Besart Berisha kërkon të jetë në Euro 2016 me Shqipërinë
Pasi e kërkoi përgjatë gjithë edicionit kualifikues në ekip dhe me refuzimet e një pas njëshme të sulmuesit, muajin e kaluar Gianni De Biasi i mbylli dyert e Kombëtares Besart Berishës.
Por, 30-vjeçari që sapo rinovoi kontratën me Melbourne Victory edhe për dy sezone të tjera nuk duket i dorëzuar. Nga Australia, ku deri më tani nuk i është bashkuar Kombëtares me argumentin e distancës shumë të largët, Berisha shprehet i gatshëm të luajë në fazën finale të Euro 2016, edhe pse nuk kontribuoi aspak në kualifikimin historik në Francë.
“Ekziston një mundësi të luajë në Europian”, tha sulmuesi për “The roar”. Berisha saktësoi se “nëse sezoni në A-League australiane do të ketë përfunduar” dhe “do të marrë ftesë nga Kombëtarja atëherë do të pranojë” për të qenë i gatshëm të luajë.
Për herë të fundit, Besart Berisha është grumbulluar në Kombëtare në 2009-ën. Gjatë këtyre 6 vjetëve shumë gjëra kanë ndryshuar. Fillimisht lojtari humbi vendin në radhët e Shqipërisë pas uljeve në karrierë, ku si lojtar i anglezëve të Burnley, u huazua te Rosenborg dhe Horsens, përpara rikthimit në Gjermani te Arminia Bielefeld. Viti 2011 dhe transferimi në Australi te Brisbane Roar e ndihmuan sulmuesin të rikthehej protagonist. Berisha dominoi në kampionat, ashtu si asnjë sulmues nuk kishte bërë më parë në 5 vjet në Australi.
Ai numëron 63 gola të shënuar, ndërsa ka fituar tre tituj kampionë dhe një Kupë të Australisë. Në sezonin 2011-2012 u shpall golashënuesi më i mirë, duke fituar Këpucën e Artë. Në tre sezone Berisha është përfshirë në Skuadrën e Vitit, ndërsa ishte edhe në Ekipin e Dekadës në futbollin australian. /Telegrafi/


