KKGJILAN

Bedri Hamza më së shumti pikë për guvernator

/ 3 minuta lexim

Ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, ka marrë më së shumti pikë nga paneli intervistues për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK). Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, të afërta me procesin e përzgjedhjes së guvernatorit.

Sipas këtyre burimeve, pas Hamzës, i dyti në listë me më shumë pikë është guvernatorit aktual, Gani Gërguri, ndërsa i treti zëvendësguvernatori, Nexhat Kryeziu.Pas intervistimit të shtatë kandidatëve në garë për guvernator, paneli ka dërguar në Polici emrat e tre kandidatëve të vlerësuar maksimalisht për guvernator për ta bërë verifikimin e historikut të tyre.

“Pas përfundimit të intervistimit është bërë edhe verifikimi i historikut të tyre dhe tash emrat e dy apo tre kandidatëve me më shumë pikë do t’i dërgohen Qeverisë dhe Kuvendit për aprovim”, bën të ditur burimi i “Zëri-t”.Në konkursin e shpallur për guvernator të BQK-së kanë konkurruar shtatë kandidartë: Bedri Hamza , Valentin Toçi, Xhemajl Gashi, Gani Gërguri, Flamur Keqa dhe Nexhat Kryeziu.

Pak ditë para se të mbyllet konkursi për guvernator, Bedri Hamza kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Financave, me ç’rast kishte konkurruar për ta marrë “timonin” e BQK-së.

Eco Higjiena

Ndonëse kjo e fundit është institucion i pavarur dhe i pandikuar politikisht, Hamza edhe pas konkurrimit për guvernator nuk kishte qëndruar larg aktiviteteve partiake. Në Konventën e fundit zgjedhore të PDK-së të mbajtur muajin e kaluar, Hamza ishte ulur në rreshtin e parë, përkatësisht pranë kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli dhe ka qenë pjesë e votimit për kryetarin e ri të kësaj partie, Hashim Thaçit, ndërsa më pas Veseli është zgjedhur nënkryetar i parë i PDK-së.

Përndryshe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), pasardhëse e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, është subjekt juridik publik bazuar në nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës dhe të dispozitave të këtij ligji, që ka autonomi administrative, financiare dhe menaxhuese.
Objektivi parësor i Bankës Qendrore është të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave. Objektiv shtesë i Bankës Qendrore, i cili i nënshtrohet objektivit parësor të saj, është të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore.

Pa paragjykuar arritjen e këtyre objektivave, Banka Qendrore mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë. BQK vepron në pajtim me parimin e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë, duke favorizuar shpërndarjen efikase të resurseve.(zeri)