BE e shqetësuar për operacionet e fundit në veri të Kosovës

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj operacioneve të fundit të autoriteteve të Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke i cilësuar si veprime që rrezikojnë të rrisin tensionet ndëretnike dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Në një deklaratë zyrtare të BE-së, Brukseli shpreh shqetësim të veçantë për inspektimet dhe mbylljet e shërbimeve publike, përfshirë kompanitë që ofrojnë ujë të pijshëm dhe shërbime bazike për komunitetet lokale.
Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.
“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit të policisë në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në reagim, në të cilin në veçanti është përmendur shqetësimi për operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe për mbylljen e fabrikës në Zubin-Potok.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese”, thuhet më tej në reagim.
BE-ja në reagim ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me konstruktivitet në implementim të marrëveshjes për normalizim dhe implementim të aneksit, si dhe të marrëveshjeve të tjera “pa vonesa dhe pa parakushte”. Këtu ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ky reagim vjen në një kohë kur tensionet në veriun e Kosovës janë rritur ndjeshëm, pas një sërë aksionesh policore që janë kritikuar jo vetëm nga Bashkimi Evropian, por edhe nga partnerë ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/