Azemi realizon dy gola në derbin e Bundesliga 2
Ilir Azemi ka gjetur përsëri rrugën e golit. Kësaj radhe, sulmuesi kosovar realizoi dy gola në barazimin 2:2 të Greuther Furthit në udhëtim te Paderborni.
Ilir Azemi përsëri në cak. Sulmuesi kosovar ka vazhduar formën e tij të mirë të golave duke shënuar dy të tillë në barazimin 2:2 të Greuther Furthit në udhëtim te Paderborni.
Azemi ishte në top-formë duke i nxjerrë skuadrës së tij një pikë të vlefshme në udhëtim, me golat e realizuar në minutat 59 dhe 90.
Ai luajti 90 minuta në këtë sfidë, sikurse edhe bashkëvendësi i tij, Mërgim Mavraj, duke u ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 59-të.
Te vendasit, tërë lojën luajti mesfushori, Alban Meha, por për dallim nga Azemi, ai nuk arriti të realizojë gol në këtë sfidë.
Ky ishte goli i nëntë i Ilirit këtë edicion në ligën e dytë të futbollit gjerman.
Me këtë barazim, Furthi tani ka 53 pikë në pozitën e dytë në Bundesliga 2, teksa Padeborni ka një pikë më pak në pozitën e tretë.


