Bunjaku: Jo buxhetit 2025, që e vonon Stadiumin e Gjilanit edhe 3 vjet …
Gjilan – Si deputete e LDK-së dhe që vij nga Rajoni i Gjilanit, do t’i jap disa arsye pse nuk e votoj PROJEKTLIGJIN MBI NDARJET BUXHETORE PËR BUXHETIN E REPUBLIKЁS SЁ KOSOVЁS PЁR VITIN 2025:
- Në Buxhetin për vitin 2025 nga Qeveria e Kurtit në shkuarje në shtëpi më 9 shkurt 2025, për Renovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan, në vitin 2025, janë planifikuar vetëm 2 milionë euro, në vitin 2026, 6 milionë, ndërsa në vitin 2027, 7 milionë.
- Si mund ta lejoj unë si deputete nga Gjilani, që stadiumi i stërzvarritur për shumë vjet, të shkojë deri në vitin 2027 e të mos përfundojë edhe për tri vjet?!
- Ndërtimi i kampusit të Universitetit Kadri Zeka në Gjilan, me buxhet të ndarë që nuk ndërtohet as edhe një depo e një kompanie private, e lëre më një kampus universitar, ku janë ndarë vetëm 100 mijë euro në vitin 2025, 200 mijë në vitin 2026, e 500 mijë në vitin 2027. Pra, edhe pak buxhet, edhe deri në vitin 2027, të mos përfundojë kampusi i Universitetit të Gjilanit, si mund ta votoj një buxhet të tillë?!
- Projekti i zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan dhe Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave në Gjian, me zero buxhet në vitin 2025, zero buxhet në vitin 2026, e tek në vitin 2027, planifikohen 7 milionë e 700 mijë euro. Ndërsa në një kolonë tjetër buxhetore me emërtimin: Projekti i zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan dhe Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave në Gjian, ndahen vetëm 2 milionë e 450 mijë euro në vitin 2025, ndërsa vetëm në vitin 2026, 9 milionë e 350 mijë euro.
- Rruga Nacionale Prishtinë-Gjilan-Konqul, është premtuar nga Albin Kurti, se do të përfundonte në vitin 2023, ndërsa me buxhetin 2025, nuk do të përfundojë as në vitin 2027. Janë planifikuar për autostradën e Gjilanit, vetëm 20 milionë euro në vitin 2025, 30 milionë në vitin 2026, 30 milionë në vitin 2027. Pra, edhe është ndarë pak buxhet, sepse është rrugë malore dhe e vështirë, edhe nuk është planifikuar buxheti që të përfundojë autostrada sa më herët nga zvarritja e papranueshme për shumë vjet.
- Krijimi i hapësirave të gjelbërta dhe rregullimi i platos në Lumin Mirusha në Gjilan, me buxhet vetëm 60 mijë euro në vitin 2025, 100 mijë në vitin 2026, e 300 mijë në vitin 2027. Pra, edhe Lumi Mirusha, të stërzvarritet deri në vitin 2027, si deputete e Gjilanit, nuk e pranoj kurrsesi.
- Mungesa e finalizimit të sheshit të ri të qytetit, projekti më madhor i qytetit të Gjilanit, i kryer nga qeverisja e Lutfi Hazirit, është problem që duhet zgjidhur urgjentisht. Me Buxhetin 2025, nuk përfundon as vitin tjetër. Mungesa edhe e rregullimit të ujërave të zeza në fund të sheshit të ri, ka shkaktuar dëme për Gjilanin, pasi investimi qindra e mijëra euro në rregullimin me kubëza të sheshit për dalje në Zabel, deri te Mishtorja “Malësia”, duke kundërmuar ujërat e zeza, e të mos përfundojë as në vitin 2025. Pse nuk ka përfunduar ky shesh, duke mos e ndërlidhur me shëtitoren përreth me kubëzat e bëra nga taksapaguesit tanë?! Pse nuk është mirëmbajtur e prerë bari e janë dëmtuar kubëzat e shëtitores deri te mishtorja “Malësia”?! Pse nuk është investuar në finalizim, duke mos lënë kundërmimin si rrezik për shëndetin publik të qytetarëve tanë?! Duhet urgjentisht të ndërhyhet e të përfundohet, pasi po shkon dëm buxheti i Kosovës, po shkatërrohet krejt shëtitorja me kubëza anash lumit.
- Hyrje-daljet Gjilan-Prishtinë. Si është e mundshme projekti infrastrukturor i hyrje-daljeve Gjilan-Prishtinë, të mos përfundojë edhe pas një kohe aq të gjatë të qeverisjes nga Alban Hyseni dhe Albin Kurti?! Kush merr përgjegjësinë për dëmet që po i shkaktohen bizneseve në rrugën e Prishtinës?! Kush merr përgjegjësinë për vështirësitë e shoferëve dhe banorëve e bizneseve në dy anët e rrugës së Prishtinës?! Sa shumë ka ndikuar kjo zvarritje në këto biznese dhe dëmet janë të pakthyeshme nga vonesat dhe zvarritjet e përfundimit të hyrje-daljes Gjilan-Prishtinë?! Sa shumë ka vështirësuar ecjen e këmbësorëve pa rregullimin e trotuareve?! Pse nuk është përfunduar sa më parë procesi i kanalizimit, rregullimit të shtyllave elektrike dhe asfaltimi në tërësi i hyrje-daljeve të rrugës Gjilan-Prishtinë?! Pse nuk është rregulluar ende rrethrrotullimi në hyrjen Gjilan-Prishtinë, që po shkakton aq shumë vështirësi për kyçje të mjeteve motorike, pasi është një nga kryqëzimet më të mbingarkuara të komunikacionit rrugor?!
- Duhet urgjentisht të kryhet projekti i hyrje-daljes në rrugën Gjilan-Prishtinë, por edhe të gjitha hyrje-daljeve të tjera, si zvarritja e tmerrshme Gjilan-Bujanoc.
Prandaj, qytetarë të Gjilanit dhe të Anamoravës, këto janë vetëm disa arsye, pse nuk e votoj projektligjin për buxhetin 2025, dhe nuk do ta votoj për hir të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe Anamoravës.
Në asnjë mënyrë!
Valentina Bunjaku-Rexhepi – Deputete e Kuvendit të Kosovës (LDK)