RCCOLA

“Babadimri shqiptar” në Zvicër

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Njeriu kur dëshiron të ndihmojë dhe të gëzojë të tjerët gjen rrugë dhe mundësi të ndryshme për ta bërë këtë, mirëpo për të qenë human duhet të jesh edhe “zemërmirë e dorëshlirë”. Një ndër ta është Dalip Foniqi nga Mireshi i Gjilanit, e që në Anamoravë fëmijët në shkolla e njohin shumë mirë si “babadimri shqiptar”.

Foniqi si për çdo fundvit, po ashtu edhe në këtë i ka gëzuar fëmijët në shkollën e Mireshit dhe Petrocit të komunës së Gjilanit me dhurata nga më të ndryshmet. Ai me kostumin e babadimrit u sjell gëzimin dhe buzëqeshjen shumë fëmijëve të vegjël në shkolla.

Për këtë vit Dalipi thot se i ka 600 dhurata për shkollën në Miresh dhe Petroc, e po ashtu plus 100 dhurata për fëmijë të tjerë që ende nuk janë në shkollë. Në kuadër të këtyre dhuratave të një klase që i jepen fëmijëve, Dalipi thotë se gjithnjë ka një çmim të veçantë, qoftë në të holla apo një çek, me të cilin nxënësit me këtë shpërblim kanë mundur të blejnë mjete mësimore në një librari të qytetit.

Këto dhurata ai i ka shpërndarë më datën 19 dhe 20 dhjetor në Miresh e Petroc, ndërsa për fëmijët që nuk janë ende në shkollë shkoi shtëpi më shtëpi më 26 dhe 27 dhjetor.

Gardërobën e babadimrit ky humanist e bart për çdo fundvit që prej vitit 1999, së pari duke shpërndarë dhurata për fëmijët e shkollave të Mireshit, Petrocit, Bukuvikut dhe Caparit, ndërsa vitet në vijim këtë aktivitet e vazhdon edhe në shkollat e tjera të fshatrave për rreth, si në Malishevë, duke gezuar me dhurata mbi 1000 femijë. Më pas në shkollat e qytetit të Gjilanit, në “Thimi Mitko” me rreth 1500 dhurata, në shkollën “Rexhep Elmazi” po ashtu me mbi 1000 dhurata.

Po ashtu e ka gëzuar edhe shoqatën e të verbërve të Gjilanit, përkatësisht femijët e tyre.

Ndërsa një ndjenjë të veçantë ka pasur kur u ka shpërndarë dhurata fëmijëve të vendbanimit „SOS KINDERDORF“ në Prishtinë. Gjithashtu ka gëzuar edhe shumë fëmijë që ende nuk e kishin moshën e shkollës, duke i vizituar nëpër shtëpitë e tyre, duke filluar nga fëmijët e familjes e deri te femijët e panjohur, tek të cilët ka shkuar enkas vetëm për t’u dhënë dhurata dhe që këta fëmijë ta shohin në realitet babadimrin.

Një bashkëpunim të ngushtë ka pasur edhe me shoqatën «17 Shkurti.ch», ku si “babadimër” ka shpërndarë ndihma për shumë fëmijë të vegjël në fshat, të propozuar nga kjo shoqatë.

Vlen të theksohet se që nga paslufta i gjithë këtë aktivitet dhe gëzim për fëmijët z. Foniqi e ka bërë me vetiniciativë dhe me mjetet e tij personale.

“Në vitin 1999 e kam nisur këtë aktivitet. Jam përkushtuar vetëm për fëmijë, pa asnjë interes personal. Pasuria vjen e shkon, por dashuria dhe vullneti për fëmijë është i përjetshëm. Kur shoh fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve më mbushin plot dashuri dhe lot njëkohësisht”, shprehet Foniqi.

Mobi Casa

Gjithashtu thotë se ka mirënjohje nga këto institucione shkollore, ku ka shpërndarë dhurata për fëmijë.

“Jam shumë falënderues për të gjitha shkollat, sepse pothuajse nga të gjitha kam mirënjohje dhe kontaktet me këto institucione kanë vazhduar edhe më pas, sepse ata duan ta shprehin mirënjohjen e tyre edhe në mënyrë personale-individuale”.

Foniqi thotë se ka pasur përkrahje edhe nga të afërmit për të shpërndarë dhurata nëpër shkolla, sepse të shpërndahen mbi 1000 dhurata për një kohë të shkurtër vetëm nga një person është e pamundur.

Aktivitetin e tij nuk do ta ndalë me kaq, por do të vazhdojë deri atëherë sa të mund të ecë me këmbët e tij. “Para 2 vjetësh te shkolla “Rexhep Elmazi” në Gjilan më pati pyetur një gazetar nëse do të vazhdoj edhe më tutje me këtë aktivitet.

Sot kam 72 vjet dhe deri sa të mund të ec klasë më klasë e derë më derë, unë do të vazhdoj këtë aktivitet vetëm nga dashuria për fëmijët dhe momenti kur shoh fytyrat e tyre të buzëqeshura e të lumtura dhe që janë shumë falënderues, pra me kënaqësi do ta vazhdoj këtë aktivitet”.

72-vjeçari nga Mireshi ka kaluar një pjesë të madhe të jetës jashtë Kosovës. Nga Kosova largohet në vitin 1970, ku 5 vjet qëndron në Gjermani, një vit në Libi, ndërsa prej vitit 1976 e deri më sot ai jeton me familjen e tij në kantonin e Cyrihut.

Nga vitet e 90-a aktivisht është angazhuar për funksionimin e shtetit paralel të Kosovës nën okupimin serb, duke kontribuar në shumë fusha, si në aspektin social, duke mbajtur familje nevojtare, ashtu edhe në funksionimin dhe fuqizimin e shkollës shqipe.

Në kohën e luftës në Kosovë ai po ashtu angazhohet në grumbullimin dhe dërgimin e mjeteve për UÇK-në.

Nga 1999 e kristalizon idenë e tij për të shpërndarë dhurata si “babadimër” për fëmijët parashkollorë dhe të klasëve të ulëta të shumë shkollave./Visar Kryeziu/albinfo/