Borut Pahor s’ka më interesim për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, arsyet i bën publike në një letër
Borut Pahor, ish-president i Sllovenisë, nuk është më i interesuar që të marrë detyrën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai në një postim në “X” ka bërë me dije se nuk do të aplikojë për pozitën e shpallur nga Kryediplomatja e BE’së Kaja Kallas, përcjell Gazeta Express.
Pahor për dallim nga sot, vitin e kaluar ishte shprehur i interesuar që ta udhëheq këtë proces, pra dialogun mes Prishtinës e Beogradit duke u shprehur mes shumë tjerash se ai kishte ‘‘një plan’’ dhe se dialogu ‘‘kishte ngecur’’.
Ish-presidenti slloven, ashtu siç raporton ‘‘The Slovenia Times’’, ka thënë edhe se atij i është bërë e qartë përmes “bisedave të panumërta joformale se (BE) po kërkon një diplomat dhe jo një politikan”, ndërsa mendon se ka ardhur koha që një politikan të shërbejë në këtë post.
Ish-Presidenti slloven ka theksuar po ashtu se qëndrimi i tij personal për zgjerimin devijon nga politika zyrtare e BE’së. Pahor angazhohet për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE në paketë. Ai beson se promovimi i idesë që Mali i Zi dhe Shqipëria të anëtarësohen para të tjerëve është “më shumë një pengesë sesa një nxitje për sa i përket stabilitetit gjeopolitik të rajonit”.
Pos kësaj, emërimin e diplomates sllovene Marta Kos si komisionere evropiane për zgjerim Pahor nuk e sheh që i kontribuon kandidaturës së tij, por të cilën ish -presidenti e pranon “me mirëkuptim të plotë”.
Mandati i Lajçakut duhej të përfundonte më 31 gusht 2024, por përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, vendosi t’ia linte vendimin pasuesit të tij, Kaja Kallas, kështu që mandati i sllovakut u zgjat deri më 31 janar të këtij viti.
Pahor e ka bërë të qartë pozicionin e tij rreth kësaj çështje në ditën e fundit të afatit për aplikim për këtë detyrë, që është mbyllur sot në ora 17:00./GazetaExpress