KKVITI

Bislimi: Nuk kam qenë pjesë e pagesave e as inkasimeve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Xhevat Bislimi ish nënkryetar i Komunës së Vitisë dhe kryetar i këshillit të përkohshëm në ndërmarrjen publike “Univerzal” ka dëshmuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër Nexhmedin Arifit e Kabil Hajdarit në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se ai nuk ka qenë pjesë e pagesave e as inkasimeve.

Xhevat Bislimi ish nënkryetar i komunës së Vitisë dhe kryetar i këshillit të përkohshëm në ndërmarrjen publike “Univerzal” ka dëshmuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër Kabil Hajdarit e Nexhmedin Arifit në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton rajonipress.

Kryetari i trupit gjykues Hasan Sadiku e ka ftuar Bislimin në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë sqarime rreth funksionimit të ndërmarrjes “Univerzal”, mënyrës së pagesave, udhëheqjes dhe pavarësimit të saj.

Bislimi në dëshminë e tij ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar rreth procedurave të ndarjes nga ndërmarrja rajonale “Higjiena” në Gjilan.”Unë nuk kam qenë i njoftuar rreth procedurave, por për këtë besoj se ka qenë i njoftuar ushtruesi i detyrës së drejtorit. Unë kam qenë kryetar i këshillit të përkohshëm. Unë nuk e kam drejtuar ndërmarrjen, dhe as nuk e kam menaxhuar. Unë nuk kam qenë pjesë e pagesave e as inkasimeve edhe pse jam njoftuar për të gjitha problemet që ka pasur ndërmarrja, jo vetëm unë, por si komunë për me vu atë ndërmarrje komunale dhe me legalizua. Unë nuk kam pasur obligim ta njoftoj Kuvendin sepse nuk kam qenë i zgjedhur prej Kuvendit, por kam qenë nënkryetar dhe jam emëruar prej kryetarit dhe sigurisht që kam pasur obligim që ta njoftoj kryetarin ashtu siç e ka njoftuar edhe drejtori” ka thënë Bislimi.

I pyetur rreth xhirollogarisë së ndërmarrjes “Univerzal”, Bislimi ka thënë se nuk e di se sa llogari i ka pasur të hapura sepse kjo nuk ka qenë kompetencë e tij.

I pyetur nga prokurori i shtetit se cili ka qenë angazhimi i tij në këtë ndërmarrje, Bislimi ka shtuar se angazhimi i tij ka qenë në drejtim të formimit dhe përbërjes së statutit të ndërmarrjes, në pajtim vetëm me aktet ligjore në fuqi.

I pyetur rreth rolit të bordit të ndërmarrjes Bislimi ka thënw se ky këshill është formuar me vendim të kryetarit të komunës.”Po unë kam qenë kryetar i këtij këshilli, anëtar Sami Demelezi dhe Refik Ahmeti. Ne si këshill kemi pasur për detyrë me ndihmua ndërmarrjen, me nxjerr statutin dhe me ndihmua regjistrimin e ndërmarrjes” ka thwnw Bislimi.

Mobi Casa

Ndryshe në Gjykatën Themelore në Gjilan po zhvillohet gjykimi ndaj kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdarit i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.

Edhe Arifi edhe Hajdari kanë mohuar veprat penale para trupit gjykues që po e kryeson Hasan Sadiku.

Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.

Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.

Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.

Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove./rajonipress/