Pensionohet Salihe Mustafa, përmbylli me dinjitet një kapitull të ndritur të jetës profesionale

Gjilan – Pas shumë viteve përkushtimi, lodhjeje dhe sakrifice në shërbim të profesionit dhe njerëzve, sot e përmbyll me dinjitet një kapitull të ndritur të jetës sate – si doktoreshë, drejtuese dhe njeri i devotshëm ndaj profesionit ka shkruar bashkëshorti i saj Naim Mustafa.
Postimi i plotë i Naim Mustafës:
Urime pensionimin, nuse e dashur!
Pas shumë viteve përkushtimi, lodhjeje dhe sakrifice në shërbim të profesionit dhe njerëzve, sot e përmbyll me dinjitet një kapitull të ndritur të jetës sate – si doktoreshë, drejtuese dhe njeri i devotshëm ndaj profesionit.
Si bashkëshort, kam qenë dëshmitar i çdo hapi, çdo sfide dhe suksesi që e ke përballuar me forcë, mençuri dhe dashuri. Ke qenë gjithmonë jo vetëm një nënë dhe grua e jashtëzakonshme për familjen tonë, por edhe një shembull frymëzimi për të gjithë ata që të kanë njohur.
Tani është koha që të kujdesesh për veten, të shijosh frytet e punës tënde të ndershme dhe të rrethohesh me dashurinë e fëmijëve, nipërve, mbesave dhe të gjithë atyre që të duan e të çmojnë ka shkruar Naim Mustafa.
Ndryshe, dr. Salihe Mustafa ishte deputete në Parlamentin e Republikës së Kosovës (2011-2014) dhe anëtare e komisionit për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale.
Salihe Mustafa me profesion stomatologe ka hyrë në politikë fillimisht si këshilltare komunale në vitet 2002-2006 nga radhët e PDK-së, për të qenë pastaj edhe në postin e nënkryetares së PDK-së në vitin 2005-2013.
Ajo me këtë bagazh edhe u kandidua për deputete në periudhën 2011-2014 ku edhe u zgjodh deputete e Parlamentit të Kosovës. Duke e parë punën e saj afirmative PDK vendosi që sërish ta kandidojë Salihe Mustafën.
Salihe Mustafa që nga viti 1987 ka punuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, kurse në periudhën 2001-2004 ishte udhëheqëse e shërbimit Stomatologjik.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 shërbeu si drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan.
Mustafa meqë ka qenë pjesë e komisionit për shëndetësi në Parlamentin e Kosovës në këtë komision ishte e angazhuar në amandamentimin dhe miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme si: Ligji për Dëshmorët dhe Invalidët e Luftës, Ligji për veteranët e UÇK, ligji i shëndetësisë, ligji i odave të profesionistëve shëndetësor, ligji i sigurimeve shëndetësore, ligji për pajisje dhe produkte medicinale.
Kontributi profesional në mjekësi dhe shëndetësi publike
Dr. SALIHE (Sabit) ABDYLI – MUSTAFA
Me rastin e përmbylljes së karrierës së saj profesionale dhe pensionimit
Dr. Salihe Abdyli–Mustafa lindi më 3 maj 1960 në fshatin Bukovik të Komunës së Gjilanit. Që në hapat e parë të arsimimit të saj, u dallua për përkushtim dhe vullnet të palëkundur për dije dhe shërbim ndaj të tjerëve. Arsimin fillor e përfundoi në Dobërqan – Miresh në vitin 1975 dhe të mesmin në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan në vitin 1980. Në vitin 1987, me përfundimin e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë – Seksioni i Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, fitoi titullin Doktor i Stomatologjisë, duke hedhur themelet e një karriere të shquar, që do të zgjasë për më shumë se tri dekada.
Kontributi profesional në mjekësi dhe shëndetësi publike
Karriera e Dr. Salihe Abdyli – Mustafa u karakterizua nga përkushtimi i pashoq në ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientët, integriteti profesional dhe përpjekjet e pareshtura për zhvillimin e shërbimeve të mjekësisë primare në Gjilan.
Në vitin 1987, ajo filloi punën si mjeke stomatologe në Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan, ku për një dekadë u angazhua aktivisht në kujdesin e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. Përkundër rrethanave të vështira politike të kohës dhe pamundësisë institucionale për të vazhduar specializimin, ajo gjeti rrugë për të mos u ndalur – dhe në vitin 1997 ndërmori iniciativën për të ndjekur specializimin në Ortopedinë e Nofullave (Ortodoncisë) me vetëfinancim.
Në vitin 2001, ajo përfundoi me sukses të lartë specializimin në Fakultetin e Mjekësisë – Dega e Stomatologjisë në Prishtinë, duke marrë titullin Specialiste e Ortopedisë së Nofullave, me punimin profesional mbi trajtimin ortodontik të klasës II/1 me metodën fikse Edgewise.
Pas kthimit në QKMF – Gjilan, përveç ofrimit të shërbimeve të specializuara për pacientë të të gjitha moshave, ajo u angazhua edhe në pozita menaxheriale, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në drejtimin e institucionit:
• Shefe e Shërbimit të Stomatologjisë (2002–2004), dhe
• Drejtoreshë e QKMF-së (2008–2010).
Në të dyja rolet, ajo kontribuoi në forcimin e strukturave të shërbimeve shëndetësore, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe menaxhimin e burimeve njerëzore me ndershmëri dhe vizion. Aftësia e saj për të udhëhequr me maturi dhe për të bashkëpunuar ngushtë me kolegët, ka lënë një trashëgimi profesionale të çmuar që do të vazhdojë të jetojë përtej pensionimit të saj.
Angazhimi shoqëror dhe politik – zë i fuqishëm në përfaqësimin qytetar
Kontributi i Dr. Salihe Abdyli–Mustafa nuk është kufizuar vetëm në fushën e mjekësisë. Ajo është angazhuar në mënyrë aktive edhe në jetën publike dhe politike, duke qenë zë i qytetarëve, veçanërisht për çështjet e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe barazisë gjinore.
Në vitin 2002, u zgjodh Këshilltare në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ku u angazhua si anëtare e Komitetit për Shëndetësi dhe Çështje Sociale. Ky ishte vetëm fillimi i një karriere të suksesshme përfaqësimi publik.
Në vitin 2010, ajo u zgjodh për herë të parë Deputete në Parlamentin e Republikës së Kosovës për mandatin 2011–2013, ku shërbeu në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Kontributi i saj në këtë periudhë përfshiu:
• Hartimin dhe avancimin e politikave shëndetësore dhe sociale;
• Promovimin e standardeve profesionale për punonjësit shëndetësorë;
• Mbrojtjen e interesit të pacientëve dhe grupeve të cenueshme.
Në vitin 2014, ajo u rizgjodh Deputete për mandatin 2014–2017 dhe ushtroi detyrën si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Në këtë funksion, u angazhua në:
• Nxitjen e ligjeve për barazi dhe drejtësi sociale;
• Mbrojtjen e të drejtave të grave dhe personave të zhdukur;
• Avokimin për trajtim dinjitoz të secilit qytetar, pavarësisht gjinisë, statusit apo përkatësisë.
Përmbyllje – Falënderim dhe mirënjohje për një jetë në shërbim të të tjerëve
Me përfundimin e detyrës së saj zyrtare dhe kalimin në pension, Dr. Salihe Abdyli – Mustafa lë pas një karrierë të pasur, dinjitoze dhe të admiruar në mjekësi, administratë publike dhe politikë. Ajo përfaqëson një brez profesionistësh dhe qytetarësh që kanë ndërtuar dhe mbrojtur vlerat e dijes, shërbimit publik dhe përkushtimit njerëzor në kushte shpeshherë sfiduese.
Trashëgimia e saj përfaqësohet jo vetëm nga rezultatet konkrete të punës, por edhe nga shembulli i ndershmërisë, përkushtimit dhe dinjitetit që ka dhënë gjatë gjithë jetës së saj profesionale dhe shoqërore. Ajo mbetet një figurë frymëzuese për brezat e rinj të profesionistëve në mjekësi, të rinjve që synojnë përfshirjen në jetën publike, si dhe për të gjithë ata që besojnë në forcën e punës së ndershme dhe përkushtimit për të mirën e përbashkët.
Në emër të kolegëve, institucioneve dhe komunitetit që ka shërbyer me përkushtim, i shprehim mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë për kontributin shumëvjeçar. Pensionimi i saj është një pikë ndalese për reflektim dhe falënderim, por edhe një dëshmi e jetës plot vlera që ajo ka ndërtuar me përkushtim të rrallë./rajonipress/