Eko Higjiena

Bota krijuese e një poete gjilanase…

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Shahe Rama është poete e njohur nga Gjilani. Ajo kryesisht shkruan poezi për fëmijë. Ajo ka një botë jo vetëm interesante krijuese, por edhe joshëse për të gjithë fëmijët. Poetja është e tëra “poezi”, e cila poezinë e vjershëron lehtë dhe bukur. Pse jo? Gati në të gjitha veprat letrare të saja duket se ajo po hapëron guximshëm në hartimin e vargjeve të bukura arti.

Kjo e bën atë të jetë një “krijesë” e zellshme e kësaj gjinie letrare poetike. Poetika e saj është më tepër e botës fëmijërore. Ndonëse ajo nuk është mësuese e jetës, përkundrazi, ajo i do fëmijët, i do prindërit, por e do edhe syrin e nënës, bukën në sofër, bareshën e maleve, tik-takun e orës, festën e nënës, ditën e mësueses, balerinën, shtëpinë e pavarësisë, palaçon, djalin e mirë, Pin Pinokion etj.

Pra, poezia e saj është një zë i ëmbël i jetës së përditshme, e cila të magjeps dhe të bën për vete për ta adhuruar vargun e saj poetik. Por, kush e do këtë poezi? Dihet: të vegjlit janë ata që i gëzohen poezisë së bukur, të cilët, mezi presin t’i mësojnë shkronjat e Abecesë, që të futen në ëndrrat e jetës shkollore. Dhe, s’ka si t’mos adhurohet poezia e saj, e cila është një “tufë”e bukur vargjesh që tingëllojnë e kanë elemente edukative, të cilat vargje ia thonë “jehonës” së jetës së përditshme shkollore.

Veprën e saj “Hëna me shtatë yje”, Shahe Rama, poete gjilanase, e cila është botuar ditë më parë, është e ndarë në tri kaptina, si janë: “Dritare shpirti”, Ftesë për klasë të parë” dhe “Syri i pranverës”. Në pjesën e parë, autorja “këndon” me zërin e saj poetik, që janë poezi të “prekshme” të zemrës, të cilat kanë në vete dhembjen dhe dashurinë e njeriut tonë, ndërsa në pjesën e dytë, Sh. Rama, poete, ndalet tek frymëzimet e saja për Abetaren, për ftesën e Abetares, shkollën, për ditën e mësuesit, muajin shtator, muajin e gëzimeve të papërshkruara atë fëmijëve etj. Ja disa poezi të bukura të kësaj vepre: “Jam në klasë të parë, 7 Marsi, Feston Kosova, Shoqe Nita, Dembeli, Kur vranë poetin etj.

Edhe pjesa e tretë e kësaj vepre është mjaft joshëse me poezitë e thella poetike, të cilat shprehin botën e krijueses të saj, e cila, këto “sende” i sheh me syrin e pranverës apo me gazin e jetës. Nga kjo shohim se, poetja në mënyrë simbolike e ka shprehur dashurinë ndaj stinës më të bukur të vitit, pranverës, e cila stinë na sjell ngjyra të shumta jete, si hënën, detin, shiun, kohën e pjekjes së qershisë, pranverën si stinë, vjeshtën, shiun e vonë, dimërin, dordolecin, Vitin e Ri etj. Këto janë ato “mini” tema të frymëzime të saja në veprën “Hëna me shtatë yje”, vepër kjo që ngërthen në vete botën e saj frymëzuese e artistike.

E, poetja, Shahe Rama, këtë art të bukur e ka ushqim shpirti. Ajo jeton me vargje, strofa, rima, tema, por jeton edhe me fantazinë krijuese artistike. Kjo është bota e saj artistike poetike. Arti, në çdo formë të shprehur, nuk njeh kufi. Ky art i saj është i shkrirë për botën e fëmijëve. Ata ushqehen me artin e bukur, por edhe i gëzohen jetës. Pse jo? Arti i rrit dhe i madhëron fëmijët. Ja si ka shtuar Shahe Rama në poezinë e saj “Nënës sime”: “Ishe hënë me shtatë yje/ gjithmonë e plotë në zemër tona/ fjalët e tua – ngjyrë dashurie/ shkëndija të mëdha – mirësie” (f. 2).

FIDANISHTJA

Apo në poezinë “Syri i nënës” poetja shton: “Syri i nënës rrallë gabon/ ky sy i bukur të shpëton/ kur të harrojnë e kush s’të njeh/ syri i nënës, pas vete e ke” (f.7). Në poezinë “Baresha”, poetja i këndon qengjit të vogël, i cila figurë shpreh urtësinë dhe “mikun” më të mirë të fëmijëve. Ajo shton: “Qengji i vogël të përcjell/ be- be bënë një mijë herë/ me këtë qengji shpreh dëshirë/ që të bëjë një gjumë të mirë”.

Në veprën e Shahe Ramës, lexuesi i vogël “takon” edhe Skënderbeun, heroin e madh shqiptar. Ardhja e Skënderbeut në shehin e Prishtinës, sikur poetën e ka frymëzuar të hartojë poezinë me titull “Gjatë të pritëm”, ku ajo “këndon” me këto vargje të bukura artistike: “Shumë gjatë të pritëm/ Gjergjin tonë lavdiplotë/ Edhe lotët e gëzimit/ atë ditë Kosova s’i ndalonte dot”(f.16). Këtu fëmija mëson historinë e të parëve tanë. Mëson për trimat dhe luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi. Sepse, aty, ku qëndron krenar shtatorja e Skënderbeut, trimi i Arbërit, aty është edhe zemra e gjithë Shqipërisë, ku afër tij, krenar qëndron Zahir Pajaziti, trimi me fletë, por edhe Nënë Terezën, zonja vetë. Kjo tingëllon bukur dhe s’ka si mos të adhurohet e të “këndohet” nga të gjithë artdashësit e artit të bukur.

Poetja, Shahe Rama, poezi i ka kushtuar edhe poetit të njohur kosovar, Ymer Elshanit, të cilin e vranë. Ja si shton autorja: “Ylberi, s’doli si për inat/ hëna, buzëvarur ndriçonte/ nuk vdes peti – tha vargu i tij/ vetëm pak gjumë, ka vënë në sy” (f. 42). Edhe shumë poezi të tjera janë “rrëfime” poetike, të cilat janë të dala nga thellësia e shpirtit të autorës në fjalë.

Siç dihet, Shahe Rama është përkthyese e gjuhës angleze. Jo vetëm kjo. Ajo tashmë ka bërë emër jo vetëm me këtë vepër të fundit. Ajo gjer më tani ka botuar edhe vepra të tjera letrare, si janë: “Ngjyra ylberi”, (2004), ‘Unë nuk dua vetëm lodra” (2005). Vepra e saj e tretë dhe e fundit është “Hëna me shtatë yje” (2014). Këtë vepër e ka botuar ditë më parë Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan, 2014. Vepra ka 61 faqe. Kjo vepër shënon një ecje përpara të krijimtarisë së saj poetike.

Vepra në fjalë ngërthen në vete botën e brendshme intime të autores, e cila është munduar ta shprehë me anë të vargjeve poetike dashurinë e madhe ndaj fëmijëve në jetë./Tefik Selimi/rajonipress/