Beqaj për reformën zgjedhore: Thaçi po mundohet ta shpëtojë veten

Në takimin që presidenti Hashim Thaçi i kishte ftuar partitë politike për të folur rreth Reformës Zgjedhore, kanë munguar partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën.
Mos përgjigja e tyre ndaj ftesës së presidentit, nga politologu Belul Beqaj shihet si një mos pajtim i radhës mes pozitës dhe opozitës, që sipas tij, vetëm sa do ta thellojë degradimin e shtetit.
Sipas Beqajt, zgjedhjet nuk do t`i ndryshonin raportet, por do ta kishin shmangur konfliktin e brendshëm.
“Pushteti mund të vazhdojë qeverisjen pa opozitën dhe opozita mund të anashkaloj pushtetin duke thelluar bashkërisht krizën, por kjo vetëm sa e degradon shtetin. Prandaj, duhet kuptuar se vetëm kompromisi është zgjidhje. Zgjedhjet nuk do të ndryshojnë shumë raportet ,as që do të eliminojnë shakqet e mirëfillta të krizës,por ato potencialisht mund të shmangin konfliktin e brendshëm. Prandaj, në mungesë të alternativës me racionale kjo është zgjidhja më pak e dhimbshme”, është shprehur ai në një prononcim për “Indeksonline”.
Beqaj ka thënë se është skeptik për konsolidim të Kosovës, kur lidershipi kosovar ka vizion vetëm interesin personal.
“Nëse vazhdon ky trend, Kosova po i përmbushë, cdo ditë e më shumë, veçoritë e shtetit të dështuar. Lidershipi vizionar duhet të kuptoj me kohë këtë rrezik nëse nuk dëshiron, qysh nesër, të akuzohet si shkaktarë të dështimit të shtetit të Kosovës. Por, mjerisht, vizioni i tyre fillon dhe përfundon te interesi personal. Prandaj jam skeptik se Kosova mund të shkojë drejt konsolidimit”, ka shtuar ai.
Beqaj ka kujtuar kohën kur Thaçi ka qenë nënshkrues i marrëveshjes për reformën e sistemit zgjedhor për pesë muaj, kohë kjo kur Behgjet Pacolli është larguar nga posti i tij si president.
Atë kohë, thotë Beqaj, Thaçit i ka konvenuar ajo marrëveshje, kurse sot ai po mundohet ta shpëtojë veten.
“Zoti Thaçi kohet e fundit cdo veprim që e ndermerr paraprakisht mendon per fatin e vet. Pra, lexuesve ju kujtohet se ai ka qenë nënshkrues marrëveshjes për reformën e sistemit zgjedhor për pesë muaj, kur larguar Z.Pacoli nga posti presidentit. Por, sic dihet, edhe pse kaluan disa vjet nuk është ndërmarr asgjë. Pse ?!. Ngase, ndërkohë ai është bërë president !.Nuk është ndërmarr asgjë meqë i ka konvenuar. Tash po bënë këtë përpjekje për të shpëtuar veten”, është shprehur tutje Beqaj për “Indeksonline”.
Sipas tij, kjo edhe është arsyeja pse opozita mendon se prioritet janë zgjedhjet e jo reforma zgjedhore./Indeksonline/