Bojkot edhe të hënën, prindërit duan siguri

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) informohet me gjendjen në shkollat e Kosovës vetëm pas reagimeve protestuese që mund të vijnë nga prindërit, në të kundërtën, zyrtarët e këtij dikasteri qofshin në pozita udhëheqëse apo jo, nuk kanë njohuri për kushtet në të cilat mësojnë nxënësit.
Bojkoti i mësimit në shkollën fillore “Pavarësia” në Sibofc të Podujevës, i nisur të mërkurën dhe mbajtur deri të premten pritet të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, me arsyetimin e prindërve, drejtorisë së shkollës se nuk ka kushte për mbajtjen e mësimit në objektin që ka në shfrytëzim kjo shkollë. Mbi 400 nxënës, nuk kanë marrë përgjigje se kur do të fillojnë shkollën, përderisa Këshilli i Prindërve nuk ka ndërmend të dorëzohet pa marrë konfirmimin me shkrim nga Ministria e Arsimit se shkolla do të ndërtohet sivjet.
Ndërkohë, në një raport të siguruar nga gazeta, të hartuar nga inspeksioni i Ministrisë me mbishkrimin “I mbajtur me rastin e inspektimit emergjent”, në shkollën ”Pavarësia” në Sibofc, të komunës së Podujevës dhe në Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, gjendja në objektin e shkollës vlerësohet shumë alarmante.
Madje, në këtë raport theksohet se qëllimi i inspektimit bëhet për të konstatuar gjendjen faktike lidhur me ankesat e bordit të shkollës dhe komunitetit të fshatit Sibofc, për kushtet tejet të vështira të punës së shkollës në Sibofc, e në të cilën mësimin e vijojnë nxënës nga katër fshatra, të kësaj komune. “Gjatë inspektimit është konstatuar kjo gjendje: shkolla ”Pavarësia” në Sibofc veprimtarinë edukativo-arsimore e zhvillon në objekt krejtësisht të papërshtatshëm për plotësimin e nevojave të shkollës. Mësimi mbahet në barakë, e ndërtuar me material jocilësor nga KFOR-i çek për t’i plotësuar nevojat emergjente.
Aktualisht objekti ka rreth 270 metra katrorë, 5 dhoma mësimi me nga 24 metra katrorë ku mësojnë mesatarisht nga 32 nxënës, salla e arsimtarëve dhe zyra e drejtorit. Mësimi zhvillohet në tri ndërrime dhe ora zgjat 30 minuta”, thuhet në procesverbalin e inspektimit të bërë nga MASHT-i, ku bëhet e ditur se objekti ku mbahet mësimi është i shkatërruar, dyshemetë të lyera me mbeturina të vajrave mekanike, që rrezikojnë shëndetin e nxënësve dhe të mësimdhënësve, pastaj çatia e plasaritur që pikon në shumë klasa, klasat përplot lagështi, dritaret të dëmtuara dhe të gozhduara, tualetet brenda në objekt jofunksionale, ku mungon uji dhe paraqesin rrezik permanent për ndonjë infeksion dhe gjenden 70 metra larg objektit.
“Sipas pohimit të drejtorit në shkollë shpesh mungon edhe uji i pijshëm. Në këtë shkollë mësimet i vijojnë 380 nxënës të shpërndarë në 14 paralele, në të cilën punojnë 17 mësimdhënës. Në mungesë të hapësirës shkollore, në klasat e IX-ta, 60 nxënës mësimet i vijojnë në shkollën e fshatit Gllamnik, ku udhëtojnë 6 km në ditë në rrugën e ngarkuar dhe janë në rrezik të përhershëm. Prindërit deklarojnë se ka pasur edhe raste me përfundim fatal”, është konstatuar nga zyrtarët e Ministrisë, të udhëhequr nga Ajshe Balaj. Konstatimi i këtij ekipi rezulton edhe me historikun e shkollës, që si gërmadhë e ndërtesës së shkollës së vjetër, është ndërtuar në vitin 1925 dhe është mbyllur me vendimin e inspektorëve të MASHT-it në vitin 2008 për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë, ende gjendet në oborr dhe paraqet rrezik permanent për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Ky ekip thekson në këtë raport se nga Drejtoria për Arsim e komunës janë informuar se sipas prioriteteve shkolla “Pavarësia” në Sibofc është në plan të investimeve kapitale për vitin 2014. Megjithëse të njëjtën gjë ka deklaruar për “Zërin” edhe Arbër Morina, zëdhënës i MASHT-it duke theksuar se kjo ministri e ka paraparë në vitin 2012 ndërtimin e kësaj shkolle. Në planin e kësaj ministrie, po ashtu shkolla parashihet të fillojë të ndërtohet në vitin 2014, dhe një pjesë tjetër në 2015 që do të jetë dhe pjesa përfundimtare e ndërtimit. Kjo nuk ka bindur udhëheqësit e bojkotit. Fahrudin Mahmuti, kryetar i Këshillit të Prindërve të shkollës “Pavarësia” ka thënë për “Zërin” se mësimi nuk do të mbahet as të hënën, dhe se bojkoti i mësimit do të vazhdojë deri të marrin përgjigje nga Ministria se shkolla do të ndërtohet këtë vit.
“Ne nuk e ndërpresim bojkotin pa pasur konfirmimin e MASHT-it se sivjet do të ndërtohet shkolla”. Ai tha se edhe ky këshill posedon procesverbalin e Ministrisë për gjendjen në shkollë dhe që është në përputhje me gjendjen. “Tash pasi Ministria ka këtë raport për kushtet në shkollë, ne do të kërkojmë të hënën të takohemi me udhëheqësit e Ministrisë, duke përfshirë dhe ministrin Buja dhe përgjigja që duam është që shkolla të ndërtohet këtë vit”, tha Mahmuti.(zeri)