RCCOLA

Boksieri profesionist Leotrim Rexhepi ia sheh sherrin vizave

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Njëri ndër boksierët më të mirë që ka boksi i Kosovës, padyshim është boksieri nga Pogragja e Gjilanit, Leotrim Rexhepi, i cili po bën emër në boksin profesionist. Boksieri Rexhepi nga tri meqet e zhvilluara gjerë më tani ka po aq fitore, duke i deklasuar kundërshtarët e tyre me ndërprerje.

Boksieri Rexhepi gjatë vitit 2023, ka zhvilluar vetëm një meq, ndërsa fajtor kryesor për këtë është viza – me të cilat nuk mundet të paiset, dhe kjo është duke i shkaktuar probleme të veçante në karrierën e tij profesioniste.

“Në këtë vit kam zhvilluar vetëm një meq dhe atë në Tetovë ndaj boksierit Rumun ku e kam mposhtur. Kam pasur mundësi ti zhvilloj edhe tri meqe tjera – një në Danimark, Turqi e Hungari, kanë qenë të përcaktuar edhe kundërshtarët, por me gjithë përpjekjet e mia nuk kam mundur të paisem me vizë për të udhëtuar në këto shtete.

Uji Dea

Këto tri meqe për mua kanë qenë shumë të domosdoshme në ranglistën profesioniste por vizat janë një “kafshatë që nuk kapërdihet” “, thekson i mërzitur boksieri Rexhepi. Talenti i madh i ringut, Rexhepi, stërvitet çdo ditë nga dy here, si në anën taktike poashtu dhe atë kondukcionale, por në fund nuk mund të ballafaqohet me kundërshtarët e tij shkaku i vizave. “Të ushtrosh cdo ditë nga dy herë në ditë është një sakrificë e madhe, por patjetër më duhet të ushtroj për të qenë në formën optimale, në të kundërtën pëson humbje shumë të madhe si në peshë poashtu dhe në anën taktike, por mos zhvillimi i dueleve me kundërshtar është një humbje e madhe duke e ditur se boksi i ka disa veçori të kufizuara”.

Pas shumë viteve, Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se nga 1 Janari 2024 populli ynë do të udhëton pa viza në Bashkësinë Evropiane. “I vetmi shpëtim për tu këndellur dhe për të arritur qëllimet e mia në boksin profesionist janë heqja e vizave, ku jemi duke i pritur si sytë e ballit dhe sigurisht do të jetë një rrugëtim i pandalshëm në botën e boksit”, thekson boksieri Leotrim Rexhepi. Leotrim Rexhepi në fund edhe një herë ka falënderuar të gjithë donatorët që i kanë dalur në ndihmë gjatë këtyre tri meqeve./rajonipress/