ARKATANA

Bomba dhe marrëveshja

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Arben Ahmeti – “A mos e keni marrë ndonjë bombë me vete?”, ishte shakaja e pakripë e asistentit të zëvendësshefit. Vuçe nuk foli. I hodhi asistentit një shikim të vëngër. Shikimi bazuar në gjatësinë, syzet dhe namin e zv/shefit do t’i futnin tmerrin edhe djallit, por autoriteti që ka, nuk ka qenë e shkruar që atij t’i reflektohen në fytyrë. Madje krejt në kontrast me namin, fytyra e tij është fëmijërore. Fytyrë e heshtur dhe e menduar sikur e atyre fëmijëve që qysh në klasën e gjashtë e lexojnë Sterejo Spassen.

Shikim vëngër dha edhe shefi. Por ndonëse kishte pozitë më të lartë se Vuçe, shikimi i kryeministrit fytyrërrumbullaket nuk i la përshtypje askujt.

Asistenti ishte i lodhur nga shëtitjet në Bruksel. I kishte ardhur në majë të hundës sjellja në qytetin burokratik dhe mezi po priste kthimin në shtëpi, që për fundjavë të pinte një raki ftoi. Raki, që nuk do t’i kushtonte sa ajo në Bruksel. Fluturimi drejt Beogradit kishte nisur.
Shefat mbanin dy letra A4, me mbi tridhjetë vargje të shkruara në word dhe dy shkarravina të kaltra stilolapsi.

“Shef, urime a fituam?”.
Asistenti i shefit më në fund ishte gjetur disi. Për disa orë e kishte munduar ideja nëse së pari duhej uruar shefin për arritjen historike, apo pyetur për cilësinë e asaj që ishte arritur. Me rendësi që shefi nuk e shikoi vëngër, por i dha një qeshje që asistentin dhe të gjithë bashkëpunëtorët i fuste në dilemën e përhershme jetësore.
“Kurrë nuk mundemi me e kuptu kur kesh shefi qashtu, a kesh prej qejfi a prej zori?”, i ishte rrëfyer një mikut të tij asistenti, tek po i shpjegonte atij me admirim mënyrën se si ecën, flet dhe qesh lideri pa praninë e mediave.
Asistenti nuk ishte i lumtur që po ktheheshin në Prishtinë. Ky ishte kënaqur duke shëtitur nëpër Bruksel. I vinte keq që fundjavën do ta kalonte te baba në fshat. Plaku kishte mbet antievropian dhe s’i kuptonte marrëveshjet.
Fluturimi drejt Vjenës e pastaj Prishtinës kishte nisur. Shefi nuk fliste. Herë qeshte e herë ngrysej. Thuhet se në fluturimin e tij të parë si politikan kishte mbajtur me vete dy bomba.
Këtë radhë edhe ky mbante dy letra A4 të shkruara anglisht dhe me dy shkarravina.

Kush e ka lexuar romanin “Bomba në Beograd”, tashme i është kujtuar rrëfimi për Agronin, komandantin e UÇK-së që ishte betuar se do ta çonte në Beograd një bombë atomike. I kujtohet edhe se si atij ëndrra po i bëhej realitet kur e kishte siguruar një të tillë. Por bomba kishte pasur një detektor që mundësonte lokalizimin e saj nga serbët. Ata rrjedhimisht po lokalizonin edhe ushtarët e gueriles kosovare. Agroni, filozofi i zhdërvjelltë në çështje ushtarake dhe ato të inteligjencës, jetonte me ndjenjën se djalli fshihet në detaje. Mbi ketë parim e zbulon detektorin dhe e neutralizon.

Tash nuk është luftë. Palët nuk bëjnë me bomba por marrëveshje. Gjithçka ka ndryshuar pos ligjit të natyrës. Ai mbetet sërish në fuqi. Djalli sërish thotë se fshihet në detaje. Këtë radhë fshihej në detajin e njërit varg të dy faqeve me pesëmbëdhjetë pika. Dikush ndoshta e ka vërejtur, por po mungon Agroni. Po mungon Agroni i romanit, që, pos nuhatjes, e kishte aftësinë dhe ta neutralizojë djallin.

UBT

“Jau hangt dreqi ligjin kushtetues”, nëmi me za të lartë shefi, të nesërmen e ditës historike teksa po lexonte gazetat.

P.s. Ky shkrim është imagjinar. Koincidencat me realitetin apo personat e ndryshëm janë të qëllimshme.