Mobi Casa

Buxhet i ngecjes

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi- Normat e rritjes së buxhetit për vitin 2013 mezi arrijnë nivelin e inflacionit, ndërsa 86 për qind e shpenzimeve kapitale të nivelin qendror destinohen në projektet vijuese. Pra, asgjë të re nuk paraqet ky dokument. Pos ruajtjes së status quo-s.

Nuk ka asnjë dyshim rreth miratimit të projektbuxheti për vitin 2013. Numrat nuk do të prishen për shkak të vërejtjeve që i bëhen këtij dokumenti. Madje, edhe përmbajtja e tij mund të pësojë vetëm ndonjë ndryshim kozmetik, meqenëse ndryshimet më të thella do të prishin matematikën që ka bërë Qeveria e Kosovës.

Por, ky dokument nuk do të sjellë asnjë të re, kur është në pyetje zhvillimi ekonomik i vendit. Ai ruan një strukturë shpenzimesh të ngurtësuar tanimë sa e sa vite, ndërsa normat e rritjes mezi mbulojnë shkalline e inflacionit. Nga kjo del qartë se edhe rritjet do të jenë nominale.

Të hyrat në një total mbi 1,4 miliardë euro janë vetëm 2,8 për qind më të larta se ato që parashihen të arkëtohen gjatë këtij viti. Ndërkaq, shpenzimet rriten 4 për qind. Kur kemi parasysh se inflacioni në tetor ishte 3,8 për qind, atëherë është e qartë se sa janë reale rritjet e parashikuara. Sado që dokumentet përcjellëse të buxhetit parashohin se inflacioni gjatë vitit 2013 do të ketë normën mesatare vjetore 1,3 për qind, ndërsa gjatë periudhës 2014-2015 – 1,9 për qind, kjo fare nuk varet nga vullneti apo nga mekanizmat që mund t’i fusë në veprim ekzekutivi i vendit.

Për më keq, asaj i mungojnë këta mekanizma, pasi që inflacioni vjen me importin, kurse zhvillimi i brendshëm është stihik dhe vështirë i parashikueshëm.

Si ngritja e çmimeve shkon edhe përtej parashikimeve makroekonomike tregon qartë fakti se në vitin 2011 norma mesatare vjetore e tij ishte 7,3 për qind, ndërsa parashihej të sillje rreth 3 për qind. Si element tjetër shkurajues në fushën e inflacionit janë zhvillimet në tregun global, posaçërisht kur është në pyetje ushqimi dhe karburantet, të cilat përbëjnë mbi 40 për qind të importit të përgjithshëm që bën vendi. Ndonëse në tetor është shënuar një rënie e lehtë e ushqimit, ky nuk është indikacion se ky treg ka hyrë në ujëra të qeta. Në korrik indeksi i çmimeve të ushqimit ishte 6 për qind më i lartë se një vit më parë, ndërsa në rrafshin afatgjatë nuk pritet rënie e madhe për shkak të kushteve të rënda klimatike që mbretërojnë në vendet prodhuese të mëdha të ushqimit.

Çmimi i karburanteve vazhdon të lëkundet, por kurrsesi nuk po arrin të stabilizohet nën 100 dollarë për një barel. Kështu do të vazhdojë edhe gjatë për shkake se rajoni me vendburime më të mëdha të karburanteve mbetet tejet i tendosur dhe pa perspektivë të qartë.

Mobi Casa

Janë këto vetëm disa prej elementeve që forcojnë besimin se parashikimet për inflacionin në vend më shumë janë aproksimative apo shprehje e dëshirës, e kurrsesi një variant real, i cili mund të futet nën kontroll përmes politikave qeveritare.

Nga ana tjetër, inflacioni i pakontrolluar godet shtresën më të mbrojtur të shoqërisë, përkatësisht atë më të hyra të limituara, përkatësisht që figurojnë në skemat sociale të qeverisë. Subvencionet dhe transferet prej 299 milionë eurosh kryesisht janë të destinuara për mbulimin pensioneve dhe të skemës sociale. Kjo shumë është vetëm tre për qind më e lartë se ndarjet e parapara në vitit 2012. Kjo normë nuk premton rritje apo ndërhyrje me qëllim të zbutjes-përmirësimit të kushteve për jetesë të kësaj kategorie.

Ndërkaq, rritja e pagave në një total 6 për qind më shumë i referohet rritjes së numrit të të punësuarve në shërbimet publike sesa korrigjimit të tyre, së paku deri në normën e inflacionit. “Kredia” për rritjen e pagave është shpenzuar me fillimin e mandatit të kësaj qeverie.

Pika më delikate mbeten shpenzimet kapitale. Aty shkojnë rreth 40 për qind të totalit të shpenzimeve buxhetore. Një investim kaq i madh – 621 milionë euro, nuk do të ishte aspak i dëmshëm, po që se do të kishte një strukturë më të volitshme. Fakti se 86 për qind e shpenzimeve kapitale të nivelit qendror shkojnë në projekte të filluara më herët, tregon qartë se ky buxhet nuk ka vizion, por paraqet vetëm vazhdimësi dhe rrumbullakim të disa proceseve të filluara më herët. E këtu sërish vjen infrastruktura që merr gjysmën e shpenzimeve kapitale, kurse vetëm autostradat do të gëlltisin jo më pak se 248 milionë euro, pa llogaritur koston e shpronësimeve.

Do të ishte krejtësisht në rregull, sikur për shkak të fokusimit në infrastrukturë të mos margjinalizoheshin fushat e tjera me rëndësi vitale për popullatën e vendit. Si shembull po përmendim se bujqësia merr vetëm 1,4 për qind të shumës totale të buxhetit, shëndetësia – 6,7 për qind, arsimi – 2,8 për qind, etj. Ndërkaq, në këto degë gjendja është shqetësuese, meqenëse përkrahja e fermerëve, përkatësisht e prodhimit të ushqimit, mbetet nënë mëshirën e donacioneve, pastaj ndërtimi i objekteve të shumta shkollore nuk ndikoi në ngritjen e cilësisë së arsimit, meqenëse paratë u shpenzuan vetëm për tulla e hekur, e jo edhe për modernizimin – kompjuterizimin e shkollave, ndërkaq në shëndetësi vazhdon pakënaqësia e personelit shëndetësor, ndërsa pacientët vetë duhet të përkujdesen për sigurimin e ilaçeve.

Prandaj, fokusimi në infrastrukturë nuk ka sjellë rritjen e pritur ekonomike, e as përmirësimin e cilësisë së jetës. Por, Qeveria e Kosovës e ka vështirë të gjejë zgjidhje të tjera, meqenëse ajo është peng e shpenzimeve të kontraktuara shumë më herët. Madje, sivjet ka rrezik të gjendet në zgrip për ruajtjen e stabilitetit të buxhetit, meqenëse raporti mes hyrjeve dhe shpenzimeve rezulton me një deficit prej 181 milionë eurosh. E vetmja mundësi për mbulimin e tij është shitja e pasurisë kombëtare, prej nga në mot duhet të sigurohen 326 milionë euro. Mirëpo, kjo e hyrë e njëhershme planifikohet qe tri vite me radhë, por që nuk po realizohet. Për fat të mirë edhe pa këto të hyra nuk është paraqitur ndonjë tronditje e madhe në buxhet, por bilanci i tij vazhdimisht ka pasur rënie. Ndërsa në mot, pa këto para, nuk duhet pritur qëndrueshmëri të buxhetit. Ose, duhet hyrë në borxhe, kthimi i të cilave mund të jetë ngarkesë për vitet e tjera.