UBT

Bujqësinë do ta bëjmë sektorin më premtues

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Sektori i bujqësisë në të ardhmen do të jetë sektori më premtues, atraktiv dhe më i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu pohoi Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, në prezantimin e programit të masave mbështetëse për fermerët për vitin 2013, i cili në këtë vit arrin në rreth 27 milionë euro.

Stavileci i cili në detaje prezantoi programin për bujqësi për vitin 2013, tha se periudha e kaluar ka qenë një periudhë e errët për bujqësinë, pasi që fermerët dhe agrobizneset, është dashur që me forca te veta ta bëjnë pothuajse të pamundurën, për të ekzistuar.

Ndërkaq tani në dekadën e dytë të këtij shekulli, Stavileci thotë se po mundohen, që ta ristrukturojnë potencialin që kanë, për ta bërë bujqësinë, sektorin kryesor në zhvillimin ekonomik dhe profesionin e bujkut dhe agrobiznesin, si njërin prej sektorëve më atraktiv dhe më premtues, për të ardhmen.

“Tani jemi në dekadën e dytë të këtij shekulli, ku ne në këtë periudhë po mundohemi që ta ristrukturojmë potencialin që kemi. Në radhë të parë t’i motivojmë të gjithë brenda sektorit, ta kthejmë dinjitetin e bujqve dhe fermerëve dhe ta bëjmë sektorin e bujqësisë, sektorin kryesor dhe më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik dhe në të njëjtën kohë dhe profesionin e bujkut dhe bizneseve në këtë rast agrobiznesin, si njërin prej sektorëve më atraktiv dhe më premtues, për të ardhmen”, pohoi ai.

Stavileci, i cili foli për projektet të cilat MPBZhR ka nisur, një pjesë e cilave ka përfunduar vitin e kaluar, si themelimi i fondit garantues për kredi bujqësore dhe ndërtimin e qendrave të grumbullimit, këtë vit siç tha ai janë dhe dy projekte shumë të rëndësishme, ai i regjistrimit bujqësor, i cili përfundon në fund të këtij viti dhe tjetri që sapo ka filluar, për sigurimin e kulturave bujqësore.

Stavileci po ashtu tha se me projektet dhe përgatitjet që ministria që ai udhëheq po bënë, bujqësia në të ardhmen do ta ketë vendin që e meriton, aty ku do të duhej ta ishte shumë kohë më parë, si sektori numër një i zhvillimit ekonomik.

“Në këtë mënyrë, fundi i vitit 2014 dhe viti i parë i strategjisë së ardhshme 2014-2020, ne në fakt po rrumbullakojmë infrastrukturën e nevojshme bujqësore, sidomos atë informative që lidhet me të dhënat e regjistrave bujqësor, në mënyrë që gjysmën tjetër të kësaj dekade, nga viti 2015 edhe me këtë infrastrukturë dhe me buxhetin që do ta kemi, bujqësia të fillojë ta përjetojë një shpërthim, në mënyrë që t’i bëjmë përgatitjet që dekada e ardhshme prej vitit 2020 e tutje ta gjejë bujqësinë aty ku do të duhej, ta kishte vendin shumë më parë, si sektorin numër një të zhvillimit ekonomik të vendit tonë“, tha Stavileci.

Stavileci po ashtu foli dhe për potencialin që ka sektori i bujqësisë, duke pohuar se me investime të vogla, mund të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe realizimin e dy objektivat kryesore, që janë zëvendësimi i importit dhe ai i rritjes së të ardhurave për fermerët dhe agrobizneset tona.

Stavileci tha se MPBZHR ka përkrahur rreth 65 mijë fermerë që nga viti 2008, përmes skemës së granteve dhe subvencioneve në sektorin e drithërave, blegtorisë dhe hortikulturës.

Uji Dea

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe jo vetëm që i kanë shërbyer 65 mijë fermerëve, por dhe janë krijuar diku rreth 5 mijë vende pune.

Ndërsa fermerët dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, falënderuan ministrinë për përkrahjen e dhënë. Ata çmuan lartë përkrahjen e MBPZHR-së, duke pohuar se pa një përkrahje të tillë, nuk do të ishin aty ku janë sot.

Ekrem Bajrami, kryetar i Unionit të pemëtarëve të Kosovës, tha se viteve të fundit sektori i pemëtarisë ka pasur një përkrahje të madhe nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas tij, sektori i pemëtarisë në Kosovë është privatizuar, është një sistem i ri dhe një përkrahje e tillë është mëse e domosdoshme.

“Gjithsesi një fillim nga pikat e parë, pa një përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë dhe shoqatave të ndryshme të huaja dhe vendore, nuk do të ishte në gjendjen ku jemi sot. Ky bashkëpunim është mjaftë i mirë dhe se ministria po bënë punë të mirë, duke na përkrahur përmes subvencionimit dhe granteve për pemëtari, rrjetave sistemit të ujitjes, rrethojave dhe makinerisë tjetër, për prodhimin e futave dhe pemëve”, pohoi Bajrami.

Në Programin për Bujqësi dhe zhvillim rural 2013, objektivë kryesore mbetet përmirësimi i strukturës së fermave dhe rritja e produktivitetit, rritja e prodhimit dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore, rritja e aftësive konkurruese dhe prodhuese, rritja e punësimit dhe të ardhurave për fermerët dhe popullsisë rurale, si dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore.

Programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural për këtë vit është i mbështetur në dy shtylla kryesore atë të subvencioneve apo pagesave direkte dhe shtylla e dytë ajo që lidhet me masat.

Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë për këtë vit është 31.3 milion euro, 24.3 nga Ministria e Bujqësisë dhe 7 milion nga Banka Botërore dhe Danida. /kosovapress/