UBT

Boksierja Diellza Halili dashuron pikturën, por është e ashpër në mes litarëve të ringut

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Boksierja Diellza Halili po dëshmon se është një talente e madhe në mes litarëve të ringut. Edhe pse vetëm 17 vjeçare, ajo këto ditë për nder të çlirimit të qytetit të Obiliqit, në një turne të boksit në këtë qytet është shpallur teknikja më e mirë e këtij turneu mjaft prestigjioz.

Diellza e cila me sukses po vijon mësimet në Shkollën e Artit, drejtimi i Pikturës, por çdo ditë krahas mësimeve është e rregullt në stërvitjet e Klubit të Boksit Drita, e cila udhëton nga fshati Zhegër.

“Nuk e kam aspak vështirë, pasi këtë e bëjë me dashuri që të jem për çdo ditë në stërvitje me KB Drita, poashtu vijoj edhe mësimet në Gjilan, në degën e pikturës ku mendoj të vazhdojë edhe studimet në këtë degë, por asnjëherë nuk do të heqi dorë nga boksi, pasiqë ky sport është sfidues dhe të jep vetëbesim në vete”, ka bërë të ditur Diellza.

Mobi Casa

Diellza bokson në kategorinë gjerë 57 kg, por ka një problem për tu ndeshur me konkurrentet e saja, pasiqë shumë pak femra merren me boks, deri më tani Diellza ka zhvilluar katër meçe dhe të gjitha i ka fitore bindëse ndaj kundërshtareve. “Është një problem pak i vogël pasi mungojnë boksieret, por besoj se në të ardhmen do të ketë më shumë boksiere dhe do të jetë konkurrenca më e madhe. Unë në asnjë moment nuk do të ndalem, kam plane të mëdha me sportin e boksit dhe shpresoj se do të arrijë tek medaljet evropiane”, shprehet 17 vjeҫarja, Diellza Halili.

Dashamirët e boksit do të kenë rastin që këtë talente të madhe të boksit ta përcjellin në turneun e radhës “Agim Rashiti”, i cili shumë shpejt brenda dy javësh do të mbahet në Palestrën Sportive “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan./rajonipress/