UBT

Braktisja e vendit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Shefik Shkodra – E dini, pas Marrëveshjes së Kumanovës në qershor 1999, se si u kthyen të gjithë shqiptarët në Kosovë, i madh e i vogël nga vendet fqinje, përkohësisht të vendosur nëpër kampe, të ndjekur nga ushtri e paramilitar serb nga trojet dhe shtëpitë e tyre. Vetëm një numër i paktë iku në vendet botës. Ata që mbetën atje, i shkolluan fëmijët, punuan dhe ende vazhdojnë jetën atje. Ikja në botën e jashtme ishte disa herë nga dhuna politike, por edhe nga skamja. Çdokush e di se një numër i bashkatdhetarëve tanë janë që moti në vende të ndryshme të botës. Kryesisht për çështje ekonomike.

Ikja për çështje sociale

Migrimi në mënyrë masovike është shqetësimi më i madh, sidomos migrimi i asaj pjese më vitale kombëtare, rinisë. Është si një plagë që infekton, përhapet e shkatërron organizmin e një shoqërie tërësisht. Nuk lë vend për qëndrim dhe për ngritje të shëndoshë vertikale. Dhe kjo te ne është pa kaherë, ata që kanë dashur ta shohin. Është thënë disa herë pandërprerë se, gjendja sociale është në zgrip.

Dhe kjo do të sjell kaos total. Këtë preventivë është dashur ta parashohë Qeveria dhe institucionet tjera të vendit dhe është dashur të planifikoj një strategji afatmesme. Ikja nga vendi, sikur pat ndodh do kohë në Shqipëri, ishte një tragjedi në vete. Kjo gjendje ishte në mënyrë permanente edhe në Kosovë, në kohën e një regjimi diktatorial. Largimi nga vendlindja, jo për qefe e “për luks” e as rehati individuale, si mund ta komentoj dikush, por nga zori e pa perspektivë ekonomike në radhë të parë, është një njollë dhe qortim i përgjithshëm e për të gjithë. Është shenjë e keqe dhe një inat i pa krahasueshëm me vendet përreth, gjithnjë duke pas parasysh, kthimin triumfal pas Marrëveshjes dhe hyrjes së NATO-s.

Evropianët dhe zyrtarët tanë

Braktisja e vendit vullnetarisht e të rinjve dhe shkuarja në rrugëtime pa cak, sjell kokëçarje edhe për të tjerët. Vendin duhet ta ndërtojnë vendorët, e ata janë rinia e atij mesi. Evropianët që kanë investuar në Kosovë dhe po insistojnë ta qetësojnë këtë popull në këtë vend, është dashur ta ndihmojnë në këtë drejtim pak më mirë e më herët. Kjo çështje ka qenë e njohur edhe për ata. Ekonomia me prodhimtari nga vendi dhe materializimi i veprimtarive shoqërore është bazë për ruajtjen dhe qeverisjen e shtetit. Evropianët, tash, po kërkojnë që të mos grumbullohen aq shumë njerëz në vendet e tyre. Përndryshe do t’i kthejnë dhunshëm që të gjithë. Zyrtarët tanë po interpretojnë qëndrimet e evropianëve.

Fundamenti

Dikush kërkon dhunshëm të mbahen brenda. Duhet “pritur edhe pak”, derisa të vendoset edhe për Kosovën ‘pa viza’ të udhëtohet, thuhet prej këtyre zyrtarëve. Ndërsa, për një decenie e më tepër nuk është arritur kurrfarë përqindje dhe indeksi real të veprimtarisë ekonomike e aq më pak në inkuadrimin e të rinjve.
Tash e kemi gjendjen si ‘delet në torishtë’. Vetëm sillen…apo më mirë të themi, kanë mbetur si “kojrrilat në mjegull”. Shtetet evropiane nuk do t’u japin azil qytetarëve shqiptar nga Kosova. Nuk kanë viza të Shengenit. E aq shumë kanë folur këta zyrtarët tanë për këto viza, ‘me sot e nesër’ dhe asgjë. Megjithatë, kujtoj që nuk është puna se, vizat do të na i shërojnë krejt plagët sociale. As përpjekja për ndjekjen e fajtorit jashtë realitetit të krijuar. Njerëzit e rinj kërkojnë punë dhe atë sipas profesionit, e tash për tash, punë s’ka as jashtë profesionit.

Pa mbështetje serioze

Konkurset janë bërë shumë formale, sepse inkuadrimi (shumë pak ka ku të inkuadrohet në sektorin publik, e edhe në atë privat) të shumtën bëhet me lidhje e korruptime. Sektori privat, gjithashtu absorbon shumë pak e edhe në këtë arrijnë familjarë të shumtën e me lidhje të ndryshme. Ata që punojnë në këtë sektor nuk kanë kurrfarë kontratash. Pagesa është minimale. Një njeri që kryen një fakultet dhe ushtrohet për profesionin e vet, nesër duhet ta llogarisin se, nëse mund të gjej vend-pune për kamerier a shërbyes tjetër për një pagë shumë të ulët. Edhe për një kohë relativisht të shkurtër, varësisht prej punëve sezonale, apo prej vullnetit të pronarit.

E drejta e punëtorit nuk përshkruhet askund juridikisht. Sindikatat janë pa ndonjë organizim të mjaftueshëm e për qëllime ekskluzive të të drejtës së punëtorëve. Nga kjo shoqatë, grupe të vogla të interesit përçahen dhe dalin para opinionit publik herë njëri e herë tjetri, duke pohuar secili për vetveten se është Kryesi e Shoqatës Sindikale për të drejtat e punëtorëve.

Kështu, për shtrembërime ligji në fushën e inkuadrimit nuk ka mbështetje adekuate.