Bunjaku: Të luajmë si me Haitin

Në anën tjetër, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku tha se skuadra e tij i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ndeshje dhe shpreson që do të arrij një rezultat pozitiv.
“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe jam shumë i lumtur që do të luajmë në Prishtinë, ku shpresoj që do të kemi një paraqitje të mirë sikurse kundër Haitit. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për zhvillimin tonë dhe një kundërshtarë i tillë i fortë është një mundësi shumë e mirë për ta bërë një gjë të tillë”, tha Bunjaku.
Ai në fund e falënderoi Omanin për këtë mundësi dhe pranoi se është shumë e vështirë për të ndërtuar kombëtare. “Ne jemi ekip i ri me vetëm tri ndeshje të zhvilluara, ndërsa disa nga lojtarët e Omanit kanë mbi 100 ndeshje me kombëtaren. Në tri ndeshjet e para kemi luajtur kundër kombëtareve shumë të forta, nuk është e lehtë të ndërtosh një ekip, prandaj për momentin për ne me rëndësi është ky proces dhe falë kësaj pastaj do vijnë edhe fitoret”, tha në fund përzgjedhësi Bunjaku.
Omani ndodhet në vendin e 69-të të renditjes së FIFA-s.