Borchardt, në shtator e braktis EULEX-in

Shefi i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Bernd Borchardt, në fund të muajit shtator do të largohet nga kreu i këtij misioni, njoftojnë burime brenda EULEX-it.
Borchardt ishte zgjedhur në këtë post në vitin 2012, duke zëvendësuar ambasadorin britanik, Andy Sparks, i cili ishte ushtrues detyre i shefit të EULEX-it.
Pasardhësi i Borchardt, ende nuk është saktësuar, por se dihet që nuk do të ketë kompetencat e pasardhësit të tij.
Me rikonstruimin që ka pësuar, ky misioni tanimë do të ketë më shumë rol vëzhgues dhe jo ekzekutiv në gjyqësinë e Kosovës.
Në qershor, këshilli i BE-së kishte vendosur që misionit të EULEX-it në Kosovë, t’ia zgjas mandatin edhe për 2 vjet, pas shkëmbimit të letrave në mes të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjage dhe Zyrtares së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Në komunikatën e Këshillit të Bashkimit Evropian, thuhej se EULEX për dy vjet do të shpejtojë transferimin e aktiviteteve të organeve tjera evropiane, dhe do të fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Në këtë letër thuhej se EULEX do të përkujdesët edhe për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur deri më tani në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës./lajmi.net/