BE-ja investon në arsiminin dhe punësimin e të rinjve në Kosovë

Shumë projekte të Bashkimit Evropian janë të fokusuara në edukimin dhe punësimin e rinisë në Kosovë.
Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Ky fakt përmendet jo rrallë, prandaj s´është për t´u habitur përse kaq shumë projekte të Bashkimit Evropian janë të fokusuara në edukimin e rinisë, punësimin dhe kulturën urbane.
Kështu mendon Christof Stock nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.
“Projektet kryesore në fushën e edukimit, përfshirë edhe mbështetjen në programin e ndërtimit të shkollave, kapin vlerën prej 5 milionë eurosh, ndërsa në infrastrukturën komunale BE-ja planifikon të investojë 14 milionë euro shtesë në 12 shkolla dhe në 2 çerdhe fëmijësh”, tha Stock për DW.
Bashkimi Evropian po mbështet Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë për modernizimin e kurikulave për arsimin parauniversitar dhe në trajnimin e mësimdhënësve, për këtë qëllim vetëm në 4 vjetët e kaluar janë investuar rreth 6 milionë euro.
Ndërsa, për arsimin e lartë nëpërmes programeve për studentët Tempus and Erasmus Mundus BE-ja ka dhënë ndihma shtesë prej 2.5 milionë euro brenda vitit.
“40 shkolla dhe institucione arsimore janë pajisur me mjete të tekonologjisë së informacionit dhe komunikimit në vlerë prej 1 milion eurosh“, tha Stock.
1.900 mësimdhënës janë trajnuar për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe mësimin në klasë. Rreth 50 për qind e të rinjve të përfshirë në trajnimin profesional, pas trajnimit tremujor kanë gjetur punë.
Ndërsa, investimi më i madh i BE-së në punësimin e të rinjve është projekti “EU KOSVET VI” në vlerën prej 3,7 milionë eurosh, në të cilin pjesa dërmuese e trajnerëve janë të moshës 17 – 35 vjeç.
“Një shumë e veçantë prej 2 milionë eurosh nga skema e granteve të BE-së është dhënë për të ndihmuar gjetjen e mundësive të punësimit afatgjatë për grupe të papunësh, të cilët janë të kërcënuar nga përjashtimi social”, thotë Stock.
„Nga projekti ‘EU KOSSVET VI’ 1.656 të rinj janë trajnuar në fushën e marketingut, menaxhimit, shitjes, financave, në përgatitjen e planit të biznesit, në themelimin e një ndërmarrjeje, si dhe në mbajtjen afatgjatë të kompanive me përfitim”, tha Behxhet Gaxhiqi, zyrtar në Ministrinë për Mirëqenie Sociale në Kosovë.
Ndërsa, Shkelzen Draga nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, tha se nga programi i bashkëfinancuar ‘EU KOSSVET VI’, janë financuar 40 plan-bizneset më të mira të të rinjve, të cilët kanë ndjekur trajnimin për sipërmarrje në vlerë prej 1 milion eurosh, janë kualifikuar 400 të rinj për sipërmarrje.