Eko Higjiena

Benjamini dardan në Japoni

/ 8 minuta lexim

Benjamin Kololli po kalon vitin e tij të dytë larg Evropës, pasi në verën e vitit 2021 ai vendosi të transferohet në Azi, më saktësisht te skuadra japoneze Shimizu S-Pulse.

Pasi kaloi krejt karrierën e tij në shtetin ku u lind Zvicër, Kololli vendosi të provoj një aventurë të re, aventurë krejt ndryshe pasi shkoi larg familjes, larg shoqërisë dhe larg vendit ku u lind dhe vendit të origjinesë.

Ndryshoi kontinent, por ai tani kur kanë kaluar 22 muaj në Japoni nuk është pishman për këtë vendim që ka marrë, pasi është shumë i lumtur te skuadra e tij dhe në Japoni.

Në një intervistë për Telegrafin, mesfushori kosovar ka folur për të gjitha, jetën në Japoni, aventurën te skuadra e tij e re, përfaqësuesen e Kosovës, por edhe të ardhmen e tij.

“Si çdo fillim edhe i imi ka qenë i vështirë në Japoni, por gradualisht gjërat kanë ardhur në vend dhe jam shumë i lumtur këtu”, thotë fillimisht Kololli.

“Ambientimi mund të them se ka qenë i lehtë, pasi Japoninë e konsideroj si Zvicër të Azisë duke marrë parasysh që populli japonez është një popull i qetë dhe shumë punëtorë si zviceranët dhe shumë gjëra të tjera janë të njëjta”.

Kololli thotë se ka mësuar edhe disa fjalë japonisht, kryesisht që i duhen për futboll, pasi gjuha japoneze për tu mësuar është jashtëzakonisht e vështirë.

“Sa i përket gjuhës është shumë e vështirë. Ta mësosh japonishten duhet patjetër të fillosh shkollimin nga niveli më i ulët pasi është shumë e vështirë. Megjithatë unë kam mësuar disa fjalë kryesisht që lidhen me futbollin dhe që janë të domosdoshme në fushë”, vazhdoi tutje Kololli.

I kënaqur me kushtet, ka përkthyesin 24 orë në dispozicion, tani në Japoni është edhe familja e tij

Kololli kur vendosi t’i bashkohej skuadrës japoneze Shimizu S-Pulse kishte parë projektin e klubit dhe natyrisht kushtet e punës dhe ato të kontratës.

Mesfushori me prejardhje nga Lipjani është fascinuar nga gjitha kushtet që janë në futbollin japonez.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem në një klub të tillë, ku nuk mungon asgjë. Stadiumet janë tjetër nivel me Zvicrën apo shumë vende të tjera evropiane. Klubi ka qendër të jashtëzakonshme stërvitore ku janë kushtet më të mira të mundshme. Jam i bindur që shumë klube me emër të madh në Evropë nuk kanë kushte më të mira se që ka Shimizu”, thotë Kololli.

Ai ka një përkthyes personal gjatë gjithë kohës, që është me të në klub, por edhe sa herë që del në qytet në kohën e lirë.

“Çdo gjë në klub është e përkryer. Unë kam një përkthyes gjatë gjithë kohës në klub, por atë e kam në dispozicion edhe kur dali në qytet. Jo vetëm unë, por edhe katër futbollistët tjerë të huaj që janë brazilianë secili ka nga një përkthyes, derisa trajneri ka dy përkthyes”, thotë Kololli.

Në fillim ai ishte i vetëm në Japoni, por tani është me familjen e tij dhe shumë i lumtur.

“Tani jam me familjen këtu, me bashkëshorten dhe vajzën. Të gjithë jemi të lumtur në Japoni dhe është një vend që ndihemi rehat dhe të kënaqur”, tha Kololli.

Viti i parë i mirë, tani nuk po ka shumë hapësira

Në vitin e tij të parë në Japoni, Kololli luajti shumë dhe arriti të kontribuoi edhe me gola e asistime.

Në 24 ndeshje zyrtare me fanellën e Shimizu S-Pulse, ylli kosovar realizoi katër gola dhe dhuroi tre asistime, por skuadra e tij ra nga elita e futbollit japonez.

Përkundër se ekipi ra një kategori më poshtë, ai thotë se nuk i shkoi ndërmend të largohet.

“Asgjë nuk ka ndryshuar edhe pse kemi rënë nga kategoria,as kontrata e as kushtet pasi klubi ka për qëllim të rikthehet menjëherë në elitën e futbollit japonez”.

“Këtë vit po kam disa probleme me trajnerin pasi nuk po kam hapësirat e duhura, edhe pse mendoj që meritoj më shumë të luaj”, thotë Kololli.

Ndeshjen e fundit anësori nga Kosova realizoi një gol spektakolar, ku Shimizu S-Pulse barazoi 1-1 në udhëtim te Urawa Reds.

“Ishte një gol shumë i bukur, për më tepër që shmangëm humbjen jam shumë i lumtur që shënova”, thotë Kololli për Telegrafin.

30-vjeçari ka luajtur në katër ndeshje këtë edicion duke realizuar një gol, por kryesisht i inkuadruar nga banka rezervë.

“Më mbetet që të vazhdoj të punoj shumë dhe ta bindi trajnerin se e meritoj të jem në fushë më shumë. Jam i bindur se kjo do të ndodhë”, vazhdoi tutje Kololli.

Mobi Casa

Priti ftesë nga Kosova, por i dëshpëruar që askush nuk e kontakton dhe nënvlerësohet futbolli në Azi

Kosova luajti dy ndeshjet e para në kampanjën kualifikuese për Euro 2024, ndaj Izraelit dhe Andorrës.

Kololli ka vazhduar të injorohet nga trajneri Alain Giresse dhe grumbullimi i tij i fundit ishte në muajin qershor të vitit të kaluar ku nga katër ndeshje luajti vetëm 33 minuta.

“Normal që kam pritur një ftesë. Secili futbollist pret ftesën nga Kombëtarja, pasi të luash me Kombëtaren është ndjenja më e mira në botë”, tha Kololli.

“Nuk duhet nënvlerësuar futbolli në Azi, pasi është një nivel shumë i lartë dhe luajnë futbollist me emër. Jam i bindur që futbolli në Japoni është më lart se ai në Zvicër dhe disa kampionate tjera ku grumbullohen lojtarët në Kombëtare”.

“Mendoj që duhet të kenë më shumë respekt për futbollin aziatik dhe unë kam ardhur këtu pasi ka cilësi jo për pushime”, thotë Kololli.

Kololli është një nga ata futbollistët që ka luajtur në shumë pozita te Kosova, në dy krahët e mbrojtjes, në dy të mesfushës, sulmues anësorë e sulmues qendror.

Megjithatë tani që ndodhet në Japoni ai nuk kontaktohet nga askush prej Kosovës, së paku për ta pyetur rreth gjendjes së ti apo si po kalon në klub, lëre më për ta ftuar.

“Jo, jo. Askush nuk më ka kontaktuar fare që një vit. Normal kontaktin e kam vetëm me futbollistët që i kam shokë. Sa i përket trajnerit apo drejtuesve askush nuk më ka kontaktuar dhe mendoj që kjo nuk është e drejtë”.

“Jam një futbollist që kam dhënë kontribut të madh te Kosova, por kjo nuk i ka bërë përshtypje askujt si duket përderisa nuk më shkruan apo telefonon askush së paku për të më pyetur si je. Futbollistët që kanë dhënë kontribut të madh ndër vite duhet respektuar”, thotë Kololli.

Sa i përket shikimit të ndeshjeve, Kololli thotë se nuk po mundet t’i shikojë të gjitha shkaku i kohës, pasi në Japoni është shtatë orë përpara se në Evropë.

I dëshpëruar me rezultatet e marsit, pret ftesë në qershor

Kosova luajti baras 1-1 me Izraelin në udhëtim, derisa bëri një paraqitje të shëmtuar ndaj Andorrës dhe barazuam në Prishtinë me të njëjtin rezultat edhe me kundërshtarin më të dobët të grupit.

Kololli ka thënë se rezultati në Izrael është i mirë, por barazimi ndaj Andorrës është shumë i rëndë.

“Sa i përket ndeshjes së parë isha i lumtur që barazuam edhe pse krijuam disa raste ku mund t’i merrnim tre pikët. Ndërkohë për duelin ndaj Andorrës mendoj që është dështim barazimi, pasi askush nuk e ka menduar se do të ndaleshim nga Andorra”.

“Gjithsesi ka edhe shumë ndeshje dhe nuk është i pamundur kualifikimi në Euro 2024, për të bërë një ëndërr të madhe realitet”, u shpreh Kololli.

Dardanët në qershor luajnë dy sfida tjera të rëndësishme, pasi presin Rumaninë dhe luajnë në udhëtim te Bjellorusia.

“Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për Kosovën dhe gjithmonë do të jem. Uroj që të luaj sa më shumë, mos të kem lëndime dhe normalisht që pres ftesë pasi secili futbollist pret ftesën e Kombëtares. Të shohim si po rrjedhin gjërat”, tha Kololli.

Kololli ka zhvilluar 24 ndeshje me fanellën e Kosovës ku ka realizuar katër gola e ka një asistim.

E ardhmja do të jetë sërish në Japoni?

Krejt në fund ish-anëtari i Zurichut, Young Boysit, Laussanes e Sionit deklaroi se ka kontratë me Shimizu S-Pulse deri në janar të vitit të ardhshëm, derisa e sheh të ardhmen e tij në Japoni.

“Unë kam kontratë njëherë deri në fund të janarit të vitit 2024 me klubin aktual ku jam shumë i lumtur”.

“Do ta respektoj fillimisht kontratën e pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë pasi nuk i dihet asnjëherë se çfarë sjellë e ardhmja”.

Qëllimi i tij është të mbetet në Japoni, por nuk përjashtohet edhe rikthimi në Evropë.

“Deri më tani jam shumë i lumtur me gjithçka në Japoni dhe qëllimi është të mbetem këtu, por varet krejt se çfarë oferta do të ketë”, përfundoi Kololli. /Telegrafi/