KKVITI

Beqir Musliu – kolosi i letrave shqipe nga Gjilani që i dha zë modernitetit letrar

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Beqir Musliu është shkrimtar emblematik i Gjilanit dhe i letërsisë shqipe, i njohur për fuqinë e stilit, origjinalitetin e shprehjes dhe pasurinë metaforike të veprave të tij. Veprat e tij janë të përkthyera në disa gjuhë dhe mbeten referencë e rëndësishme letrare për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.

Gjilani i ka dhënë letërsisë shqipe shumë emra të rëndësishëm, por pak prej tyre kanë arritur përmasën krijuese, ndikimin estetik dhe peshën kulturore që mban emri i Beqir Musliut. Ai mbetet një nga figurat më të ndritura të letërsisë moderne shqiptare, një autor që e ngriti fjalën në nivel simboli dhe e shndërroi krijimin letrar në akt të thellë filozofik, estetik dhe identitar.

I lindur më 11 qershor 1945 në Gjilan, Beqir Musliu që në rininë e hershme shfaqi prirje të veçanta për letërsinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i përfundoi në Universitetin e Prishtinës. Që nga hapat e parë në krijimtari, ai u dallua për qasjen e tij origjinale, për guximin stilistik dhe për një gjuhë letrare që sfidonte konvencat e kohës.

Beqir Musliu praktikisht i përket atij brezi të rrallë shkrimtarësh shqiptarë që kanë lënë gjurmë të thella në pothuajse të gjitha zhanret letrare: poezi, prozë, dramaturgji, eseistikë, kritikë letrare e teatrore, publicistikë, kolumnistikë dhe analizë kulturore. Ai ishte një penë e mprehtë, një mendje krijuese e gjithanshme, të cilën vdekja e parakohshme e rrëmbeu shumë herët, duke i lënë letërsisë shqipe një mungesë të madhe dhe të pazëvendësueshme.

Krijimtaria e Beqir Musliut e ka tejkaluar kufirin gjuhësor dhe gjeografik, duke u përkthyer në shumë gjuhë të botës: frëngjisht, anglisht, spanjisht, italisht, arabisht, gjermanisht, hungarisht, rumanisht, turqisht, sllovakisht, maqedonisht, sllovenisht, serbisht dhe kroatisht. Ky fakt dëshmon për vlerën universale të veprës së tij dhe për praninë e tij dinjitoze në hartën e letërsisë bashkëkohore evropiane.

Prandaj, thënia se “vdekja s’është fjala e fundit” merr kuptim të plotë në rastin e Beqir Musliut. Poetët e mëdhenj nuk vdesin – ata jetojnë përmes fjalës së shkruar, në ndërgjegjen kulturore të kombit dhe në shpirtin e lexuesit. Beqir Musliu jeton dhe do të jetojë sa të jetojë gjuha shqipe dhe atdheu për të cilin ai krijoi me pasion dhe dhimbje. Edhe atje, në Karadak, emri i tij përmendet me respekt, në vargje, ese, kumtesa dhe fjalë rasti nga miqtë, kolegët dhe artdashësit.

Beqa ynë jeton përmes veprës së tij madhore. Beqa i metaforave të thella dhe i rimave të shqetësuara. Beqa – korife i artit letrar shqiptar, autor i veprave tashmë klasike si: “Rimat e shqetësueme”, “Lulëkuqet e gjakut”, “Kurorë sonetesh”, “Bukurija e zezë”, “Sezamet”, “Parabola”, “Darka e magjisë”, “Rropullari”, “Vegullia”, “Mbledhësit e purpurit”, “Unë Hahil Garria”, “Libri i anatemave”, “Faustiana”, “Murana”, “Krupa”, “Rrakullima”, “Shtrigani i gjelhanit”, “Kori i gjelave të vdekur”, “Orfeiana”, “Skënderbeu”, “Amullia”, “Makthi”, “Ndeshtrasha” dhe shumë vepra të tjera që e përbëjnë universin e tij krijues.

Ky ishte Beqir Musliu – poeti dhe shkrimtari ynë, i lexuesve dhe i kohës. Një emër që nuk shuhet, por që mbetet i përjetshëm dhe i pavdekshëm në historinë e letërsisë shqipe.

Një zë i veçantë në letërsinë moderne shqiptare

Debutimi i Beqir Musliut në revistën prestigjioze “Jeta e Re”, e drejtuar nga Esat Mekuli, shënoi fillimin e një rruge krijuese që do ta vendoste atë ndër autorët më të rëndësishëm të brezit të tij. Poezia, proza dhe dramatika e Musliut karakterizohen nga simbolika e thellë, metaforat e fuqishme, gjuha e ngjeshur poetike dhe dimensioni filozofik, duke e bërë veprën e tij të dallueshme dhe të pashmangshme në historinë e letërsisë shqipe.

Ai krijoi në shumë zhanre: poezi, tregime, romane, drama, ese dhe kritikë letrare, duke dëshmuar një horizont të gjerë kulturor dhe një përkushtim të rrallë ndaj artit të fjalës. Vepra e tij nuk ishte thjesht reflektim estetik, por edhe një reagim i thellë ndaj realitetit shoqëror, ekzistencial dhe kombëtar.

Letërsi që sfidon kohën dhe lexuesin

FIDANISHTJA

Beqir Musliu nuk ishte shkrimtar i kompromiseve. Ai i kërkonte lexuesit vëmendje, ndjeshmëri dhe thellim intelektual. Letërsia e tij nuk ofronte përgjigje të lehta, por hapte pyetje të mëdha mbi qenien njerëzore, fatin, identitetin dhe raportin e individit me historinë. Pikërisht për këtë arsye, ai konsiderohet si një nga autorët që modernizoi diskursin letrar shqiptar, duke e afruar atë me prirjet evropiane bashkëkohore.

Kritika letrare e ka cilësuar Musliun si një autor me vizion të qartë estetik, me një botë krijuese të ndërtuar mbi simbole të qëndrueshme dhe struktura narrative të guximshme. Veprat e tij janë përfshirë në antologji të rëndësishme dhe janë objekt studimi për breza studentësh dhe studiuesish të letërsisë.

Trashëgimia kulturore dhe kujtesa kolektive

Beqir Musliu u nda nga jeta më 24 qershor 1996, por vepra e tij vazhdon të jetojë fuqishëm në kujtesën kulturore shqiptare. Emri i tij është shndërruar në simbol të krijimtarisë letrare serioze dhe të pandikuar nga rrymat kalimtare.

Në nderim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm, janë themeluar aktivitete dhe çmime letrare që mbajnë emrin “Beqir Musliu”, ndër to edhe manifestime kulturore që synojnë ta ruajnë dhe ta përcjellin frymën e tij krijuese te gjeneratat e reja. Komuna e Gjilanit dhe institucionet kulturore vazhdimisht e kanë përkujtuar figurën e tij si një nga pasuritë më të mëdha shpirtërore të qytetit dhe të kulturës shqiptare.

Nderime dhe trashëgimi kulturore

Emri i Beqir Musliut është bërë simbol letrar, aq sa në Gjilan dhe Anamoravë njihet si një nga kolosët e letrave shqipe, ndër të parët në letërsinë moderne të Kosovës.

Komuna e Gjilanit dhe organizatat kulturore rregullisht i bëjnë homazhe veprës dhe kujtimit të tij, duke nderuar kontributin e tij në letërsi.

Në emër të tij është krijuar çmimi letrar “Beqir Musliu”, i cili jepet çdo vit për vepra të shquara letrare, dhe manifestohet përmes aktiviteteve si “Trekëndëshi poetik i paqes” dhe evente tjera kulturore që mbajnë gjallë emrin dhe frymën e tij

Një emër që nuk zbehet

Beqir Musliu mbetet kolosi i letrave shqipe nga Gjilani, një autor që i dha letërsisë shqiptare thellësi, dinjitet dhe modernitet.

Ai nuk ishte vetëm shkrimtar i kohës së vet, por krijues që i përket përjetësisë letrare. Vepra e tij është dëshmi se fjala e shkruar, kur lind nga mendja e thellë dhe shpirti i ndjeshëm, bëhet histori, kulturë dhe identitet./rajonipress/