Blloku LAN-VV do t’i japë fund keqqeverisjes së PDK-së

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, ka bindjen se në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës do të marrë fund pushteti i PDK-së. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në krijimin e institucioneve, sipas tij, është e shëndetshme për demokracinë pasi krijon një shumicë shqiptare në Kuvend. Megjithatë, ai ka përkujtuar se marrëveshja e parë në mes LAN-it dhe VV-së, vlen vetëm për kryetar të Kuvendit.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së Agim Veliu është optimist se të enjten do të përfundojë qeverisja e Hashim Thaçit. Pavarësisht se LDK-ja në mandatin e parafundit kishte bashkëqeverisur me PDK-në, në këtë mandat nuk ka pranuar të hyjë në partneritet me të. Arsyeja, sipas Veliut, është keqqeverisja e partisë së Thaçit. Ai beson se hyrja e VV-së në koalicion me LAN-in vetëm sa i kontribuon zhvillimit të demokracisë dhe stabilitetit qeverisës. Në intervistë për Tribunën, Veliu, mohon të ketë ambicie për të kandiduar për kryetar të LDK-së, ndërkohë që nuk dëshiron të merret fare me Astrit Haraqinë. Thotë se LDK dhe Haraqija kanë qëllime të kundërta.
Tribuna: A vlen marrëveshja me Vetëvendosjen vetëm për kryeparlamentar, apo edhe për krijimin e qeverisë?
Veliu: Ne me Vetëvendosjen kemi qenë në biseda vazhdimisht dhe gjithmonë kemi qenë afër realizimit të kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje që është bërë me Vetëvendosjen është si hap i parë dhe nënkupton votën për kryeparlamentarin. Më pas do të ulemi dhe t’i shikojmë pozicionet për hapat e mëtutjeshëm për ndërtimin e institucioneve tjetra, që është edhe qeveria.
Tribuna: Konsideroni se është më i qëndrueshëm koalicioni më VV-në?
Veliu: Unë besoj që po, sepse po krijohet një shumicë shqiptare në Kuvend. Në anën tjetër kemi edhe minoritetet, sepse me kushtetutë edhe atyre iu takojnë vendet. Prandaj besojmë që do të jetë një qeveri stabile.
Tribuna: Albin Kurti shpesh e ka thumbuar LDK-në gjatë fushatës duke ju akuzuar për keqqeverisje. Madje partia ka dërguar dosje në prokurori…?
Veliu: Po në politikë gjatë kohës së fushatës janë normale disa akuza që bëhen në mes subjekteve politike. Mirëpo në momentin që përfundojnë zgjedhjet duhet të shikohen numrat dhe mundësitë, dhe me këtë sistem të zgjedhjeve partitë mund të shtyhen në mes veti, mirëpo në përfundim asnjë parti nuk mund të ndërtojë qeveri pa pjesëmarrjen e së paku dy apo tri subjekteve. Kështu që për një fazë të caktuar janë normale akuzat në kuadër të fushatës. Pastaj duhet të fillojë ndërtimi i institucioneve.
Tribuna: Pse në asnjë variant nuk hytë në koalicion me PDK-në?
Veliu: Arsye është se ata kanë keqqeverisur gjatë këtij mandati dhe shtetin e kanë shndërruar në mekanizëm të partisë për synime të ndryshme, që gjithmonë është përfitimi. Dhe ne kemi besuar se nuk duhet të bëjmë koalicion me të keqen dhe nuk duhet të bashkëqeveriset me dikë që çdo mekanizëm të shtetit e ka privatizuar dhe e ka shndërruar në çerdhe të partisë. Ne jemi marr vesh me partitë e tjera që kësaj radhe ta ndërtojmë qeverinë pa PDK-në dhe ata e kanë vendin në opozitë kësaj radhe.
Tribuna: Si e shihni zgjidhjen e kryeparlamentarit, konsideroni se do të përsëritet skenari i njëjtë?
Veliu: Unë besoj që ajo mundësia që i është dhënë në atë vendimin e famshëm të Kushtetueses, që pas një faze të caktuar të përsëritet i njëjti skenar dhe t’i jepet mundësia prapë PDK-së, aty duhet të përfundojë çdo gjë. Nëse ata janë të zotët ta zgjedhin kryeparlamentarin, mirë. Nëse jo, është në zgjedhjen e deputetëve që ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe të fillojë punën Kuvendi dhe Qeveria dhe kështu të fillojë të funksionojë shteti dhe institucionet.
Tribuna: Çka ndodhi me ultimatumet e Astrit Haraqisë?
Veliu: Po me Astrit Haraqin nuk kam dëshirë të merrem fare, sepse ai është aq joserioz dhe po sillet aq joserioz në këto faza, saqë nuk e vlen të merrem me të. Këto janë gjëra të kota që i pjell mendja e Haraqisë sepse veprimet e tij në kohën e fundit janë të kundërta me ato që i flet. Fundja Astrit Haraqija nuk është në LDK. Ai është zëvendësministër i Hashim Thaçit dhe nuk e vlen të merrem me të. Madje ai nuk ka qenë as në zgjedhjet e kaluara në LDK. Sigurisht ka ndonjë qëllim të vetin personal. Mirëpo Haraqija dhe LDK kanë interesa të kundërta.
Tribuna: Po Sabri Hamiti, a është e vërtet se është kundër marrëveshjes në mes partive?
Veliu: Sabri Hamiti është nënkryetar në LDK dhe nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që po pyesni. Ato janë vetëm shpikje mediale të SHIK-ut dhe qarqeve të ndryshme që lansojnë dezinformata. Ne jemi mësuar me këto. Mirëpo qëndrimi i Sabri Hamitit është që të vazhdojmë t’i ndërtojmë institucionet. Andaj nuk ka asgjë të vërtetë.
Tribuna: Mendoni se i keni dhënë prapë hise të madhe AAK-së në këtë marrëveshje?
Veliu: Ajo është e ditur që ne në zgjedhje kemi dalë me kandidatin tonë për kryeministër. Zgjedhjet kanë treguar diçka tjetër. Ne kemi bërë përpjekje që të bëjmë koalicion edhe para zgjedhjeve mirëpo nuk kemi qenë në gjendje t’i përmbushim të gjitha kërkesat e tyre, sepse ne nuk kemi hequr dorë nga kryeministri. Ne kemi dalë në zgjedhje dhe është ky rezultat. Madje ne është dashtë të ulemi me subjektet tjera dhe të sakrifikojmë diçka si subjekt politik vetëm të ndërpritet kjo e keqe që po i ndodhë Kosovës qe disa vite nga PDK-ja.
Tribuna: A ka diçka të vërtet që Vetëvendosja nuk është e pranueshme nga të huajt që të udhëheqë me bisedimet?
Veliu: Jo nuk janë kërkesa as të VV që ata t’i udhëheqin bisedat në këtë kuptimin si po flitet. Ata kanë pasur kërkesa dhe unë besoj që janë normale dhe të arsyeshme që ata me qenë pjesë e bisedave, sepse ju e dini që udhëheqja e bisedave është përgjegjësi e qeverisë, pastaj ato grupe tjera që formohen në anën teknike janë çështje tjetër. Nuk ka asgjë të keqe që secili subjekt politik që ka fituar besimin e elektoratit të jetë pjesë e ndërtimit të institucioneve edhe bisedave.
Tribuna: Kur do të fillojnë zgjedhjet e brendshme në LDK?
Veliu: Do të fillojnë në momentin e parë kur krijohen kushtet të merremi me to. Ne, këtë vit e kemi vit të zgjedhjeve. Unë besoj që gjatë këtij viti do t’i hyjmë këtij procesi. Mirëpo si subjekt politik kemi qenë të angazhuar në çështjen e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës dhe nuk e kemi vlerësuar si prioritet të hapjes së frontit tjetër për zgjedhje në parti, sepse kjo kërkon punë dhe angazhim të madh për kryesinë e LDK-së. Pra në këtë fazë nuk do të ishte punë e mirë.
Tribuna: A mund të jeni kandidat për kryetar të LDK-së?
Veliu: Nuk kam ndonjë pretendim për këtë post. Unë do ta jap kontributin tim aty ku kërkohet në LDK dhe ku kërkon anëtarësia.
Tribuna: Po nëse kërkon anëtarësia?
Veliu: Pretendime nuk kam. Kështu që nuk kisha dashtë më tepër të flas në lidhje me këtë çështje.
Tribuna: A do të jetë Isa Mustafa kandidat?
Veliu: Çështja e kandidimit për kryetar të LDK është e paraparë me statut dhe ka të drejtë secili. Kështu që secili mund ta paraqesë dhe nuk i ndalohet asnjë anëtari të partisë. A e paraqet kandidaturën, është problem i Isa Mustafës. Ne do ta fillojmë procesion ashtu si kërkohet me statut.
Tribuna: A do të kthehesh në qeveri nëse të kërkohet nga partia?
Veliu: Ajo është çështje e bisedimeve në strukturat tona. Unë do t’i analizojë dhe do të marr vendim çfarë është në të mirë të qytetarëve.