RCCOLA

Atdhe Geci – 26 poezi nga libri “Kanuni poetik” I dhe II, libër me dy mijë poezi

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Poezi të përzgjedhura nga Atdhe Geci

FJALA NË LUFTË – 26 poezi nga libri “Kanuni poetik” I dhe II

Kur fjalës i del gjak në gojë
për simbolikën kuq e zi
çdo gjë rreth saj është burg
çdo gjë rreth saj është luftë
Kështu më tha një i plagosur
i fjalës, një i rrahur rëndë
një luftëtar i fjalës së lirë
trimin e fjalës që e arrestuan
Liria e fjalës është e shenjtë
kur fjala e thotë të vërtetën
mikun tim të martirizuar, për
metafora fjalësh e plagosën
Kur fjalën në gojë e plagosin
grushtat e paligjshëm të ligjit
fjalës s ́ i mbetet gjë tjetër
pos diellin ta ngrejë me duar!..

E BUKURA MORE

Zemër e zemrës qan me lotë,
mall i rëndë më ka rënë sot:
në ëndërr shoh unë Morenë,
dheun e t´atës dhe atdhénë.
Qan De Rada, qan dhe Ujko,

Dushko Vetmo çon mesazh,
qan e bukura, qan i bukuri
në Epir, Morenë kam mall!
Flakë e shpirtit nuk shteron,
plaga dhimbjen veç e shton
kujtoj hënë dhe kujtoj det,
sa herë gjaku im më thërret!…
Unë të desha, po s ́u pamë,
gjak i shprishur edhe thanë;
gjuha shqipe dritë shumon,
rrënja e fortë gjakun pastron!

Komandant L l e sh i

Fjala e fundit e Ridvan Qazimit

Zotërinj të historisë,
Zotërinj të Preshevës,
unë fjalën e mbajta
gjaku ynë të mos thajë.
Mes heshtjes e pritjes
fjalën fort e armatosëm
që Pushka e Luginës
të dëgjohet Evropës.
Zotërinj të lutërave
Zotërinj të historisë,
O do të jemi të lirë,
O lufta jonë s ́ndalon.
Miq, vëllezër, popull,
të gjallë dhe të rënë,
unë fjalën e mbajta
e lirë të jetë Presheva!..

E M B L E M Ë

Unë jam ai i dënuari,
ai burgosuri, ai trimi.
ai i plagosuri për liri,
që një jetë të tërë
isha në luftë e beteja.
Unë jam ai bandilli,
ai shkruesi i trakteve,
ai ilegalisti i shkathët,
ai që i mbaja parullat
“ Kosova Republikë ”.
Unë jam ai profesori,
ai i bukuri i rrugëve,
ai poeti i trazimeve,
që me studentët trima,
i ramë grusht armikut;
Unë jam ai i dënuari,
ai i bukuri i UÇK-së,
ai piktori i emblemës,-
një i dashuruar i lirisë…

E R M A L I

Jeta kurrë s ́ më pyeti:
ji mirë, si je, çfarë bën?
a kam shpirt për vuajtje?
a kam gjak për dhimbje?
Jeta kurrë s ́ më pyeti:
a jam hisetar nën qiell?
cilat janë udhët e mia?
a kam të korra nën diell?
Jeta kurrë s ́ më pyeti:
sa shi kam në zemër,
sa peshë kam në thembër,
a kam lotë për të qarë?
Jeta kurrë s ́më pyeti:
sa është imi ky yll?
sa është imi ky prill?
ku e kam engjullin tim?

U J A N I

Asnjë çelës historie
Nuk më bie tamam,
As mendje e Sokratit,
As zemër e Jezuit.
Asnjë çelës historie
Nuk më bie tamam.
As çelësi i të urtit,
As çëlësi i të dehurit.
Në tërë këtë histori
Luftë bëhet në mua,-
I thosha sot mikut
Tek i shkruaja letër.
Prej shpirtit më vjen
të bëhem një rebele,
se tregtarë të paqes
pesë copash më grinë

H A R E J A

Pak kohë më ka mbetur,
e hëngra dhe këtë natë;
që gojët tona të puthen,
që buzët tona të duhen.
Jeta me shumë dashnorë
dhe me qytete përreth,
është loja ime e shpirtit,
dhe loja ime e trupit
Jeta me shumë dashnorë
më ka bërë të shtrihem
nën gjoksin e burrave,
nën të ëmblin e tyre.
Jeta me shumë dashnorë
është jeta ime e sotme,
çastet e mia të ëmbla,
koha që më ka mbetur…

A R J O N I

Ti që puth buzët e mia,
që më josh e përqafon,
ti më më je e dashura,
mbrëmja që këndon.
Ca pika gjak në duar,
ca pika gjak në gur,
m ́u dukën të etshme
tek mbahesha për mur.
I plagosur në betejë,
unë ndjehesha i gjallë;
për muri mbahesha
të mos bjer në varr.
Nën atë qiell të grisur
me eshkë e me uror,
ca pika gjak në gur
gjak u bënë në flamur

KËNGA E MBJELLËSIT

Qysh kur arrës fletët i ranë
nën arrë u deshëm e u ndamë;
fati neve pakëz na ndihmoi
derisa fletët arra i mbaroi-
I mbetur vetëm me mbrëmjen,
s ́doja të shtrëngoja më veten,
jetës unë ia hapa gjithë dyert
ore, le të dehet me kë të dojë;
Plot vite shkuan e do shkojnë.
dhe ne njëri-tjetrin kërkojmë,
jeta si uji përroit merr e ikën,
po dashuria shumë ka meritë.
Në kraharorin e një mbjellësi
zemra punon të mos pushojë,
përjashta koha dhe ndërron,
po zemra shpirtin s’e harron.

I MËRZITURI

Kur mërzia me ne pi duhan
shoqëruar me kafe e raki,
i mërzituri nis e zihet
edhe me ata që s ́janë aty.
Kur mërzia pi duhan.
i mërzituri i nxjerr plagët
dhe i gjykon një nga një
përpara se atë ta zë dehja
Kur mërzia pi duhan,
ajo e do një mike pranë,
nga afër është i zemëruar,
nga larg atë s’e zë gjumi.
Jeta me dehjen s ́ndalon,
dehja me jetën pi duhan,
deri në një ditë tjetër,
deri në një mërzitje tjetër…

LAM, JAM PAKËZ KURVË

Miku im, fjala kurvë mua më
pëlqen. Jam femër e lindur me
ves. Jo në kuptimin si putanat,
kam bërë dhe kam dhënë nder.
Në këtë jetë krejt të çastshme,
nëse ke trup modern të kohës,
s ́është (zor) të gjesh klientë,
meshkujt delenxhi më duan.
I njoh burrat e gjithë qytetit,
jepem edhe kur s ́kam nevojë,
teatri im është të kem klientë,
dhe të marr atë që unë dua.
Kam bërë e kam dhënë nder
jo si ato putanat që shiten në
rrugë. Jam e lindur me vese,
asnjë burrë s ́e njoha të njëjtë…

FLAMURIT BLU

Ç ́është ky flamur i huaj
në direkun e shtëpisë?
mos rrota e historisë
që mua më duhet ta bart?
Ç ́është ky flamur i huaj
në direkun e shtëpisë?
i kujtoj të vrarët e mi,
të vrarët nëpër mërgime.
Ç ́është ky flamur i huaj
që unë duhet ta bart
për hir të një kontrate
që ta kem një adresë?
Ç ́është ky flamur i huaj
me himn dhe pa tekst?
është një gjysmëfitore
për të vazhduar në fitore…

E DIELA E FJALËS

Hidromorava

Vetmi, pse duhet të jetoj me ty,
më mërzinë dhe shoqet tua,
me rrapëllimat e erës sate
dhe përsëritjet tua monotone?
Muzë, përse më do të vetëm?
mbretëria jote s ́ më pëlqen,
s ́më pëlqejnë as shpresat tua,
jam kafsha që nuk di të lutem.
Unë nuk jam krejt i vetëm
jam në miqësi me mijëra libra,
vetmi, ti je shqetësim i bukur,
pse unë sot jam kaq i dehur?
Poezi, ma hiq qafe vetminë
dhe shoqen e saj që vështron,
muzë, më le në “burgun” tim,
jam kafsha që nuk di të lutem.

E BUKURA E PRISHTINËS

Gjinjtë i kam grurë të bardhë,
buzët i kam të kuqe si qershi,
jemi në në çast të dashurisë,
në një kopsht plot me lule.
Më quaj tënden, i dashur,
të quaj timen, o shpirti im
për ty kam ardhur sot këtu,
të jem sonte vetëm me ty.
Në këtë jetë të përkohshme
më puth, o shpirt, më përqafo,
gjinjtë i kam grurë të bardhë,
buzët i kam të kuqe si qershi.
Shpirt, ta jetojmë këtë çast,
jemi me jetë të përkohshme,
dashurisë nuk i shpëton njeri,
dashuria është e të gjithëve!..

TOKA ËSHTË GRUA

Fjalët në art s ́janë pa figurë,
tokës askush s ́ia di thëllimat,
as botës së grave, të fshehtat,
tokën e ndjekin disa pasqyra.
Zotit tim unë ia thashë troç:
e bukura ecën hijeshisë së saj.
toka është më e dashura grua,
dashuria për gjithsecilin njeri.
Në pamjet me akull dhe zjarr
toka i do më të plotëfuqishmit,
njerëzit e mençur e të ditur
ata që tokën e bëjnë hijeshi.
Qysh kur toka ishte Adami
qysh kur qielli u bë Evë,
u shumëzuan lulet femërore
lulja që di të lexojë e të lindë!..

Z A L L A M A H I

Në këtë qytet pa ekstazë
thonë se dikush ka vdekur,
qytetarët kudo janë tubuar
por ata s ́dinë kë e varrosin,
arkmort s ́ka, as të vdekur,
njerëzit janë grumbulluar
dhe dikë duan ta vorrosin.
Në këtë qytet pa ekstazë
ka aq shumë fantazma dhe
vjedhës të thashethemeve,
që vuajnë nga plagët pa zë
dhe nga hijet e hiadhave;
thërritësit e fantazmave
duan një mort pa arkmort,
qytetarët janë grumbulluar
(zëra kafshësh dëgjohen);
ata duan ta varrosin dikë,
por s ́dinë kë ta varrosin:
zallamahinë apo vetveten?

LOTËT E ÇAMIT

Shqiptarët e mërguar në botë,
me dhimbje e bëmë këtë jetë,
i këputur, i degdisur, i huaj-
mërgimi çdo ditë më vret.
Këtu jam qëkur isha tre vjeç
Tiranën thuajase nuk e njoh,
kam lexuar për bukuritë e saj
për fushat dhe detin me diell.
Plot murtaja ranë gjithandej
grekët na e dogjën Çamërinë,
shumë ikëm me kokë në dorë.
mendja më vete vetëm atje-
Tokë florirësh është Çamëria,
e fortë është ëndërr e çamit,
kur varka mbi det dremitet,
dhe çami me çamen puthen!

M A N I O L A

Në të gjitha epokat qesh lule
njihesha me paqen dhe luftën,
njoha shumë nga sundimtarët,
mbretër të fisit dhe të fiseve
Xarrë, sa jetë të jetuar ke bërë
sa udhë të gjata dhe të pafund
Në Shqipërinë tënde të vockël
ti mbete shpatull e Çamërisë.
Në betejat e tua për Shqipërinë
nëntokën e ke plot qytetërim,
pyes, a janë kalcium eshtrash
apo brinjë të stuhive të rëna?
Xarrë, ti e ke vëlla Butrintin
Shëndëllin,Vrinën e Lëkurësin.
tregomë për legjendën e ullirit
dhe për epikën e luleve të tjera!

MBLEDHJE NË KRAHAROR

A do të kthehem një ditë në shtëpi
në dheun amë, aty ku jam bimur
aty ku më njeh dheu dhe qielli im,-
në vendlindje, aty ku jam lindur?
Mendja dhe mendimi nuk flasin.
kjo pyetje ka një heshtje brenda,
përmallimin askush s ́e kupton,
pa e ngrënë mërgimin me fund.
Në këtë mërgim më se të zgjatur
edhe malli ka nisur të më përqeshë.
flet si unë dhe qan si unë, me
çaste, bashkë ia marrim vajit.
Mërgimi nuk na don të papunë.
Ai na do të fortë e me shëndet
brenda kam një mizëri pyetjesh,
mbledhje kam sot në kraharor!…

K R E H Ë R I

Një jetë të tërë isha në luftë
në beteja dhe fushëbeteja
që ai pushtues të mundet
dhe ai pushtues të bjerë.
I dënuar me dënim kapital
pak para ekzekutimit, unë e
kërkova një krehër flokësh
të flisja edhe pak me jetën.
O diell që e ndriçon tokën,
unë ndjej shndërrimin tënd,
të ngrohtën e rrezeve tuaja,
praninë tënde nëpër beteja.
Liri, unë bëra atë që munda,
tri plagë i kam në kraharor;
unë do isha i lumtur, sikur
të isha i pushkatuar i fundit!

K R I J U E S I

Jam mësuar të jetoj
edhe aty ku fryn erë,
edhe aty ku bie shi,
edhe aty ku bëhet luftë.
Jam mësuar të jetoj
me idetë e kësaj kohe,
me dhimbjet që qajnë,
e me çaste të qeshurash.
Jam mësuar të jetoj
me kohën e pangopur,
me vetminë kumbuese
dhe kundërthëniet e saj.
Jam mësuar të jetoj
edhe aty, ku fryn era,
edhe aty, ku vetëtin,
edhe aty, ku bëhet luftë…

KULLAT E OLIMPIT

Lart në pallate të Olimpit
perënditë bëjnë mbledhje
si ta shuajnë revoltën që
ua ka mbërthyer shtëpinë.
Nuk ka një kohë tjetër
që mund ta shkelë kohën,
kjo jetë jetohet një herë
dhe në asnjë kohë tjetër.
Në këtë shesh revoltash
unë e ndjej kohën time,
frymën e saj të gjaktë,
frymën e saj të gjelbër.
Lart në kullat e Olimpit
perënditë bëjnë mbledhje
si ta shuajnë zemërimin
grumbullin e të pabërave…

ESE PËR LIRINË

Jetën askush nuk mund ta
plagosë, më tepër se vuajtja
më tepër se dhimbja, flasin
lotët e nënave nëpër dritare
Jetë, a ma vë emrin në gur
që të përzihem me dheun
ndarja me luftën s ́qenka e
mundur, liria nuk ka maje
Dielli na njeh të gjithëve
të gjithëve na njeh dhe ajri
lexoj në një pllakë bronzi,
shkruar për të rënët në luftë
Në këtë vetmi të pasluftës
dua siparin e të përpjetave
të vërtetat e padukshme
të Qenieve dhe të Qenies

HËNË E FJALËS

Hiqmu qafe, thashethemë
jam në murmurimat e mia
krijimi si libër nuk shuhet
dija si libër nuk zhbëhet
O i menduar i mëngjesit
O xhevahir i fjalës. Jeta
është minjerë të dhënash
për të gjithë ju që krijoni
Në tërë këtë pambarim
të heroizmit të jetës sonë
jeta ka shumë lindje, që
nga materia dhe mendimi
Hiqmu qafe, thashethemë
mos ia thyej zemrën librit
dija si libër do të vazhdojë
derisa dielli të japë dritë

F L E A R T I

Këtë poezi e mbaj në mend
kur librat kontrolloheshin
kontrolloheshin edhe idetë
për titullin dhe përmbajtjen
Këtë poezi e mbaj në mend
kur unë bëra sprovën e parë
për ta armatosur vargun
me realitetin tonë të kohës
Ëndrrat që nuk dukeshin
unë i ruaja vetë në kujtesë
këtë poezi e mbaj në mend
kur unë isha moshë e re
Për njeriun që vetëm krijon
për njeriun që vetë ndërton
Zoti është një vendas imi
Dhe liria një e bukur e jona

H O M A Z H

Shiu mbi varreza bie i qetë,
vjeshta vjeshton nën fletë,
im bir nga varri më thërret:
mëmë, a jam i vdekur vërtet?
Nuk di ç ́të them, o shpirt,
plaga n ́zemër më është rritë
dhimbja hesht, asgjë s ́thotë
shiu që bie është imi lot.
Vjeshta vjeshton mbi degë,
gjethet i zverdh dhe i tretë,
plaga, o bir po më pret udhë,
bukën nëna mezi e drudhë.
Shiu mbi varreza bie i qetë,
era te varreza hedh fletë
plaga, bir më ka vjeshtuar. Ah-
sa do doja me ty me pushue!..

Atdhe Geci – Dortmund, 20.01.2023