Bolton s’përjashton korrigjimin e kufijve: Zgjidhja Kosovë-Serbi e rëndësishme për minimizimin e ndikimit rus në Ballkan
Ish-këshilltari për Siguri Kombëtar i presidentit amerikan Donald Trump gjatë mandatit të parë në Shtëpi të Bardhë, John Bolton, në një intervistë për Panorama s’ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve.
Bolton tutje ka thënë se stabiliteti në Ballkan dhe zgjidhja e problemit mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për shumë arsye dhe një ndër to është minimizimi i shanseve të ndikimit të Rusisë në rajon.
“Kjo është e mundshme. Besoj se stabiliteti në Ballkan dhe zgjidhja e këtij konflikti të gjatë politik është i rëndësishëm për shumë arsye. Një prej tyre është minimizimi i shanseve të Rusisë që të shkaktojë probleme në Ballkan. Nëse shikon çfarë po ndodh në Moldavi ose në raundin e parë të zgjedhjeve për president në Rumani, mendoj se ndërhyja ruse është qartësisht e pranishme”, ka thënë Bolton.
Kur ka folur për gjetjen e një zgjidhjeje, Bolton ka përdorur si krahasim çështjen e emrit të Maqedonisë , duke thënë se ishte një zgjidhje e mirë për të gjithë.
“Çfarëdo gjëje që mund të bëjmë, që sjell zgjidhje – nuk po them të sforcojmë diçka ndaj askujt – por nëse është diçka që i sjell dobi të gjithëve, siç është rasti i emrit të Maqedonisë që sot quhet Maqedonia e Veriut, pra nëse ka mundësi të sjellim zgjidhje të mira për të gjithë, mendoj që duhet të jetë prioritet i Amerikës për të gjetur në mirëbesim rrugë për mbyllje të konflikteve. Të gjithë të ndërrojnë fletën, të flasin më shumë për anëtarësim në NATO, në BE. Stabiliteti në Ballkan do të ishte i mirë për të gjithë. Nuk po them me çdo kusht, por është diçka që duhet mbajtur parasysh”, ka thënë Bolton.