FITORJA

Britanikët e braktisën Ali Pashën

/ 10 minuta lexim
FITORJA

Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanikë. Dr. Irakli Koçollari sjell në një libër dokumentet sekrete për Pashain e Janinës nga vitet 1807-1811.

Megjithëse kanë kaluar pothuajse dyqind vjet nga koha e vrasjes së Ali Pashës, hemogjemonit më të njohur të Epirit, të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, ai vijon të mbetet një figurë interesante, ku shumë studiues të huaj janë ndalur për ta hulumtuar. Kërkimet rreth tij janë të shumta dhe qëndrimet të ndryshme.

Në të gjitha këto kërkime shtrohet pyetja nëse ky personazh përfaqëson figurën e një despoti, tirani të pamëshirshëm, apo të një misionari, një vizionari, novatori, monarku që rebelohej për t’u arratisur nga e kaluara prej nga vinte, drejt një shoqërie që shfaqej në kufijtë perëndimorë të vilajetit të tij? Epoka në të cilën jetoi e bën më intriguese figurën e tij. Bonaparti kërkonte ndihmën e tij më 1797-n sapo trupat francezë zbritën në Korfuz.

Gjenerali i trupave të tij e quante “një Pasha largpamës…” Një personazh kyç i Ballkanit të atyre viteve, figura dhe roli i Ali Pashës, sa vjen e ndriçohet në çdo dokument të bërë publik. Dr. Irakli Koçollari ka qenë gjithnjë i tërhequr nga jeta e këtij veziri të madh. Çdo dokument apo çdo studim që lexonte rreth tij, i hapte të tjera për të kërkuar në jetën e Pashait. Pas librit “Policia sekrete e Ali Pashës”, ai sjell për lexuesin një tjetër botim, ku shpalosen marrëdhëniet diplomatike mes Britanisë dhe Ali Pashës. “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike”, përmban një mori dokumentesh sekrete, të cilat autori i ka gjetur pas një pune të gjatë në arkivat britanikë. Dokumentet që botohen për herë të parë, hedhin dritë mbi një projekt të Ali Pashës për një Shqipëri të madhe, ku përfshiheshin tri pashallëqe: ai i Beratit, Shkodrës, madje edhe me Sulejman Pashën e Seresit. “Nga këto dokumente zbulojmë se Ali Pasha ka pasur një projekt për një Shqipëri të pavarur dhe se britanikët e kanë ndihmuar atë me armatime, por në të njëjtën kohë mësojmë ta shohim Ali Pashën në një dimension krejt tjetër nga ai që kemi ditur deri tani për Ali Pashën”, thotë dr. Irakli Koçollari. Sipas dokumentacioneve, ka qenë Pashai i Janinës ai që trokiti i pari në dyert e vëmendjes britanike për t’u lidhur me aleanca me ta, duke parë fuqinë e Britanisë. Ai e dinte mirë se për çdo ndërmarrje të guximshme, politike të pavarur do të kishte domosdoshmërish nevojë për mbështetje dhe aleancën e një fuqie të huaj, për të përballuar reagimin e pritshëm të një fuqie të konsiderueshme ushtarake sikundër ishte Perandoria Osmane. Sipas dr. Koçollarit, nga të gjitha dokumentet e kohës Ali Pasha i qëndronte në mënyrë permanente dhe vendosmërisht idesë së shkëputjes prej perandorisë. Informacionet sekrete të ushtarakëve dhe misionarëve britanikë zbulojnë për herë të parë korrektësinë e Ali Pashës ndaj britanikëve.

Ajo çfarë bie në sy në tërësinë e këtyre dokumenteve është se nuk gjendet në asnjë rast ndonjë pakënaqësi ndaj tij. I tërë dokumentacioni dominohet nga vlerësimet dhe mirënjohja për të, në ato kohë tepër delikate për pozicionet që Anglia kishte përpara Portës së Lartë. Por, pavarësisht këtyre vlerësimeve, Britania largohet prej tij një ditë, ashtu siç Pashai e parandiente. Në konkluzionet e sundimit të tij për braktisjen e “Ali Pashës prej Britanisë së Madhe”, studiuesi britanik Xhon Begëlli, shkruan: “Në vitin 1822, Britania e Madhe ishte gati të mbështeste pavarësinë e tij (indipendencën e Ali Pashës), pasi Perandoria Osmane dukej se ndodhej në procesin e shpërbërjes; por kur një Sulltan më i fortë Mahmuti II, kishte parandaluar prishjen (e Turqisë), ishte në interesin e Anglisë të ruante integritetin e Turqisë kundër mësymjeve, ekspansionit të Rusisë”. Shenjat për braktisje Pashai i kishte parë më qartë në një moment tepër kritik, atëherë kur ai kishte vendosur të shpallte qëndresën e hapur kundër perandorisë, në mesin e vitit 1920.

Ndërsa Ali Pasha mbyllej në kështjellën e Janinës, për betejën finale, ai kishte gjykuar se Porta e Lartë do t’i trembej një kryengritjeje në Shqipëri e Greqi dhe se nuk do të guxonte të provonte ta mposhte atë me forcë. Në këto rrethana, Turqia do të detyrohej të hynte në bisedime dhe ai do t’i diktonte Kostandinopolit kushtet e Paqes dhe do t’i kërkonte Portës së Lartë të mbante dhe të qeveriste vetë Pashallëkun e Janinës, Epirin, Thesalinë e Morenë, si një zotërim dhe shtet të trashëgueshëm, plan që e ushqente prej kohësh. Duke gjykuar se mbështetja ushtarake ndaj Ali Pashës do të ishte qartas shpallje lufte ndaj vetë Perandorisë Osmane, britanikët nuk e morën këtë hap në favor të Pashait. Megjithatë, për të mos e lënë vetëm mikun e tyre, ata i dërguan një, nëse ai dëshironte të strehohej tek ata, në rast nevoje në zotërimet e tyre tek ishujt Jonianë, ose Itali. Aliu nuk pranoi asnjë nga ofertat e britanikëve. Ai hyri në luftë të përgjakshme dhe të tmerrshme kundër Portës në një rrethim brenda kështjellës së Janinës, e cila zgjati për tetëmbëdhjetë muaj, ndërkohë që u dha shpresa e nxiti lëvizjet për pavarësi të shqiptarëve, grekëve, malazezëve e më gjerë.

Një figurë pak e njohur dhe shumë e debatuar, por që zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë.

Nr. Arch. F.0.78/65

Për. Kapiten Leak

FIDANISHTJA

Pera, 11 tetor, 1809

Zotëri

E kam lexuar me shqetësim të madh atë pjesë të raportit tuaj informativ të datës 5 shtator, përmes të cilit ju më bënit me dije se Madhëria e tij, Ali Pasha, prirej të dyshonte se unë i kam dhënë këshilla Ministrave të Madhërisë së Tij (Qeverisë Osmane) të pafavorshme për propozimet e parashtruara në letrën tuaj të datës 20 prill, që ma dërgonit mua dhe për të cilën unë konkludoja se është e njëjtë me atë të dërguar nga ju në Qeverinë e Madhërisë së tij (Qeverinë Britanike-IK). Duke i shprehur keqardhjen, ju duhet të kini mirësinë ta siguroni Madhërinë e Tij (Vezirin e Janinës, Ali Pashën – IK), se dyshimet e tij janë krejt të pabaza.

Në korrespondencën time me ministrat e Madhërisë së Tij nuk ekziston qoftë edhe një folje e vetme, për aq sa varej nga mundësitë e mia, që të orientohej nga përpjekjet për të bllokuar (errësuar) sukseset e çdo paraqitjeje apo propozimi të bërë kohë pas kohe nga ana juaj. Vlerësimet tuaja kanë marrë konsideratat e nevojshme. Në të njëjtën kohë, pa pasur hezitimin më të vogël, mund t’i deklaroj miqësisht Madhërisë së Tij (Ali Pashës IK) se mua shumë herë më është paraqitur mundësia të përcjell dhe deklaroj përpara Portës, çështje për të cilat, sipas mendimit tim, lidheshin me vështirësitë specifike nën të cilat Britania e Madhe është duke punuar. Kështu, unë nuk do ta mendoja se është në pajtim me detyrën time të rekomandoj dhënien e ndihmave ndaj çdo kontingjenti të largët apo spekulativ apo për çdo qëllim tjetër, me përjashtim të rasteve kur ata aktivizohen drejtpërdrejt në veprimtari kundër armiqve të Madhërisë së Tij (Britanisë së Madhe – IK). Për sa i përket dominimit të influencës franceze në Divan, rrënjët e saj e kanë burimin te mbështetja e kundërt që jepet nga Austria dhe në konsideratat që përhapen nga këta mbështetës. Por ky nuk është justifikim për ata që qeverisin Portën e Lartë.

Ata e dinë fare mirë, janë të vetëdijshëm se Perandoria Osmane është një destinacion i shpallur për t’u shkatërruar prej Bonapartit, e për rrjedhim i gjithë ky nënshtrim i tyre ndaj atij, nuk do të frenojë ndarjen e Provincave brenda një ore. Unë e kam parë këtë disponibilitet të Qeverisë Osmane teksa ata qëndrojnë të përulur përpara Bonapartit, prandaj ju mund ta siguroni Madhërinë e Tij, nga ana ime, se unë as e kam lënë (Stambollin – IK) dhe as do ta lë ndonjëherë. Nuk do të arrijë frika të më imponojë të largohem prej vendit që unë kam (si diplomat britanik – IK) në Kostandinopojë. Fjalët që ka dëgjuar Hirësia e Tij, Ali Pasha, se unë po përgatitem të largohem nga vendi, janë krejt të pabaza. Ato janë orvatjet dhe përpjekjet e palodhura të armiqve të Madhërisë së Tij, (armiqve të Anglisë – IK) për të bërë të padurueshëm qëndrimin tim në këtë vend. Unë vërtet kam siguruar lejen nga Madhëria e Tij për t’u larguar nga Kostandinopoja, por kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur ta gjykoj unë të arsyeshme. Është gjithashtu e vërtetë se qëndrimi i Portës ndaj meje për çështjen e Dendrinos më ka ngarkuar mua me një shkallë pakënaqësie, një gjendje dhembjeje që kam dashur ta fsheh, gjendje kjo që në rrethana të tjera do të më kishte imponuar mua të shmangesha nga kjo situatë e përshkallëzuar kaq keq dhe të largohesha nga Kostandinopoja, por këto janë vetëm hamendësi dhe nuk kanë asnjë lidhje me informacionet që aludon nëpër raportet Madhëria e Tij (Aliu – IK). Unë e di se ato kanë qarkulluar mjaft dhe shpesh në territoret e Domeneve Osmane. Ju lutem, t’i përcillni Madhërisë së Tij (Ali Pashës) falënderimet e mia të sinqerta për vëmendjen e treguar në përmbushjen e dëshirave dhe nevojave të mia, duke i shkruar (duke ndërhyrë dhe shkruar – IK) Vezirit të Madh (Kryeministrit turk). Ju lutem, sigurojeni atë, se unë i konsideroj këto veprime të tij si një provë të qartë të miqësisë së tij ndaj Britanisë së Madhe dhe e shoh si një nxitje për të bashkëpunuar në të gjitha mënyrat për të ruajtur, garantuar dhe konsoliduar pushtetin e Tij.

Mbetem sinqerisht…

Nënshkruar

Robert Adais

(Ambasadori britanik në Stamboll).Marrë nga Express.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.