Rashiq: Pres që ndalesa për importin e mallrave nga Serbia të hiqet
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se Qeveria e Kosovës do ta heqë ndalesën për importin e mallrave nga Serbia, edhe pse, siç tha ai, ajo ndalesë teknikisht nuk ekziston.
Rashiq u shpreh i bindur se ndalesa do të shfuqizohet.
“Qeveria e Kosovës sigurisht që do ta heqë ndalesën, edhe pse teknikisht nuk ekziston si e tillë. Ju ndoshta e dini që problemi është i natyrës së sigurisë dhe ju kujtoj sërish se unë shkova në Hamburg para dy muajsh me kryeministrin që t’i merrnim ato sistemet më të sofistikuara nga Gjermania. Ato do të përdoren për kontrolle të mundshme të ngarkesave që vijnë nga anë të ndryshme, për t’u siguruar se nuk ka, do t’i quaja, mjete që mund të përdoren për qëllime të tjera. Do të shfuqizohet me siguri, por kur, në këtë nuk mund ta them”, tha ministri Rashiq për RTK2.
Ai shprehu shpresën se kjo do të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, teksa shprehu shpresën se në samitin e Berlinit do të ketë edhe një gjë tjetër shumë më domethënëse për komunitetin serb në Kosovë, e që është nostrifikimi i diplomave të Serbisë.
“Me arsye, pritet që kjo të jetë pjesë e procesit të Berlinit, sepse përveç heqjes së ndalesës, pres edhe diçka shumë më domethënëse për ne, që është mundësia e nostrifikimit të diplomave, që mendoj se për ne minoritetet në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kemi problem me kuadro adekuate profesionale”, tha Rashiq.