Fundamenti

Azemi: Aktakuza e EULEX-it abstrakte

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Halit Azemi avokat mbrojtës i Abdullah Zogajt thotë se aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj grupit “Lëvizja e lirisë” është tejet abstrakte. Aty asgjë s`ka konkrete, bazohet vetëm në sms dhe thashetheme. Kurrë s`kam parë këso aktakuze së cilës i mungojnë provat dhe elementet thotë Azemi për rajonipress.

Gjykimi ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” të akuzuar nga ana e EULEX-it për terrorizëm pritet të fillojë më 11 mars. Ende pa filluar gjykimi mbrojtja e të akuzuarve e sheh me shumë rezervë aktakuzën e ngritur nga prokurori Maurizio Salustro.

Aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj Valon Jasharit, Skender Jasharit,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Ky grup i njohur si “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012.

Por njëri nga avokatët mbrojtës Halit Azemi i cili mbron Abdullah Zogaj tha për rajonipress se aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj grupit “Lëvizja e lirisë” është tejet abstrakte. “Aty asgjë s`ka konkrete, bazohet vetëm në sms dhe thashetheme. Kurrë s`kam parë këso aktakuze së cilës i mungojnë provat dhe elementet. S`ka asnjë dëshmi , asnjë gjurmë e as dëshmitarë dhe gjithçka është shkruar në kohën e papërcaktuar, armët e papërcaktuara “etj thotë Azemi për rajonipress.

Azemi thotë se ky grup është akuzuar edhe për veprën e cila ka ndodhur në tetor ndërsa ata kanë qenë në vuajtje të dënimit. Një tjetër anomali që e ka vërejtur Azemi ka të bëjë me vendimin e Gjykatës së Apelit.

Fundamenti

Azemi tha se Gjykata e Apelit në kuadër të EULEX-it në një vendim që është marrë nga trupi gjykues i kryesuar nga Anemarie Menter i ka zëvendësuar Abdullah Zogajt masën e paraburgimit në arrest shtëpiak, por këtë vendim nuk e ka përfillur Gjykata Themelore e Gjilanit që vepron në kuadër të EULEX-it.

Azemi tha se Gjykata e Apelit është më e lartë se ajo Themelore. Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se kjo gjykatë e ka të pamundur sa i përket veprës së terrorizmit të përcaktojë se në bazë të cilave prova gjykatësi i procedurës paraprake ka arritur në përfundimin se ekziston dyshimi i bazuar se Abdullah Zogaj e ka kryer veprën penale të terrorizmit.

Azemi tha se Gjykata Themelore në Gjilan po del të jetë më e fuqishme se ajo e apelit edhe pse është e kundërta. Azemi tha se këto padrejtësi dhe shkelje ligjore që janë konstatuar edhe nga Gjykata e Apelit e EULEX-it do të shqyrtohen në seancën e parë që mbahet më 11 mars.

Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.

Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë./rajonipress/