Buxhet i Qeverisë – jo i Kosovës!

Nga Arbana Xharra – Kosovën e pret një vit me krizë edhe më të madhe financiare, buxheti i miratuar për vitin 2013, fut shtetin në borxhe. Ky buxhet nuk e ka prioritet zhvillimin e vendit, investimin në prodhim, as uljen e papunësisë, investimin në sistemin arsimor apo rregullimin e kushteve në sektorin e shëndetësisë.
Buxheti i vitit të ardhshëm ka koncentrim kryekëput harxhues, dhe nga linjat buxhetore shihen qartë politikat e ndarjes së saj, që në fokus ka sigurimin e kontinuitetit të luksit shpenzues qeveritar. Buxheti ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, me një deficit prej 163 milionë eurosh, i cili në rast se dështon të mbulohet mund ta sjellë vendin në situatë likuiditeti.
Ky deficit i cili në planifikim nuk ka qëllim zhvillimin ekonomik por është komoditet i shpenzimeve enorme të palogjikshme ekonomikisht, planifikohet të mbulohet nga të hyrat financiare të pasigurta; shitja e PTK-së dhe nga borxhi i brendshëm, ndonëse ende Kosova nuk ka ndërtuar tregun e letrave me vlerë.
Por, çfarë nëse nuk realizohen këto të hyra që të mbulojnë këtë deficit mbi 160 milionësh? Kosova financiarisht është e varur nga të hyrat doganore mbi 900 milionë euro, dhe të hyrat e brendshme prej mbi 300 milionë derisa vetëm në paga mallra dhe shërbime do të shpenzohen 660 milionë euro më shumë sesa që janë investimet kapitale të të gjithë vendit. Përkundër kritikave të ashpra të FMN-së, Qeveria ka vazhduar me të veten duke rritur shpenzimet në ato shpenzime ku është sugjeruar që të mos ketë rritje.
Buxheti është paraparë që të ketë të hyra prej 1 miliard e 423 milionë euro kurse shpenzimet 1 miliard e 586 milionë euro. Vetëm në autostradë Morinë-Merdar, do të shkojë 40 për qind e vlerës së përgjithshme të investimeve kapitale prej 621 milionë eurosh, kurse mbi 29 milionë nga kjo shumë shkojnë për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit.
Një orientim pak më ndryshe është parë për vitin e ardhshëm sa i përket ndërtimit të rrugëve e që në listë me prioritet janë ato të rajonit të Dukagjinit. Por, ndarjet prioritetet e saj tregojnë se ky buxhet nuk ka të bëjë as për së afërmi me ndikimin apo synimin për rritjen ekonomike të vendit. Shpenzimet nuk janë planifikuar bazuar në të hyrat e sigurta, dhe nëse dështojnë në mbulimin e deficitit, atëherë hapi i parë që mund të ndërmerret janë rritja e tatimeve duke u thirrur lehtë në TVSH-në e rajonit.
Mungesa e investimeve të huaja, ku vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi pasur 100 milionë euro më pak investime nga jashtë, jep shenja negative të uljes së papunësisë, të dhënat tregojnë se nga mbi 325 mijë, sa janë të regjistruar si të papunë, këtë vit kanë arritur që të punësohen vetëm mbi 6 mijë veta.
Ndërkohë që rritja e inflacionit në vazhdimësi, mungesa e investimit në prodhimin e brendshëm, me të gjithë treguesit negativë, japin shenja për një vit të ardhshëm me krizë edhe më të madhe ekonomike sesa ky që po lëmë pas. Edhe përkundër rrethanave degraduese zhvillimore të Kosovës, të dhëna të sakta për rrezikun e futjes në borxhe të mëdha të Kosovës, Qeveria e Kosovës deklaroi se, “vitin e ardhshëm Kosova do të ketë norma të rritjes ekonomike ndër më të lartat në rajon, 4.5 për qind”. Gënjeshtër kjo e përvitshme!