Berisha: Festojmë së bashku, e kam pritur shumë këtë miqësore
Etrit Berisha e pret me padurim miqësoren Kosovë – Shqipëri
Për portierin prishtinas, Etrit Berishën përballja me shokët e tij të Përfaqësueses së Kosovës do të jetë speciale, pasi dikur ishte përkohësisht pjesë e tyre. Portieri i Kombëtares shqiptare thotë se në miqësoren e 13 nëntorit shqiptarët do ta festojnë së bashku kualifikimin e Kuqezinjve në Evropian
Kombëtarja shqiptare, e cila arriti ta shkruajë historinë e futbollit shqiptar duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, do të zbarkojë në Prishtinë, të premten, për ta zhvilluar ndeshjen miqësore me Përfaqësuesen e Kosovës.
“Përfaqësuesja e Kosovës ka përparuar shumë prej kohës kur kam qenë pjesë e saj, si në organizim, ashtu dhe në të gjitha sferat e tjera, pasi tashmë janë afër anëtarësimit në UEFA dhe FIFA dhe e di se janë duke e bërë një punë të madhe për t’i arritur objektivat, të cilat i kanë”, deklaroi gardiani i Lazios për “Zëri.info”.
Më tej ai ka zbuluar edhe një bisedë që ka pasur me Dukën.
“Për mua është një ndeshje shumë e mirëseardhur, të cilën e kam pritur prej një kohe të gjatë. Ka qenë një dëshirë e imja bukur e gjatë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore. Edhe më herët kam folur me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, dhe na është premtuar se do të luajmë një ditë me Kosovën, ose të paktën ta kemi një grumbullim në Kosovë”.


