhe pajisje të reja. “Kjo do të marrë pak kohë. Do t’i rekomandojmë Qeverisë se si kjo të bëhet në faza të ndryshme në përputhje edhe me mundësinë buxhetore të Kosovës. Nuk bëhet asgjë shpejt, sepse duhen pajisje të reja, trajnime të reja dhe doktrina të reja. Kështu që, merr kohë. Por, fillimi i ndërtimit të kësaj force pritet të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Çeku.

Ministri Çeku ka bërë me dije se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë çdo armë dhe pajisje të nevojshme për mbrojtje të tërësisë territoriale, duke shtuar se kjo forcë do të jetë e barabartë me të gjitha forcat e rajonit. “Do të kemi çdo gjë që është e nevojshme për ta kryer misionin tonë. Edhe për nga numri dhe nga armatimi do t’i kemi ato që janë të nevojshme. Pra, do të kemi forcë të armatosur normale për mundësitë e Kosovës, njëkohësisht të ofrojmë siguri për Kosovën dhe qytetarët e saj”, është shprehur Çeku.

Në manifestimin qendror për 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai pati deklaruar se forca e re do të jetë e gatshme dhe e aftë t’i mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ndërsa ekspertët ushtarakë kanë vlerësuar se Kosovës i duhet një forcë e armatosur fleksibile, e cila do të ishte e aftë t’u përgjigjet sulmeve të çastit. /Telegrafi/