Biqkaj: Shitja e xhipit marketing politik për nevojat e pushtetarëve

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Jeton Biqkaj shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Kamenicës propozimin e Begzad Sinanit për shitjen e xhipit e quan më tepër spektakël dhe marketing politik të partisë në pushtet.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit komunal me propozimin e Kryetarit Begzad Sinani u mor vendim të shitet vetura zyrtare e tipit “Hundai”, pronë e luajtshme e Komunës. Por ky veprim nuk është përkrahur nga LDK-ja dhe këshilltarët e saj.

“Ky veprim më tepër është politik e asgjë më shumë dhe është bërë vetëm sa për të thënë se po punojmë diçka” thotë Jeton Biqkaj për rajonipress.

Biqkaj thotë se në anën tjetër në bartjen e të hyrave të vitit 2013 kryetari Sinani ka planifikuar një buxhet prej 50 mijë eurove për blerjen e veturave zyrtare për administratë Komunale, ku edhe në mbledhje të Kuvendit Komunal kryetari e pranoi se do të blej veturë tjetër më modeste për vete.

“Edhe në periudhën sa ka qenë kryetar 2008-2009 patë vepruar njëjtë duke shitur 2 vetura edhe atë me çmime shumë të lira në mes 1000 dhe dy mijë euro e që në fakt kanë pasur vlerë shumë më të madhe” sqaron Biqkaj.

Mobi Casa

Sipas tij po në këtë mbledhje u anuluan dy vendime të cilat ka rekomanduar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka të bëjë me statutin e Komunës i cili u aprovua pa përfillur procedurat ligjore dhe emërimi i zv. kryesues shtesë nga komuniteti serb, e cili vendim është anuluar për shkak se komuniteti serb nuk përfaqësohet me 10 % të popullsisë.

Po ashtu edhe nënkryetari për komunitete edhe pse para një muaji e gjysmë është emëruar po sigurisht kundërligjshëm ende vazhdon të jetë delegat.

“Këto shkelje janë bërë qysh në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal me karakter pune. Kjo qeverisje Komunale prej që e ka marrë qeverinë nuk ka bërë asgjë më shumë përveç takimeve, deri para një jave edhe qeveria Komunale ka qenë e pa kompletuar. Ka pranuar një numër të madh të punëtorëve me kontratë ne vepër, ku ish drejtorët në mandatin e kaluar, nga radhët e AAK-së i ka punësuar me kontratë në vepër në nivel të përgjegjëseve në disa drejtori, kur dihet se kontrata në vepër lidhet vetëm për shërbime të veçanta që ka nevojë Komuna”.

Biqkaj tha se ajo që është shqetësuese është edhe asgjësimi i mbi 5000 mijë pulave të cilat nga dogana dhe janë sjellë vetëm 300 metra afër qendrës së qytetit dhe pjesërisht janë mbuluar, ku paraqet një rrezik të madh për përhapjen e ndonjë epidemie, por edhe rrezikut nga qentë endacak për qytetarët e Kamenicës të cilët janë grumbulluar tek ky vend ky janë asgjësuar këto pula. “Ky veprim është dashtë të ndalohet nga inspektoriati i Komunës, por nuk ka pasur së paku asnjë reagim” tha Biqkaj./rajonipress/