Auditorët e shtetit, mbulesë e korrupsionit

Transparenca e institucioneve dhe veprimet e paligjshme financiare. Shkeljet e shumta fshihen dhe nuk ndëshkohen
Analistët dhe deputetët opozitarë shprehen se kjo po ndodh pasi Ligji për auditimin e brendshëm lë shumë hapësira për ikje nga përgjegjësia individuale. Sipas tyre, revizorët e brendshëm janë të zgjedhur dhe janë të ndikuar shumë nga krerët e politikës
Shkeljet dhe abuzimi i madh i miliona eurove të parasë publike, që në kontinuitet po konstatohen pas gjetjeve të Auditorit të Përgjithshëm, në shumicën e rasteve që nga paslufta e deri më sot kanë mbetur pa masa adekuate dhe pa ndonjë shqiptim të dënimeve nga ana e institucioneve më të larta shtetërore dhe të Qeverisë së Kosovës. Sipas zyrtarëve të Agjencisë Antikorrupsion vetëm disa raste kanë përfunduar me kallëzime penale e disa me kërkesa për ndërmarrjen e masave administrative-disiplinore. Fusha e prokurimit publik dhe ajo e auditimit në të gjitha raportet ndërkombëtare që flasin për Kosovën tregojnë se bëhet fjalë për njërën nga pikat më të dobëta dhe më të korruptuara të sistemit të ekonomisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Ndërkaq, për analistët dhe deputetët opozitarë kjo po ndodh pasi Ligji për auditimin e brendshëm lë shumë hapësira për ikje nga përgjegjësia individuale. Sipas tyre, revizorët e brendshëm janë të zgjedhur dhe janë të ndikuar shumë nga krerët e politikës.
Shkeljet e identifikuara nga AKK-ja
Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se gjatë vitit 2015 Agjencia e ka trajtuar Raportin e ZAP-it, në të cilin i kanë identifikuar diku rreth 50 raste me shkelje materiale. “Në bazë të dëmit të pretenduar se iu ka bërë buxhetit të vendit, ne rastet i kemi ndarë në tri kategori: Rreziku i Ultë, Rreziku i Mesëm dhe Rreziku i Lartë”, ka thënë ai. “Në këtë fazë ne mund të pohojmë se disa raste kanë përfunduar me kallëzime penale e disa me kërkesa për ndërmarrjen e masave administrative-disiplinore. Me këtë praktike ne do të vazhdojmë edhe në vitin 2016”, tha ai. Ndërsa, lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për “Kosova Sot”, se nga kontakte që kanë pasur tash e një dekadë që kur janë themeluar kanë pasur shumë vërejtje në adresë të punës së auditorëve të brendshëm./kosova sot/