Bilinica për herë të parë me një kandidate femër

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Albulena Shabani do të jetë kandidatja nga Bilinica, e cila është zgjedhur me shumicë votash nga Këshilli i Përgjithshëm i Qendrës në Gjilan.

Në fshatin Bilinicë, është promovuar kandidatja për Asamble Komunale nga radhët e Lëvizjes VV, Albulena Shabani. I pranishëm në takim ishte edhe kandidati për kryetar të komunës, Ismajl Kurteshi, i cili e vlerësoi si hap historik kandidaturën e Albulenës për Asamble, pasi që asnjëherë më parë fshati Bilinicë nuk kishte pasur kandidatë nga asnjë subjekt tjetër politik. “Ju sot keni të drejtën të ndiheni mirë sepse do ta keni një zë të drejtpërdrejtë nga fshati bashkë me shumë zëra të tjerë në Kuvendin Komunal për të paraqitur problemet dhe shqetësimet tuaja. Albulena Shabani do të jetë kandidatja nga Bilinica, e cila është zgjedhur me shumicë votash nga Këshilli i Përgjithshëm i Qendrës në Gjilan. Ajo gëzon integritetin profesional, moral dhe qytetar. Prandaj, sot pa dyshim se është natë e veçantë edhe për Bilinicën” u shpreh Kurteshi.

KKGJILAN

Albulena kërkoi mbështetjen e bashkëfshatarëve të saj, duke premtuar se do të jetë zëri i tyre në Asamblenë Komunale dhe do të mbrojë interesat e Bilinicës. “Po ndihem mirë që iu kam bashkëngjitur Lëvizjes VV, por edhe që po bëhem kandidatja e cila vjen nga një fshat i harruar i qeverisjes aktuale komunale. Me përzgjedhjen time, Lëvizja Vetëvendosje! tregon se do të përkushtohet për fshatrat e harruara në zonat kufitare si Bilinica, e kështu me radhë” tha kandidatja Shabani.

Në takim u bisedua edhe për problemet e shumta që ka ky fshat. Bilinicasit shfaqën mirënjohjen për përzgjedhjen e kandidates nga Bilinica për herë të parë thuajse në historinë e fshatit, dhe nga pjesëmarrësit kishte edhe pyetje të ndryshme drejtuar përfaqësuesve të Lëvizjes VV se si do t’i qaseshin zgjidhjes së problemeve pas 3 nëntorit thuhet në një njoftim të degës së VV në Gjilan./rajonipress/