Beqir Musliu i (Pa) Njohur!

Gjilan – Sot ( 11 qershor) e ka ditëlindjen shkrimtari ynë emblematik, simbolisti më i kultivuar i letrave shqipe, Beqir Musliu. Ai erdhi në botën tonë letrare si një banor tepër i veçantë që e zhvilloi ‘habitatin’ e vet krijues brenda një sistemi dhe jashtë kodeve e kanoneve që i kishte caktuar koha e shkrimit të viteve 60 e këndej, kur edhe u formua dhe u zhvillua si emër dhe si fenomen letrar ka shkruar Emin Azemi.
Beqir Musliu është ndër emrat e rrallë në letrat shqipe që la një trashëgimi të pasur e komplekse krijuese, e projektuar mbi një sistem autonom e autentik letrar.
Ai nuk ndoqi rrymimet e formimit letrar të kohës, por u përpoq të sjell një autorësi origjinale shkrimi që do të bazohej në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kulturologjik mbi resemantizimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur simbolikash poetike krejtësisht novatore, si për kohën kur u krijuan por edhe për të sotmen që ende nuk po mundet ta tejkalojë kondicionin e shprehjes dhe të gjuhës që ai la si gjurmë të pashlyera.
Fuqia magjike e fjalës së tij, i jep hirit të metaforës përtëritjen që ka zjarri i fjetur brenda deklishetizimit të fjalëformimit kontrastiv poetik, të tipit BUKURIA E ZEZË, DARKA E MAGJISË,TRENDAFILI I DRUNJT, MURIMI I BUTËSISË, DAULLET E QETËSISË etj.
Për të fjala më shumë se prodhim leksikor e gramatikor, ishte vetë pjesa organike e qenësisë, dhe mbi këtë postulat estetik Beqir Musliu projektoi një dimension të veçantë receptiv, i cili herë del si bashkëpjesëmarrës në eksplorimin e kujtesës arkeologjike e paleologjike ndaj historisë dhe aktualitetit, ndaj individit dhe kolektivitetit dhe herë del si fushë magnetike ku ndeshen alkimia e fjalës me horizontin e koduar kontemplativ të ironisë së gjuhës dhe simbolikës së saj.
Nëse dikur shkrimtarët i kishin shkruar veprat e tyre jashtë vëmendjes aktive të lexuesit dhe të kritikës letrare, kjo a mund të vlejë edhe për Beqir Musliun, ndaj të cilit më pak se vëmendje lexuesi, pati mungesë vëmendjeje nga studimet tona letrare, qofshin ato të autorëve e studiuesve , qofshin edhe të katedrave tona universitare e shkollore, (kush e njeh atë, bie fjala, në Shqipëri?) ku Beqir Musliu ende trajtohet vetëm si një shkrimtar hermetik.
Ka ardhur koha (madje jemi vonuar) ta njohim më tepër Beqir Musliun.
(e.a)
11 qershor 2022