ARKATANA

BE dhe Ballkani, pa konsensus për politikat e zgjerimit

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Naim Gashi – Bashkimi Evropian vetëm deklarativisht ofron aspirata për procesin e zgjerimit edhe në vendet e Ballkanit, ndërsa lidershipi në vendet e Ballkanit procesin e zgjerimit e përdor vetëm për grumbullimin e votave gjatë proceseve zgjedhore, por edhe për të anashkaluar temat me të cilat përballen popujt në këto vende, siç janë mungesa e zhvillimit ekonomik, papunësia, standardi i ulët i jetesës, mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni etj.

Zyrtarët në Bruksel e kanë gojën plotë nocione, tashmë që janë bërë demode siç janë: “Dera e BE-së është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit”; “Porsa të plotësohen kushtet të gjitha vendet e Ballkanit do të anëtarësohen” etj. Por, në fakt, kriza financiare dhe problemet që ka BE-ja me deficitet e buxheteve të vendeve anëtare, e ka lënë procesin e zgjerimit në plan të dytë. Kur ia shtojmë kësaj edhe problemet që i janë shkaktuar BE-së që nga viti 2007, kur u pranuar Rumania dhe Bullgaria, atëherë procesi i zgjerimit për vendet e Ballkanit, përjashtuar Kroacinë, konsiderohet një punë “që duhet lënë për më vonë”.

Është e nënkuptueshme se procesi i zgjerimit varet nga aspirata që ofron Brukseli zyrtar për vendet e Ballkanit, por edhe nga gatishmëria e vendeve të Ballkanit për t’i plotësuar kriteret e kërkuara në procesin integrues. Asnjëra palë, as Brukseli dhe as vendet e Ballkanit, nuk e marrin me përkushtim procesin e zgjerimit. BE-ja nëpërmes kritereve të cilat i bën më të ashpra çdo vit, dëshiron që procesi i zgjerimit në Ballkan, pas pranimit të Kroacisë, të vazhdojë kur të rregullohen “disa punë brenda shtëpisë”, kryesisht të karakterit ekonomik dhe të sigurisë, por edhe për shkak të problemeve të brendshme politike, migracionin në rritje etj. Krerë shtetesh dhe qeverive të vendeve anëtare të BE e kanë përmendur vitin 2020 si mundësi për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkan, por deri atëherë nëpërmes instrumenteve të paranëtarësimit Brukseli synon që të mbajë gjallë aspiratën integruese.

Nga ana tjetër, krerët e shteteve në Ballkan me politikat e tyre, sidomos në vitet e fundit, kanë dëshmuar se procesi i aderimit në familjen evropiane, është në plan të dytë. Nëse nuk joshen me projekte investuese në vitet e ardhshme, euroskepticizmi në klasat politike të këtyre vendeve, por edhe tek qytetarët e rëndomtë, do të rritet.

Rasti i Kosovës

Problemeve të ngjashme me vendit e Ballkanit, siç janë mungesa e sundimit të ligjit, papunësia, zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik, problemet etnike etj., në rastin e Kosovës rrugën evropiane e rëndon edhe më shumë mosnjohja e saj nga të gjitha vendet anëtare dhe pamundësia për të marrë pjesë në të gjitha iniciativat evropiane dhe rajonale. Mungesa e unitetit në BE për njohjen e Kosovës, e vështirëson edhe më shumë këtë rrugë. Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian (tetor 2012), i cili ishte shumë afirmativ për rrugën evropiane të Kosovës dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së (dhjetor 2012), të cilat ishin një kthim prapa për këtë proces, dëshmojnë se sa është e përçarë BE-ja në rastin e Kosovës.

Të qenit i vetmi vend në Ballkan me regjim vizash, kosovarët e ndiejnë vetën të harruar nga BE-ja. Por, edhe klasa politike në Kosovë, në pozitë dhe opozitë, procesin e integrimit evropian e kanë më tepër retorikë politike, për të ikur nga problemet reale me të cilën ballafaqohet popullata, siç është mungesa e sundimit të ligjit, papunësia, niveli i ulët në arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale, korrupsion në nivel të lartë etj.

Nëse ia shtojmë të gjitha këtyre edhe skandalet e njëpasnjëshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është bartësja kryesore e plotësimit të kritereve evropiane, atëherë kjo rrugë është edhe me e largët. Agjenda evropiane në Kosovë duhet të bartet nga retorika politike, në politikë sektoriale, ta zëmë: rendin dhe ligjin duhet ta përmirësojmë, për të mirën tonë – pikë së pari, dhe njëkohësisht, për të ecur përpara në procesin integrues. Zhvillimi i sektorëve të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, mjedisit, administratës publike etj., janë interes i zhvillimit dhe perfeksionimit të shtetit, por njëkohësisht edhe plotësim i kritereve të BE-së, për të ecur përpara në rrugën integruese.

Rasti i Serbisë

Është jashtëzakonisht delikat. Politika e fqinjësisë së mirë, si një nga kriteret bazë për përparim në rrugën e integrimeve, është shumë degraduese për Serbinë. Joshja e serbëve të Bosnjës me politika separatiste nga Beogradi, problemet në Luginë të Preshevës, relacionet e tensionuara me Kosovën, problemet me autoritetin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe Maqedoni, e bëjnë këtë vend mjaft problematik për fqinjët e saj dhe për procesin integrues. Pretendimet territoriale dhe obstruksionet ndaj shtetit të Kosovës, si një projekt i përbashkët ndërmjet kosovarëve dhe ndërkombëtarëve, ardhja në pushtet e nacionalistëve (në programet e të cilëve ende zënë vend lidhjet me Rusinë), e largojnë Serbinë nga rruga integruese.

ARKATANA

Rasti i Shqipërisë

Shqipëria është shembulli legjendar se si një vend, pa fajin e të tjerëve, vetë i stopon proceset integruese. Gjatë tre vjetëve të fundit Shqipëria ka vendnumëruar në procesin integrues, për shkak të mospajtimeve ndërmjet pozitës dhe opozitës për zbatimin e legjislacionit të kërkuar nga BE-ja, por edhe për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit që ka kapluar qeverinë aktuale. Pamjet televizive të zëvendëskryeministrit të mëparshëm të Shqipërisë (Ilir Meta), duke numëruar dengje me mijëra euro të korruptuara dhe shpallja e pafajshme e tij, e largojnë Shqipërinë nga rruga evropiane. Veprimet e kryeministrit aktual të Shqipërisë për t’i nënshtruar institucionet e pavarura (Presidencën, Prokurorinë, Policinë, KQZ etj.), janë goditja e fundit ndaj demokracisë shqiptare dhe rrugës së saj evropiane.

Rasti i Maqedonisë

Qëndrimi qeverisë së Maqedonisë karshi problemit për emrin me Greqinë dhe politikat nacionaliste të udhëhequra nga kryeministri aktual, e bëjnë këtë shtet jo të denjë për procesin integrues. Duke marrë parasysh se Greqia është vend i BE-së me të drejtë vetoje për të gjitha vendimet, atëherë politika provokuese e Shkupit ndaj Athinës, siç ishte rasti me emërtimin e aeroportit të Shkupit me emrin Aleksandri i Madh, por edhe ngritja e përmendoreve në qendër të qytetit, i ka acaruar marrëdhëniet Shkup-Athinë dhe ka vështirësuar procesin integrues. Dhuna e ditëve të fundit nëpër rrugët e Shkupit dëshmon se ky vend ka probleme të pazgjidhura etnike, pa zgjidhjen e të cilave duhet ta harrojë përparimin në procesin integrues.

Rasti i Bosnjë Hercegovinës

Ky shtet, me ndarjet e mëdha etnike dhe religjioze, me politikanë nacionalistë, agjendën evropiane e konsiderojnë çështje dytësore. Madje, kryetarët e njësive federative nuk i kanë fshehur ambiciet e tyre për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e serishme të Bosnjës, që bie ndesh me parimet e përcaktuara nga BE-ja. Të qenit funksional i këtij shteti është shumë larg, prandaj aspirata për BE konsiderohet një rrugë që nuk i duket fundi.

Rasti i Malit i Zi

Për dallim nga vendet tjera, vitet e fundit Mali i Zi është lavdëruar nga Brukseli për shpejtësinë e zbatimit të reformave të nevojshme. Një nga problemet kryesore në këtë vend është një burokraci shtetërore e instaluara para dy dekadash dhe niveli i korrupsionit në shkallë të lartë. (naim@kosovain.eu)

(Autori është ekspert i makro-ekonomisë. Ai është menaxher i platformës Kosovain.eu)