Fundamenti

BSPK-ja nuk pajtohet me LDK-në

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, i është kundërpërgjigjur Këshillit të Ekspertëve për Ekonomi të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili gjatë së mërkurës ka vlerësuar se Qeveria Thaçi po i mashtron sindikatat dhe punëtorët për pagën minimale.

Kryesindikalisti Arifi, në një prononcim për “Epokën e re”, ka thënë se BSPK-ja ka punuar me Qeverinë e Kosovës në mënyrë që paga minimale në Kosovë të jetë në koordinim me pjesëmarrësit, të cilët janë partnerë në Këshillin Ekonomiko-Social (KES). “Nuk është e vërtetë se jemi të mashtruar nga Qeveria dhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Nuk jemi lidhur me asgjë, me askënd e as me Qeverinë”, ka thënë ai.

Arifi ka shtuar se nuk dëshiron të merret më shumë me partitë politike, pasi kjo është një parafushatë dhe BSPK-ja nuk është e kyçur në asnjë aktivitet të partive politike.

Këshilli i Ekspertëve për Ekonomi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vlerësuar se Qeveria Thaçi po i mashtron sindikatat dhe punëtorët për pagën minimale. Nëpërmjet një komunikate për media LDK-ja ka vlerësuar se pa u konsultuar me partnerët socialë, Qeveria Thaçi e ka dërguar në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) një draft të udhëzimit administrativ për caktimin e pagës minimale. “Sipas këtij udhëzimi, paga minimale mund të rritet vetëm nëse inflacioni vjetor është më i lartë se 2 % dhe nëse ka ndryshim në kursin real të këmbimit. Nëpërmjet këtyre rregullave, Qeveria Thaçi tenton t’i mashtrojë sindikatat dhe punëtorët. Mashtrimi i parë është se në inflacion nuk përfshihen çmimet e transportit dhe të ushqimeve, të cilat marrin pjesën më të madhe të shpenzimeve të familjeve me të ardhura të ulëta”, është thënë në komunikatë.

Mobi Casa

Sipas LDK-së, mashtrimi i dytë konsiston në atë se nëse inflacioni është më i lartë se 2 për qind dhe ka ndryshim të kursit real të këmbimit, atëherë paga minimale do të rritet për aq sa janë rritur pagat në sektorin privat bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Këshilli i Ekspertëve për Ekonomi i LDK-së ka vlerësuar se këto rregulla nuk sigurojnë se paga minimale i përmbush nevojat elementare të familjeve. “Në këtë mënyrë, Qeveria Thaçi vetëm po e burokratizon përcaktimin e pagës minimale me qëllim të prolongimit dhe blerjes së qetësisë publike. Bazuar në këto rregulla, ndryshimi i pagës minimale do të jetë plotësisht joefektiv për t’i ruajtur interesat e atyre që punojnë me pagë minimale. Qeveria deklaron se paga minimale e rishikuar do të aplikohet në mënyrë retroaktive për periudhën 2012 dhe 2013. Ky është mashtrim pasi Qeveria nuk mund ta obligojë sektorin privat të paguajë paga retroaktive. Për më tepër, as vetë Qeveria nuk mund t’u paguajë paga retroaktive të punësuarve në sektorin publik”, ka vlerësuar LDK-ja.

LDK-ja nëpërmjet kësaj komunikate ka përkujtuar se Qeveria e Kosovës ua ka borxh të gjithë punëtorëve në sektorin publik pagat me rritje për muajt janar dhe shkurt të vitit 2011, pasi ata i kanë nënshkruar listat e pagave me rritje. “Në këtë drejtim, sindikatat duhet të jenë më aktive për t’i ruajtur interesat e punëtorëve”, ka përfunduar komunikata e LDK-së./Indeksonline/