Brovina: Vetëm PDK do ta kandidojë kryeparlamentarin!

Kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit, Flora Brovina, i ka thënë Televizionit Rrokum se në seancën e 12 shtatorit, Blloku LDK-AAK-NISMA nuk do të ketë mundësi ta kandidojë kryetarin e Kuvendit. Madje, sipas saj, kjo do të ishte shkelje e Kushtetutës.
“Bllok mundet me vazhdu planin e tyre ma vonë. Por, jo në seancën konstituive. Në bazë të përgjigjes së Kushtetueses dhe në bazë të rregullores, ata nuk kanë këtë mandat që ta zgjedhin. Tash për tash është e pamundur”, tha Brovina për Rrokum.
Por, më e vjetra e kësaj legjislature shprehet optimiste se në seancën e 12 shtatorit, do të zgjidhet kryetari i Kuvendit.
“Kërkoj që njerëzit, liderët, të mbledhin mendjen dhe të mos e shkelin Kushtetutën dhe rregulloren e punës”, tha ajo. “Nuk guxon me u përsërit seanca e 17 korrikut”.
Ndryshe, me 2 shtator, kryesuesja e kësaj seance, Flora Brovina, ftoi të gjitha partitë që përfaqësohen në Kuvend, që të marrin pjesë me 4 shtator në vendosjen e datës për vazhdimin e seancës kosntituive. Por, vetëm përfaqësuesit e PDK-së dhe të partive të komuniteteve morën pjesë, ku u përcaktuan për 12 shtatorin. /Rrokum/