Behar Mehmeti: LDK nuk e ka krejt mirë

Gjilan – Behar Mehmeti drejtor i shërbimeve publike ka mohuar akuzat e LDK-së rreth shërbimeve për qytetarët tek trotuaret, parkingjet dhe mirëmbajtja e rrugëve. Mehmeti tha se LDK nuk e ka krejt mirë sepse gjërat duken ndryshe në teren. Sipas një anketimi të kryer nga MAPL dhe USAID shërbimet e qytetarëve në Gjilan janë në trend të rritjes krahasuar me përqindjen në nivel të Kosovës tha ai.
Shërbimet ndaj qytetarëve në rajonin e Gjilanit për vitin 2012 janë në trend të rritjes krahasuar me vitin 2011. Dhe këto shërbime dhe kjo kënaqshmëri e qytetarëve është testuar nga MAPL dhe USAID dhe nuk janë as komente e as dëshira tonat. Kështu u shpreh në një konferencë për medie drejtori i shërbimeve publike Behar Mehmeti.
Mehmeti duke ju referuar një anketimi të kryer nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe USAID që ka të bëjë me parkingjet, trotuaret, ndriçimin publik, sinjalizimin e rrugëve, gjendjen e rrugëve etj, del se me këto shërbime gjilanasit janë të kënaqur mbi mesataren e përqindjes që ekziston në nivel të Kosovës.
Sipas Mehmetit mbi 77 % e qytetarëve janë të kënaqur me shërbimet publike në përgjithësi. Sa i përket gjendjes së rrugëve mbi 68.50 % e qytetarëve janë të kënaqur sikurse edhe me sinjalizimin horizontal e vertikal. Edhe me parkingjet qytetarët janë shprehur të kënaqur me një përqindje prej 45 %.
Edhe me trotuare gjilanasit janë shprehur të kënaqur në masën e 63 % , që i bije se jemi komuna e parë në Kosovë. Ngjashëm është edhe me parqet dhe sheshet që përqindja për vitin 2012 shkon në 67 % tha Mehmeti.
Kurse me transport publik qytetarët kanë dhënë një përqindje prej 76 %. Duke bërë një rikapitulim të këtij anketimi Mehmeti tha se Gjilani mund të mburret me këtë nivel të cilësisë së shërbimeve që e ka në të gjithë sektorët publik. Dhe vërehet një rritje e trendit tek ndriçimi publik që kemi një përqindje prej 66 %.
Duke pasur për bazë këta parametra premtues dhe realisht edhe të kënaqshëm mund të konstatojë se akuzat e LDK-së nuk janë të sakta. “LDK nuk e ka krejt mirë sepse gjendja në teren duket krejt ndryshe. Gropa të vogla mund të gjesh në çdo shtet të botës e rëndësishme është që kujdesi institucional për të mirëmbajtur shërbimet publike ka qenë maksimal dhe për këtë janë deklaruar edhe vet qytetarët” tha Mehmeti.
Mehmeti tha se nuk brengoset fort për akuzat e LDK-së. “Tek e fundit mua nuk më bëjnë përshtypje akuzat e partive politike, mua më intereson çka kanë thënë qytetarët dhe vlerësimi i tyre për punën tonë është një barometër tejet inspirues” tha Mehmeti./rajonipress/