Eko Higjiena

Bankat thyejnë rekord, për gjashtë muaj fituan 67.5 milion euro

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Sektori bankar në gjysmën e parë të vitit 2022 realizoi fitim në vlerë prej 67.5 milionë euro, vlera më e lartë e regjistruar që nga themelimi i sektorit bankar për periudhën e gjashtëmujorit të parë. Këto të dhëna janë publikuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ky rezultat financiar i atribuohet rritjes më të lartë të të hyrave, mbështetur nga rritja e përshpejtuar e kreditimit, dhe njëkohësisht, rritjes më të ulët të shpenzimeve. Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 168.9 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.6 për qind (11.1 për qind një vit më parë).”, thuhet në raport.

Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor, sipas raportit të BQK-së, kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 71.2 për qind të gjithsej të hyrave. “Në kuadër të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kishin kontributin kryesor në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit. Për dallim nga periudhat e kaluara, me rritje mjaftë të lartë u karakterizuan të hyrat nga interesi prej mjeteve të mbajtura në bankat tjera, që mund të jenë ndikuar nga rritja e normave të interesit në depozita. Përderisa, kategoria e të hyrave nga jo interesi shënoi rritje më të ngadalësuar krahasuar me një vit më parë, prej 13.3 për qind (23.9 për qind në qershor 2021), dhe arritën në vlerën prej 42.1 milionë euro kryesisht rezultat i arkëtimeve nga tarifat dhe komisionet.”, thuhet në raport.

Mobi Casa

Për dallim nga viti i kaluar, sipas vlerësimeve të BQK-së, gjithsej shpenzimet e sektorit bankar u rritën 6.1 për qind deri në qershor 2022 (rënie prej 1.1 për qind në qershor 2021) dhe arritën vlerën prej 101.4 milionë euro. Kontributin në këtë diferencë e kishte rritja e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative prej 8.6 për qind që kryesisht reflekton rritjen e shpenzimeve të personelit për 11.9 për qind. Kjo rritje sugjeron për rritjen e pagave të punonjësve në sektorin bankar, e cila mund të jetë korrigjim për rritjen e çmimeve në vend. Në anën tjetër, kategoria e shpenzimeve të jo interesit shënoi rënie të theksuar në krahasim me vitin paraprak, kryesisht për shkak të zvogëlimit të shpenzimeve për provizioneve për humbjet e mundshme në kredi.

Po ashtu sipas këtij raporti normat e interesit në kredi ndaj korporatave jo financiare në qershor 2022 qëndroi në 6.1 për qind, për 0.2 pikë përqindje më e lartë se në periudhën e njëjtë të një viti më parë. /IndeksOnline/